E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, masivi shkëmbor rrezikon fshatin

 
Jeta e banorëve të fshatit Zëmblak në rrezik nga një masiv shkëmbor që pritet t'i zërë poshtë
 
Shtabi i Emergjencës ngre grupin e punës. Çerkezi: Situata është kritike, banorët të mos ecin poshtë masivit
Korçë- Një masiv shkëmbor mban peng jetën e banorëve të një fshati në rrethin e Korçës. Jeta e 200 banorëve të një lagjeje në fshatin Zëmblak është në rrezik, pasi një masiv shkëmbor "rri varur" mbi çatitë e shtëpive të tyre, gati të bjerë. Banorët kanë vënë alarmin prej disa javësh, duke kërkuar ndërhyrjen e organeve shtetërore për ndihmë. Së fundi, është ngritur me urgjencë nga institucioni i prefektit një grup ekspertësh për këtë çështje.
***
Banorët jetojnë me frikën e shkarjes së masivit shkëmbor që gjendet vetëm 150 metra larg tyre, ndërsa specialistët paralajmërojnë shmangien enjerëzve pranë kësaj zone, duke e cilësuar të rrezikshme për të banuar. Zona mësohet se ka 50 shtëpi dhe familjarët kanë njoftuar për shqetësimin e tyre në prefekturën e Korçës, pas ankesës nisur komunës ku bëjnë pjesë. Në letrën dërguar prefekturës banorët kërkojnë ndihmë, në mënyrë që të mos gdhihen të zënë poshtë nga shkëmbinjtë. Ndonëse nga komuna nuk ka pasur reagime, shpresa e vetme e banorëve të terrorizuar që jetojnë me ankthin e vdekjes, ka qenë ndërhyrja e prefektes së Korçës, Elfrida Zefi. E njoftuar për problemin, Zefi i ka kërkuar Shtabit të Emergjencave Civile ngritjen e një grupi ekspertësh ekskluzivisht për zgjidhjen e këtij problemi jetik për 200 banorët në fjalë.
***
Sipas Dhori Çekrezit, shef i zyrës së emergjencave civile pranë prefekturës së Korçës, situata në lagjen pranë të cilës një masiv shkëmbor rrezikon rreth 50 shtëpi është serioze. Sipas konstatimit të ekspertëve, Çekrezi thotë për gazetën se rreziku është i pranishëm, ndaj kërkohet që shkëmbinjtë të jenë në mbikëqyrje dhe banorët t'i shmangen ecjes nën to deri në ndërhyrjen për largimin e masivit shkëmbor. Por duket se historia do të zgjasë, pasi ndërhyrja për shkak të terrenit të thyer malor është e vështirë, ndërkohë që duhet të gjenden mjetet e duhura për të mundësuar një zhvendosje të masivit shkëmbor. "Ekspertët do të matin dhe sipërfaqen e shkëmbit dhe do të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa për momentin është kryer vetëm evidentimi i këtij rreziku të ardhur si një alarm i vetë banorëve tëfshatit Zëmblak rreth 15 kilometra larg Korçës",- thotë ai.
***
Masivi shkëmbor ka vite që është në këtë zonë periferike. Ndërsa në muajt e fundit, si rezultat i shkarjeve të dheut dhe reshjeve të shiut dhe dëborës i është afruar më shumë shtëpive të tyre. Largësia nga 50 shtëpitë e shkëmbinjve është rreth 150 metra, ndërsa nata është dhe më e vështira për këta njerëz që flenë me frikën e shembjes së shtëpive. Mësohet se janë vënë në lëvizje institucionet shtetërore, por ende nuk është gjetur një zgjidhje, ndërsa ekspertët grupi i të cilëve është duke punuar në terren, pritet të thotë fjalën e fundit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›