Rrahën imamin në Shkodër, lihen në burg autorët
Vendimi është marrë nga gjykata pas sigurimit të provave, që implikojnë Ylli Bregun dhe Artan Laçin
Sipas policisë, imami u dhunua, pasi autorët nuk e pranonin në xhaminë që frekuentonin
SHKODËR-Policia e Shkodrës ka arrestuar dje dy shtetasit qënë javën e parë të marsit ushtruan dhunë fizike ndaj imamit 30-vjeçar, pasi nuk e pranonin për imam të xhamisë në lagjen "Kiras". Ndalimi, sipas burimeve policore, ka ardhur pas mbledhjes së provave që implikojnë dy shtetasit në veprën e kryer. "Polica e Shkodrës ka bërë ekzekutimin e urdhër ndalimit të lëshuar me vendim nr. 104 të gjykatës së shkallës së parë në Shkodër, për dy shtetasit që sipas gjykatës kanë goditur për shkak të detyrës imamin e xhamisë së Kirasit"- thanë dje burimet zyrtare të policisë.Sipas tyre, Ylli Bregu, 30-vjeç dhe Artan Laçi, 37-vjeç janë ndaluar me akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Personi i tretë, i denoncuar nga vetë imami është lënë i lirë, si i papërfshirë në ngjarje, e cila u pasua me reagim të ashpër nga myftinia, për papërgjegjshmëri të policisë. Kjo, sepse, sipas Myftinisë, kapja e të akuzuarve u bë një javë me vonesë, e madje, pas shoqërimit ata u lanë në ndjekje të lirë.
***
Ngjarja ka ndodhur më 7 mars të këtijviti, në lagjen "Kiras" rreth orës 11.00. Imami i kësaj xhamie, Dritan Rrahmani, 30-vjeç lindur në Kukës e banues në Tiranë i emëruar pak kohë përpara në këtë detyrë nga myftinia e Shkodrës, ka qenë duke shkuar pranë vendit të tij të punës për të kryer shërbesën fetare të së premtes. Sipas dëshmisë që ai ka bërë në polici, mësohet se atij i kanë dalë përpara tre shtetas besimtarë, që frekuentonin këtë xhami. Ata, sipas policisë, pasi janë përballur me imamin e kanë goditur, duke i shkaktuar atij plagë të lehta. Pas denoncimit të bërë nga Dritan Rrahmani dhe myftinia Shkodër, më 13 mars është bërë ndalimi i tre të dyshuarve si autorë të kësaj vepre penale. Në atë kohë në polici u shoqëruan Ylli Bregu, Shkëlzen Grizha dhe Artan Laçi. Pas disa orësh ata janë lënë të lirë, pasi kështu ka vendosur prokuroria. Kjo ngjalli reagimin e këshillit të myftinisë Shkodrës që me anë të një deklarate fajësuan organet kompetente për neglizhencë ndaj këtij incidenti dhe për lënien të lire të tre autorëve të dyshuar të saj. Madje myftiu Ndriçim Sulejmani ka theksuar se për këtë ngjarje është vënë në dijeni me anë të shkresave zyrtare dhe kryeprokurorja e Republikës, ministri i Brendshëm dhe prefekti i Shkodrës.
***
Çështja penale në ngarkim të tre të dyshuarve ka kaluar në gjykatë dhe pas provave të sjella kjo ka vendosur që Shkëlzen Grizha nuk ka qenë i përfshirë në goditjen e imamit. Ndërsa për Ylli Bregun e Artan Laçin gjykata ka vendosur si masë sigurie atë të arrestit në burg. Policia ka bërë ekzekutimin e këtij vendimi, duke i ndaluar dy personat e dyshuar si autorë të kësaj vepre penale. Konflikti mes personave dhe imamit të kësaj xhamie kishte lindur për shkak se ata kanë qenë kundër emërimit të 30-vjeçarit Rrahmani si imam në xhaminë e tyre. Për këtë, kundërshtimin e tyre ata e kanë shfaqur duke i bërë presion që ai të mos pranonte të kryente këtë detyrë, gjë e cila nuk është pranuar prej tij.