Paolo Rago: Shqipëria, takim me një vend që po zbulon vetveten
Kolanës së studimeve të politikës ndërkombëtare i është shtuar edhe një tjetër botim i autorit Poalo Rago: “Tradizione, nazionalismo e comunismo nell’Albania contemporanea” (Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore). Libri i botuar nga shtëpia botuese “Kultura e re” prezantohet më 23 shtator në Romë për lexuesin italian nga shoqata italo-shqiptare “Syri Blu”. Autori i librit ka një lidhje shumë të ngushtë me vendin e shqiponjave. Ai është një italian me nënshtetësi shqiptare. Paolo Rago ka jetuar prej 20 vjetësh në Shqipëri, ku ka punuar si drejtor i Përgjithshëm i Kooperacionit Italian UNICEF, Banka Botërore dhe të tjera organizata ndërkombëtare që kanë vepruar në Shqipëri. Ai ka përkthyer një sërë veprash në gjuhën shqipe, si një njohës i mirë i saj. “Jam i pasionuar pas këtij vendi, njohjen e parë me të cilin e kam patur në një moment magjik për të: kalimin nga diktatura në liri” - është shprehur vetë autori. Libri është një këndvështrim historik i Shqipërisë në raport me vendet e tjera të Ballkanit. “Studimi i historisë dhe ngjarjeve të popullit shqiptar duhet të konsiderohet si një pjesë e veçantë e mozaikut që përfaqëson Gadishullin Ballkanik. Viktima ndoshta e paragjykimeve të të tjerëve, shqiptarët janë imagjinuar apo përshkruar përgjithësisht me një stil retorik me shije fantastiko-legjendare, që u bëhej atyre nga udhëtarë që kalonin nëpër ato rrugë në fillim të viteve 1800. Nuk ka asnjë dyshim se shqiptarët janë mbartës të disa specifikave të veçanta, ku më e dukshme është padyshim bashkëjetesa fetare, një karakteristikë që i dallon ata nga vendet e tjera fqinje, një fakt që e dallon nga ata. Bashkëjetesa fetare dhe mungesa e konflikteve fetare mes katolikëve, ortodoksëve, muslimanëve dhe bektashinjve nuk i ka shpëtuar syrit të vëzhguesve të huaj, ku të gjithë në këtë pikë bien dakord mbi rëndësinë e lidhjes etnike në respekt të faktorit fetar. E gjithë kjo ka gjetur mbështetje në përkufizimin e mendimtarit Pashko Vasa, “se feja e shqiptarit është shqiptaria” - shkruan ndër të tjera në librin e tij Paolo Rago. Sipas tij, një dukuri origjinale, produkt i reagimit ndaj rreziqeve të jashtme, ishin ngjarjet që rrodhën gjatë shekullit të 19-të, vitet lidhur me Monarkinë e mbretit Zog dhe regjimin komunist që pasoi. Për të shpjeguar më mirë këto pasazhe historike, autori nxjerr në pah elemente kulturore të shqiptarëve, duke i krahasuar ato me vende të tjera të rajonit. Në mënyrë të ngjashme, në analizën dhe interpretimin e shkaqeve të ardhjes në fuqi të Partisë Komuniste Shqiptare dhe kreut të saj Enver Hoxha, ai nxjerr në dritë lidhjen e ngushtë me vlerat më të thella të shprehura në kodet zakonore, ku më i rëndësishmi mes tyre është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Vepra e Paolo Rago-s me rreth 270 faqe është ndarë në 7 kapituj: Lindja e nacionalizmit në Ballkan; Ringjallja kombëtare e shqiptarëve; Shqiptarët mes të vërtetës dhe mitit; Feja; Shekulli i nacionalizmit; Tradita dhe e drejta zakonore; Kanuni i Lek Dukagjinit; Komunizmi i Enver Hoxhës. Një bibliografi e gjerë shoqëron librin dhe e bën atë të vlefshëm për studiuesit dhe lexuesit të cilët dëshirojnë të thellojnë njohuritë e tyre mbi Shqipërinë.
Përgatiti: A.Tuci