Rrëfehet Dritan Dajti: Sajmir Duçkollarin e vrau shoku i tij
Nëse e doni kaq shumë, unë sot do nis hapjen e Kutisë së Pandorës për të gjithë të interesuarit që me padurim po presin për të dëgjuar të vërtetën, Saimir Duçkollarin e ka vrarë një prej kolegëve të tij. Me këtë deklaratë e ka nisur rrëfimin e tij Dritan Dajti, personi më shumë i lakuar ndonjëherë nga mediat në vend, i shëndrruar tashmë edhe në njeriun që ka kërcënuar drejtpërdrejt nga salla e gjyqit trupën gjyqësore. Ashtu siç pritej Dritan Dajti ka vendosur ditën e djeshme gjatë seancës gjyqësore të thyejë heshtjen duke deklaruar të vërtetën sipas tij për vrasjen e 4 oficerëve të skuadrës speciale operacionale më 7 Gusht 2009 në Durrës. Në seancën e kaluar, i Dajti ftoi familjarët e Dëshmorit të Atdheut, Saimir Duçkollari, të vijnë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për të mësuar të vërtetën se kush u vrau të afërmin e tyre, duke lënë të nënkuptohet se nuk është ai ekzekutori i babait të dy fëmijëve. Ndërsa dje ai ka dëshmuar se Duçkollari është vrarë pak metra larg makinës ku ndodhej vetë Dajti dhe se është qëlluar nga një oficer policie koleg i të ndjerit.
Deklarata
Duçkollari u vra pas shpine nga oficeri i policisë F.G, dhe vrasja ndodhi pak metra larg para makinës ku ndodhesha unë. Plumbi e ka përshkruar nga shpina në zemër. Sajmir Duçkollari ishte i veshur civil dhe nuk ishte pjesë e operacionit për arrestimin tim, ka deklaruar Dritan Dajti, i cili ka shpjeguar përpara trupës gjyqësore se këtë fakt e vërteton edhe plani i hartuar nga Arian Muça. Dajti ka shtuar përpos të tjerave se oficeri e ka qëlluar Duçkollarin me armë zjarri tip kallashnikov. Por pretendimet e të pandehurit Dajti janë hedhur poshtë nga ekspertiza që ka dëshmuar se oficerit të policisë Sajmir Duçkollarit i është gjetur një plumb në kokë, që ka dalë nga arma e Dritan Dajtit. Ashtu si të gjitha seancat gjyqësore të mëparshme edhe ditën e djeshme Dajti është larguar nga seanca për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës.
Akuzat e Dajtit
Dajti kishte paralajmëruar se do të fliste për masakrën e rëndë, pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe duket se tashmë është mëse i vendosur të tregojë sipas tij të vërtetën. Gjyqi ndaj Dajtit është futur në ngërç prej afro dy vitesh dhe për mungesë të avokatëve mbrojtës të caktuar kryesisht nga gjykata, nuk zhvillohet, duke u kthyer në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë shqiptare. Dritan Dajti akuzohet se më 7 gusht 2009 ekzekutoi efektivët e policisë Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, pjesë e skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan ta arrestonin të shumë kërkuarin.