E Diel, 1 Nëntor 2026

Luljeta Qerimi: Bëj apel kundër diskriminimit, Bashkia të më japë shtëpi

Njerëz në Udhëkryq

Rubrika më e re e bazuar në histori njerëzore do të vazhdojë edhe këtë javë në Tirana Observer. Personazhe reale që ndihen të pashpresë, që kanë provuar mbi vete, jo vetëm dhunën por edhe skamjen e fëmijëve të tyre, do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës tonë, historitë e tyre, dhunën, skamjen, dhimbjen apo diskriminimin me të cilin këta njerëz janë të destinuar të jetojnë ditë pas dite. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim… janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Sot ishte dikush që se njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë edhe pse vetëm i shkruar është një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla dhe një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive të tilla negative; që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptare…Nëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi.
Sot ne do të publikojmë, dramën e një 39 vjeçareje e cila prej tre muajsh jeton thuajse në qiell të hapur e pastrehë dhe e pashpresë. Luljeta Qerimi nënë e tre fëmijëve në intervistën e saj, rrëfen se si ajo është përzënë në mënyrë të përsëritur vetëm pse ajo vjen nga komuniteti rom nga dyert e Bashkisë së Tiranës, atje ku ka kërkuar ndihmë për tu strehuar. Ndër të tjera 39 vjeçarja rrëfen se ajo kërkon medoemos të gjejë një punë, për të ushqyer fëmijët e saj, por kudo që shkon ndihet e diskriminuar pasi punëmarrësit shprehen se nuk mund të marrin në punë gra rome. Gjatë rrëfimit të saj, Luljeta shprehet se fëmijët e saj me ushqim i mban nëna e saj, por herë pas herë ata mbeten edhe pa ngrënë, pasi 39 vjeçarja nuk ka asnjë të ardhur financiare. Ndodh që fëmijët e mi ti ushqej me ujë e me sheqer, ndaj bëj apel për të më ndihmuar që të punësohem e të mundem të blej të paktën për të ngrënë rrëfen mes lotësh, 39 vjeçarja nga Tirana. Një tjetër apel i 40 vjeçares, i shkon shoqërisë shqiptare dhe institucioneve shtetërore që të mos i diskriminojnë gratë që bëjnë pjesë në komunitetin rom, pasi edhe ato kanë familje dhe të drejta të plota si gjithë njerëzit e tjerë. Nëse edhe ju keni një histori të njëjtë merrni guximin! Denonconi edhe ju diskriminimin apo varfërinë me të cilën përballeni çdo ditë të jetës tuaj. Ju mirëpresim në tiranaobserver@gmail.com.

