E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet Don Kçira

Është mësuar që të tjerët t’ia tregojnë mëkatet që i kanë bërë gjatë jetës. Më pas iu ka lutur zotit që t’i falë ata njerëz. Tani, Dom Anton Kçira është në pozitën e rrëfyesit.

Përballë nuk ka një prift, por një popull të tërë. Para nesh ai pranon mëkatin që e ka bërë. Pranon se fjalët e tij kanë qenë të rënda. Arsyetohet se ato i ka thënë nën afekt - gjendje kjo e pakontrollueshme. Ndaj saj nuk ishte imun as prifti.

Dhe burimi i këtij afekti ishin disa shqiptarë që kishin planifikuar të vrasin ushtarë amerikanë, me çdo kusht. Në këtë gjendje, Dom Anton Kçira duket se nuk ka gjetur fjali me të lehta për të manifestuar urrejtjen ndaj qëllimit të këtyre shqiptarëve, që tash gjenden në burgim të përjetshëm.

“Fjala ime aty ka shprehur në mënyrë emocionale indinjatën në lidhje me ngjarjen e bazës ushtarake të Fort Dix të New Jersey-it, dhe ndoshta fjalori i përdorur nga ana ime në këto rrethana nuk ka qenë i përzgjedhur mirë dhe me kujdes”, rrëfehet prifti.

Shfrenimin e fjalimit të tij, ai deri diku e arsyeton edhe me një tjetër ilustrim. Thotë se kazerma, në të cilët shqiptarët kishin planifikuar atentatin, ka strehuar 20 mijë shqiptarë, që kishin ikur nga regjimi i Millosheviqit.

E, fjala e fundit, duket se ia rrënoi 43 vjet, që i kishte ndërtuar në mbrojte të atdheut. Për këtë duket se është pishman. “Unë në fjalimin tim kam dashur të them se: Ashtu siç u masakruan 260 mijë myslimanë në Bosnjë, ashtu do të ishin vrarë dhe masakruar 1.9 milion shqiptarë në Kosovë, po të mos ishte ndërhyrja ushtarake e NATO-s, e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, rrëfehet prifti.

Megjithëkëtë, Dom Anton Kçira tash e tutje do të mbahet mend vetëm për fjalorin e vrazhdë që ka përdorur ndaj popullit të vet. Tani çuditet që shqiptarët kanë harruar 43 vjet të punës për atdheun e vet.

“Dëshiroj të theksoj se askush nuk mund të gjykohet nga pjesë të shkurtuara të një videomontazhi disa minutash, kur flitet për një aktivitet patriotik në shërbim të çështjes shqiptare për më shumë se 43 vjet”, rrëfehet prifti.

E, kur prifti i tha fjalët më të hidhura, në sallë kishte pak njerëz. Kjo duket ia ka shtuar atij vetëbesimin për të zbrazur atë që ishte prodhim i një urrejtjeje ndaj disa individëve, të lindur nga nëna shqiptare, derisa kujtimi i tentim atentatit ishte ende i freskët.

“Kjo ngjarje e rëndë kishte ndodhur 5 ditë përpara mbajtjes së këtij takimi. Njëkohësisht takimi zhvillohej në përkrahje të pavarësisë së Kosovës, e cila ndodhej në hapat e fundit të përgatitjes dhe deklarimit të saj përfundimtar”, rrëfehet prifti.

Megjithëkëtë, Dom Anton Kçira duket se është penduar për fjalët që ka thënë. Tani mbetet në vullnetin e popullit shqiptar se a do ta falë apo jo Dom Anton Kçirën.

Reagimi i Ipeshkvisë së Kosovës
Ipeshkvia e Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratat e priftit Don Anton Kçira, bërë në një tubim në Detroit, në vitin 2007, i cili ditëve të fundit ka nxitur debat, pasi është postuar në internet dhe është publikuar në media. Nëpërmes një deklarate për shtyp, Ipeshkvia e Kosovës thekson se Don Anton Kqira, edhe pse me prejardhje nga Kosova, tash 20 vjet nuk është më nën juridiksionin e Ipeshkvisë së Kosovës, dhe si i tillë përgjigjet vetëm para autoriteteve kishtare në Detroit, ku edhe vepron. Por Ipeshkvia ka ftuar të gjithë qytetarët, që në raste të tilla, personat të vihen para përgjegjësisë personale dhe të mos lejohet të bëhen shkas ose rast lëkundjeje mirëbesimi, tolerance, bashkëpunimi dhe bashkëjetese vëllazërore ndërmjet shqiptarëve. “Ne e dimë që autoritetet e shumta, kishtare, politike dhe kulturore nga të gjitha trojet shqiptare e kanë njohur si kontribuues të madh dhe mbështetës të fortë të çështjes sonë kombëtare në SHBA. Kontributi i tij ishte i madh, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këtë gjë e dinë dhe mund ta dëshmojnë të gjithë ata që e njohin ose kanë pasur mundësi ta takojnë në aktivitetet e ndryshme që janë organizuar në Amerikë. Te ky njeri të gjithë kanë gjetur mikpritje, mirëkuptim, përkrahje dhe bashkëpunim vëllazëror”, thuhet në deklaratë. “Këto rrethana na bëjnë të shqetësohemi shumë dhe na befasojnë fjalët e tij, gjë që në asnjë mënyrë nuk e paraqet jetën dhe qëndrimet e tij të mëparshme në çështjen kombëtare dhe ndërfetare te ne shqiptarët. Si duket, shprehjet e vrazhda ishin një çështje mllefi, zemërimi dhe hidhërimi, e mos të themi edhe dëshpërimi, për rrethanat në të cilat ai gjendej në momentin e këtij fjalimi”. Ipeshkvia e Kosovës thekson se nuk i ndan në asnjë mënyre qëndrimet e tilla, të cilat nuk përputhen me besimin e krishterë, si dhe me qëndrimet e Kishës, e as me veprimet e tij të mëparshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›