“Çështja e pronës në Shqipëri, kaotike”
Partia Socialiste e konsideron çështjen e pronës në Shqipëri kaotike, ndërsa akuzon Kryeministrin Berisha për përvetësime të pronave publike. Deputeti socialist Taulant Balla tha dje gjatë një konference për shtyp se: “Vështirë të ketë sot qytetarë shqiptarë, të majtë apo të djathtë, që të mos jenë skandalizuar nga oreksi i papërballueshëm i familjes në pushtet për të zaptuar në mënyrë abuzive pronat e shqiptarëve”. “Nga Kakomeja në Jalë, nga Porto Romano në Gjirin e Lalzit, nga Orikumi në Borsh e në qendrën e Tiranës, duket se është bërë e pamundur që të kalojë qoftë dhe një ditë pa nxjerrë në shesh një tjetër skandal e një tjetër abuzim, që jo rastësisht kanë gjithnjë si emërues të përbashkët ministrat, djemtë dhe vajzat, dhëndurët e sekserët, e familjes që drejton sot vendin”, u shpreh Balla.