Historia e 39 vjeçares që jeton e pastrehë prej 3 muajsh

Luljeta Qerimi: Bëj apel kundër
diskriminimit, Bashkia të më japë shtëpi

Nga Arta AGOLLI

Luljeta QerimiPrej tre muajsh ajo jeton në një shtëpi të mbuluar me dërrasa dhe me plasmas, diku në periferi të Tiranës, pas vetes ka tre fëmijë që duan të ushqehen, por që nëna e tyre nuk mund tu japë dot asgjë për shkak të varfërisë ekstreme dhe pamundësisë për tu punësuar për shkak të diskriminimit. Nuk e marrin në punë për shkak të ngjyrës së lëkurës pasi ajo është një grua rome, dhe ashtu si pjesa më e madhe e femrave në këtë komunitet vuan pasojat e veçimit dhe racizmit në mentalitetin e egër shqiptar. Kjo është një pjesë e historisë së një 39 vjeçareje nga Tirana e cila në dallim nga shoqet e saj, ka kryer shkollën e mesme dhe disa kurse për sekretari e kuzhinë. Rrëfimi i Luljeta Qerimit është prekës, madje ai merr përmasa dramatike kur ajo rrëfen se në ditët kur nuk ka me se ti ushqejë fëmijët e saj ata mund të hanë vetëm ujë dhe sheqer. E divorcuar prej gati 13 vitesh ajo jeton me tre fëmijët e saj në varfëri të plotë, dhe e vetmja mundësi shprese për të është vetëm nëna e saj, e cila e mban me ushqim familjen e 39 vjeçares.
Apeli
Ajo ka statusin e të pastrehës dhe shpesh herë ka dashur të aplikojë për strehim në Bashkinë e Tiranës, por është përzënë që aty disa herë edhe me dhunë nga punonjësit e bashkisë. Në lidhje me këtë fakt, Luljeta i bën apel këtij institucioni që ta marrë në konsideratë shqetësimin e saj dhe ti ofrojë një strehë për fëmijët. Kam rreth tre muaj, që paraqitem në Bashki por roja dhe disa punonjës sa më shohin më ofendojnë e nuk më lënë të futem e të shpreh shqetësimin tim, kanë arritur deri atje sa më kanë thënë se për shkak të lëkurës që unë kam nuk mund të futem në bashki, doja ti bëjë një apel të gjithë njerzve që edhe në gratë rome duam të jetojmë, fëmijët tanë janë si fëmijët e tjerë dhe duan të hanë, edhe ne romët kemi shpirt e të drejta shprehet Luljeta ndërsa në duar mban disa gazeta ku ka rrethuar njoftimet për punë. Ndër të tjera 39 vjeçarja shprehet se ajo mund të kryejë një sërë punësh, si ndihmës kuzhiniere, pjatalarëse, pastruese apo edhe sekretare pasi ka kryer edhe një kurs për këtë punë, por e ka të pamundur për tu punësuar pasi kudo që shkon e shohin shtrembër. Diskriminimi
Kudo ku ka pasur kërkesë për vend pune të lirë, kur kam gjetur njoftime në gazetë jam paraqitur dhe askund nuk më marrin, a thua se unë jam kriminele e do tu bëja keq, madje ka pasur pronarë që më kanë marrë në provë një javë e në mënyrë çnjerëzore nuk më kanë paguar shprehet me lot në sy Luljeta ndërsa shpjegon se i duhet një punë patjetër pasi fëmijët e saj nuk mund ti mbajë me ushqim gjithmonë nëna e saj. Ne romët jemi njerëzit më të pafat sepse kudo që shkojmë na diskriminojnë, thotë Luljeta Qerimi. Ajo rrëfen se kërkon patjetër të gjejë një punë madje edhe me orë të gjata, por e ka tepër të vështirë për shkak të diskriminimit. Luljeta bën apel për ndihmë nga të gjitha institucionet shtetërore ose nga organizatat që merren me të drejtat e njeriut. Punëdhënësit nuk ta thonë hapur arsyen përse nuk të marrin në punë, por nga qëndrimi i tyre kuptohet që nuk na kanë me sy të mirë, për shkak të ngjyrës që kemi dhe ky është mëkat i madh shprehet 39-vjeçarja.

39 vjeçarja: Ish bashkëshorti më ka
përjashtuar pa të drejtë nga pasuria
Luljeta Qerimi tregon se nga martesa e saj e parë ka një fëmijë, ndërsa është përjashtuar pa të drejtë nga pasuria ajo dhe fëmija i saj. Ish bashkëshorti im e ka paguar gjyqin me para, djalin e ka nxjerrë jashtë pasurisë dhe unë si e martuar që kam qenë me të sot nuk mund të përfitoj asgjë. Rrëfen 39-vjeçarja, ndërsa deklaron se në lidhje me këtë problem do të hapë një gjyq por pamundësitë ekonomike nuk ia lejojnë këtë gjë. Nëse do të kisha qoftë edhe një dhomë të vogël nga shtëpia kur isha në Delvinë pasi atje kam qenë martuar, do të shkoja të jetoja atje vetëm që mos ti lija fëmijët të flinin jashtë, unë mund të duroj gjithçka por ata janë të pafajshëm e të pambrojtur ndaj në emër të tyre bëj apel për ndihmë shprehet mes lotësh Luljeta, ndërsa thotë se familja e saj e ka martuar që 14 vjeçe pikërisht prej varfërisë, dhe ajo të njëjtën gjë për fëmijët e saj nuk do ta bënte kurrë. Jam martuar shumë e re, dhe kam vuajtur shumë nga ish bashkëshorti, erdhi një moment kur nuk duroja dot më, ndaj ika, dhe për këtë arsye u bëj apel prindërve romë, që mos ti martojnë të reja vajzat sepse ato do të vuajnë aq sa vuajta unë rrëfen Luljeta. Duke mbyllur rrëfimin e jetës së saj, 39 vjeçarja bën apelin e fundit për Bashkinë e Tiranës, zyrën e punës dhe çdo institucion tjetër shtetëror që ka mundësi ta ndihmojë për tu punësuar e për të mos u ndjerë e diskriminuar nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›