E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrahu Bazen, Rezart Taçi nën arrest

 

Armand Bajrami/ Etleva Delia

Biznesmeni Rezart Taçi u vetëdorëzua dje në polici vetëm pak orë pasi Gjykata e Tiranës me kërkesë të prokurorit Gjergji Tako, vendosi masën “arrest me burg” në mungesë ndaj tij. I shoqëruar nga avokatët e tij Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, biznesmeni 38-vjeçar është paraqitur me vullnetin e tij në policinë e Tiranës rreth orës 16:00. Para vetëdorëzimit me anë të një deklarate për median, pronari i “Taçi Oil” tha se sapo ka marrë dijeni për vendimin e gjykatës, ka vendosur të paraqitet në polici. Avokatët e tij pohuan se kanë bërë kallëzim penal ndaj gazetarit Mero Baze. Mbrojtësit ligjorë shtuan më tej se do të apelojnë në Gjykatën e Shkallës së Dytë, vendimin e dhënë dje nga togat e zeza të Tiranës. Sipërmarrësi 38-vjeçar ka pohuar gjithashtu se akuzat që i bëhen janë pjesë e një skenari të menduar me kohë ndaj bizneseve që ai ka në zotërim. Pak minuta pas vetëdorëzimit të biznesmenit, policia e kryeqytetit me anë të një deklarate tha se kishte ekzekutuar vendimin e gjykatës dhënë në mungesë ndaj Rezart Taçit.
Masa e arrestit
Pak orë para vetëdorëzimit të Rezart Taçit në polici, gjykata e kryeqyteti vendosi në mungesë masën “arrest me burg, pa afat”. E njëjta masë sigurie u vendos edhe për dy truprojat e tij, Irgen Selfo dhe Bledar Liro. Të tre personat, sipas Prokurorisë, akuzohen për “goditje për shkak të detyrës” në dëm të gazetarit Mero Baze në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Togat e zeza të gjykatës e vlerësuan si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Irgen Selfos dhe Bledar Liros. Gjykata vendosi mbajtjen e tyre në qeli deri në fund të hetimeve. Seanca e caktimit të masës së sigurisë u bë me dyer të hapura, ndërsa gjyqi për masën e Rezart Taçit është zhvilluar pa praninë e medias.
Truprojat në gjykatë
Mesditën e djeshme bodigardët e presidentit të kompanisë “Taçi Oil”, Irgen Selfo dhe Bledar Liro u paraqitën para togave të zeza për vlerësimin e arrestit ndaj tyre dhe caktimin e masës së sigurisë. Avokati mbrojtës i të dyshuarve pretendoi se nga klienti i tij Irgen Selfo është pranuar goditja ndaj një personi, por jo për shkak të detyrës së tij. Gjithashtu avokati Arben Prifti i kërkoi gjykatës një masë të lehtë sigurie, kjo edhe për faktin se klientët e tij ishin vetëdorëzuar në polici për të sqaruar situatën. Vetë të pandehurit nuk dhanë deklarime para gjykatës. Ata konfirmuan gjenealitetet, por nuk dhanë sqarime të tjera. Nga ana e tij, prokurori i çështjes kërkoi vlerësimin si ligjor të arrestimit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për ta, pasi sipas Prokurorisë, gazetari Mero Baze ishte qëlluar për shkak të detyrës. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjyqtarja vlerësoi si të rregullt arrestimin e dy bodigardëve të biznesmenit Taçi dhe lënien e tyre në masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”. Ndërkohë, në një tjetër seancë gjykata i dha formë ligjore urdhër-arrestit për biznesmenin Rezart Taçi. Burime pranë gjykatës pohuan se togat e zeza vendosën për Taçin “arrest me burg pa afat” në mungesë për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës në bashkëpunim”. Pas vetëdorëzimit të tij pasditen e djeshme, sot pritet t’i komunikohet masa e sigurisë. 

Deklarata e Taçit para dorëzimit
TIRANE – Biznesmeni Rezart Taçi reagoi dje publikisht me një deklaratë pak çaste para vetëdorëzimit në polici. Ai tha se përsërit deklaratën e pak ditëve më parë, se është i gatshëm të respektojë instancat e drejtësisë. “Do të respektoj vendimin e gjykatës, por nuk mund të mos shpreh bindjen time të plotë se kjo situatë është rezultat i një strategjie dhe lufte të filluar kohë më parë ndaj personit tim dhe bizneseve që unë drejtoj”, tha biznesmeni. “Dua të theksoj se nuk është në edukatën time dhe në formimin tim personal, përdorimi i dhunës ndaj askujt dhe për më tepër ndaj përfaqësuesve të mediave”, vijon më tej deklarata. Rezart Taçi thekson më tej se hedh poshtë akuzat e ngritura gjatë këtyre ditëve ndaj tij nga segmente të caktuara të medias. “Nga ky moment, sapo rashë në dijeni të vendimit të gjykatës, vihem në dispozicion të drejtësisë dhe shpreh bindjen se rasti në fjalë do të trajtohet në bazë të ligjit”, thuhet më tej në deklaratë.

Truproja e Taçit: E qëllova pa e njohur, pasi më provokoi

TIRANE – Gjatë seancës së shqyrtimit të vlefshmërisë së arrestit për dy bodigardët e biznesmenit Rezart Taçi, pjesë e dosjes u bë edhe një kallëzim i Irgen Selfos ndaj gazetarit Mero Baze për “fyerje dhe dëmtime”. Sipas kallëzimit, Selfo pretendon se ka qenë gazetari Mero Baze që e ka ofenduar dhe shtyrë, çka ka sjellë më pas precipitimin e situatës. Referuar kallëzimit të tij, Selfo sqaronte se nuk e njihte gazetarin Mero Baze dhe aq më pak të dinte profesionin e tij. Gjithashtu, në kallëzim Selfo kishte pohuar se dy personat e tjerë, Bledar Lilo dhe Rezart Taçi janë futur vetëm për të ndarë grindjen e dhunshme. “Mbrëmjen e së martës kam qenë me shokun tim Bledar Lilo, me të cilin vendosëm të pimë nga një pije në lokalin ‘Kapricio’ në zonën e ish- bllokut në Tiranë. Pasi kemi hyrë në lokal kemi zënë një tavolinë dhe kemi pritur kamerierin për të bërë porosinë. Kur jam ulur kam vënë re dy tavolina larg vendndodhjes tonë një person të panjohur për mua, me flokë të rëna dhe fytyrë të rrumbullakët. Ai person po më vështronte ngultas dhe nënqeshte. Në këtë moment çohem nga karrigia ku isha ulur dhe i afrohem personit në fjalë, duke e pyetur në njiheshim bashkë dhe i kam vënë dorën pas kokës së tij mbi shpatulla. Nga ana e tij është thënë ‘ke sjellë zagarët’ dhe më shtyu. Unë e godita, ndërsa ai më ka goditur me tavllën e duhanit që ndodhej sipër tavolinës ku ai po qëndronte, duke më krijuar ënjtje në fytyrë dhe në buzë”, thuhej në kallëzimin e Selfos. Për dy të akuzuarit e tjerë të kësaj ngjarjeje, Selfo ka sqaruar në kallëzim se kanë ndërhyrë vetëm për të ndarë atë dhe gazetarin Baze nga njëri-tjetri.                                   ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›