E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresim Uka, çdo javë në polici

Për një muaj me radhë, çdo të hënë, Shpresim Uka, njëri nga emrat e përmendur nga Nazim Bllaca, i cili veten e ka paraqitur si ish-pjesëtar i SHIK-ut, është i obliguar të paraqitet në stacionin policor Qendra në Prishtinë.

Ky vendim është marrë pasditen e së premtes në një seancë të mbyllur për publik, nga gjykatësi i EULEX-it, Francesko Florit.

Sipas vendimit të gjykatës, Shpresim Uka ngarkohet me akuzën për vrasje të rëndë, vrasje e rëndë në tentativë dhe krim të organizuar.

Avokatja Fehmije Gashi ka konfirmuar masën e caktuar ndaj të mbrojturit saj, Uka. Sipas saj, kjo masë do të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi të ri.

“Vendim i gjykatës është që ai të paraqitet çdo të hënë në ora nëntë në stacionin policor Qendra në Prishtinë, edhe pse unë kam kërkuar që i mbrojturi im të mbrohet tërësisht në liri, meqë nuk ka prova të mjaftueshme për ta akuzuar atë. Kjo do të jetë për një muaj, ku më pas do të shohim se çka do të bëhet”, tha avokatja Gashi.

Lidhur me këtë rast, kërkesa e prokurorit special të EULEX-it ka qenë që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit.

Paraqitja e Shpresim Ukës para gjykatësit ndërkombëtar është bërë një ditë pasi që policia e EULEX-it kishte bastisur shtëpinë e tij. Avokatja mbrojtëse e tij ka mohuar deklaratën e zyrtarëve të EULEX-it, ku është thënë se një person është arrestuar.

Sipas Gashit, pas marrjes së ftesës nga policia, klienti i saj është paraqitur në gjykatë dhe se nuk është arrestuar.

“Nuk është e vërtetë se Shpresim Uka është arrestuar. Ai është paraqitur vetë në polici”, tha avokatja Gashi.

Shpresim Uka është personi i tretë që arrestohet për rastin “Bllaca”.

I pari në muajin nëntor të vitit të kaluar është arrestuar Nazim Bllaca, ndërsa në janar të këtij viti është arrestuar Driton Hajdari.

Në DVD-në e publikuar, Nazim Bllaca kishte deklaruar se urdhrat i kishte marrë nga Shpresim Uka, duke thënë se ky i fundit ka qenë epror i tij.

“Shefi mbi mua ka qenë Shpresim Uka, dhëndër i Azem Sylës dhe kemi punuar në një strukturë vijë vertikale, ashtu siç duhet. Mua lista më ka ardhur nga eprori im, Shpresim Uka. Kam dëshmi për të gjitha, posedoj edhe audio dhe video incizime që janë marramendëse, incizime duke marrë pjesë në aksione. Të gjitha i janë dorëzuar Prokurorisë”, ka thënë Bllaca.

Sipas tij, Shpresim Uka ishte përfshirë në vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe në tentim vrasjet ndaj kryetarit të Podujevës, Agim Veliut dhe ish-zyrtarit të LDK-së në Podujevë, Ejup Visokës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›