E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrally Albania VI udhetim i mrekullueshem neper Shqiperi

Starton edicioni i 6 i Rally Albania – një rrugëtim nëpër terrenet e mrekullueshme të Shqipërisë, një aventurë 7 ditore për 400 pjesëmarrës. Një sukses i vërtetë mund të konsiderohet ky event; 250 motorrë, 80 makina, 50 mjete asistencë dhe 15 quad, një numër gati i dyfishuar në krahasim me edicionin e kaluar. Shumë pilotë provojnë për herë të parë terrenet shqiptare, ndërsa ata që kanë garuar edhe më parë kërkojnë futjen e Rally Albania në eventet ndërkombëtare.

“Jam këtu për herë të parë. Organizimi është perfekt, është vërtetë e pabesueshme. Disa miq të mi, që kanë marrë pjesë vitin e kaluar, më kanë treguar për terrenin. Është një garë e vështirë, e rrezikshme dhe pilotët duhet të bëjnë shumë kujdes”, u shpreh një pilot nga Republika Çeke.

“Kam ardhur edhe vitin e kaluar. Është shumë e bukur kjo garë, dhe fakti që jam kthyer e pohon. Është një Dakar i vogël. Kam garuar edhe në botërorin e Tunizisë, që në fakt më shkoi keq, por edhe në Sardenjë, sepse una marr pjesë në europianin e Bahias, ku aktualisht kryesoj. Mendoj se Rally Albania duhet të futet në eventet ndërkombëtare” përfundoi një pilot italian.

Vetëm 5 janë pilotët shqiptarë, nga të cilët 4 garojnë me makina dhe 1 me quad, ndërsa gara nis me kohët kualifikuese në Gjirin e Lalzit.

“Është një garë me 6 etapa, mjaft e fortë, profesionistësh. Do durim, passion. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Vjet kishim 150 garues, sivjet janë 400 nga 20 shtete të Europës. Kemi garues edhe nga Australia”-thotë Julinda Dhame, organizatore Rally Albania.

Itinerari i garës Rally kalon nga Tropoja, Valbona, Vlora, Karaburuni, Himara, për tu mbyllur të shtunën e ardhshme në etapën e fundit në Tiranë.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›