E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfehet Konte: Kam lindur për të qenë një trajner

Pak ditë pas fitores zyrtare të titullit kampion, trajneri Antonio Konte është rrëfyer për mediat italiane në një intervistë, përveç futbollit dhe punës së tij si trajner, ka folur për jetën e tij çdo ditë dhe zbulon një prapaskenë shumë kurioze.
Intervista
“Nuk kam menduar asnjëherë se jam një lojtar i madh, ka folur trajneri i sapo shpallur kampion Italie, ndërkohë që kam ditur që do të bëhesha një trajner. Që në periudhën kur ndodhesha te Leçe dhe luaja për të rinjtë dhe në të njëjtën kohë drejtoja skuadrën e vëllai tim. Ishte një zë brenda vetes time. Jam sjellë për të dhënë disa këshilla. Një metodë. Të drejtoj skuadrën. Të marr vendime në momente delikate”. Ndërmjet personave që kanë qenë fondamentalë në rritjen e tij sportive si lojtar ai kujton “Trapatonin. Ka qenë një baba për mua. Ka kuptuar shumë mirë vështirësitë e mia. Qëndronte pas çdo seance stërvitore për të përmirësuar teknikën”. Duke u kthyer mbrapa dhe duke kujtuar kur kanë filluar të qarkullojnë legjenda për të, sipas të cilave ishte i vdekur ose me karrocë i paralizuar ai kujton: “Ka keqdashje. Unë kam qenë kapiteni i Juventusit. Për më tepër, shtatë vite më parë, ndodhi dhe skandali i dopingut. Kanë thënë shumë gjëra për Vialin, Torriçelin. Nuk ishte një sulm personal. Por, si zakonisht, për skuadrën. Viti i pauzës, kur jam larguar, ka qenë edhe periudha më e keqe e jetës time”.
Akuzat e reja
Dhe në lidhje me akuzat e reja për skandalin e basteve që e kanë përfshirë këto muajt e fundit ka përsëritur: “Keqdashje absolute. Unë dua që lojtarët e mi të japin maksimumin. Në një lojë të pilotuar kjo nuk do të kishte ndodhur. Edhe në Siena. Kemi pasur një sezon triumfues, duke e mbyllur çështjen e ngjitjes në Serinë pesë javë përpara kohe. Asnjë nuk mund të prishë marrëdhënien e bukur që kam pasur me lojtarët dhe me Sienën si qytet. Nuk duhet të mbrohem. Jam shumë i qetë dhe është e drejtë, që kush është duke hetuar të vazhdojë të bëjë hetimin që ka nisur”.
Del Piero dhe Alegri
Duke folur për Del Pieron, drejtuesi bardhezi nuk ka asnjë dyshim: “Aleks është një kampion që më ka dhënë shumë. Jashtë dhe brenda fushës së lojës. Është sjellë shumë mirë, por edhe në këtë sezon është duke marrë kënaqësi të mëdha. Unë nuk kam kryer asnjëherë një zgjedhje për çështje moshe, por në bazë të asaj që unë shikoj gjatë javës, që mendoj se mund të japë lojtari dhe sigurisht për të fituar”. Në javët e fundit e ka mërzitur, “duke dëgjuar gjithmonë të njëjtat gjëra nga Alegri. Siç ishte episodi i Muntarit. Të njëjtat polemika. Shpesh herë me dëshirë të instrumentalizuara”.
Ulërimat dhe jeta jashtë fushe
Mbi faktin që bërtet në mënyrë të vazhdueshme gjatë ndeshjes komenton: “Unë nuk bërtas. Kërkoj të dëgjohem. Dhe në mes të 60 mijë njerëzve nuk është aspak e lehtë. Është një kontakt i vazhdueshëm me lojtarët e mi, duhet të më dëgjojnë. Duhet të dinë që jam gjithmonë me ta”. Në lidhje me jetën e tij jashtë fushës së lojës tregon: “Futbolli është një fiksim. Shkoj në shtëpi dhe kam televizorin ndezur. Përveç futbollit, lexoj. Lexoj histori të njerëzve të mëdhenj. Për ata që kanë bërë historinë. Më duhet për të shtuar bagazhin e motivacioneve”, ndërkohë që në temën e gjesteve fatsjellëse ose ritualëve përgjigjet: “Jam një besimtar praktikant. Që fëmijë kam qenë i tillë. Bëj shenjën e kryqit përpara se të ushqehem. Falenderoj gjithmonë Zotin për atë që më ka dhënë”. Në fund e ka mbyllur në lidhje me objektivat në terma afatgjatë: “Dëshiroj të vazhdoj të rritem, të çudis veten time dhe të tjerët. Juventusi nuk është një pikëmbërritje. Gjithçka për mua është një pikënisje”.

Juventus vendos yllin e tretë
Ashtu siç kishte paralajmëruar presidenti Andrea Agnelli, ende pa u shpallur kampionë të Italisë, skuadra e Juventusit vendos yllin e saj të tretë, që korrespondon me 30 kampionate të fituara, në fushë sipas klubit sportiv torinez. Në zyrat qendrore të Juventusit në rrugën Galileo Ferraris në Torino, nga dita e mërkurë, valëvitet flamuri i ri i bardhezinjve, me 3 yje dhe me numrin 30, që korrespondon me numrin e kampionateve të fituara që pretendojnë drejtuesit, por dhe tifozët e Zonjës së Vjetër. Për federatën italiane të futbollit, titulli i fituar këtë sezon për Juventusin, është i 28-ti, pasi kampionati i 2005 u anulua ndërsa titulli i 2006-s iu dorëzua në tavolinë Interit pas shpërthimit të skandalit Calciopoli. Megjithatë, federata smund ti ndalë bardhezinjtë nga vendosja e yllit të tretë, pasi për këtë nuk ka asnjë rregull që e bën. Tradita e vendosjes së yjeve në fanellë dhe flamurin e skuadrave, ka lindur në vitet 50 të shekullit të kaluar, kur presidenti i atëhershëm i bardhezinjve, Gianni Agnelli, pas fitores së titullit të 10-të në kampionatin italian, vendosi një yll në fanellë. Praktika u ndoq edhe nga skuadra të tjera në Serinë A.

Përforcimi i parë i Milanit
Mungon ende zyrtarizimi, por Bakaye Traore është lojtari i ri i Milanit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë mesfushori nga Mali për mediat franceze. Kam firmosur një kontratë 3-vjeçare dhe nuk kam frikë nga konkurrenca në një ekip të madh si Milani, theksoi Traore për Radio Info. 27-vjeçari do të mbërrijë në klubin kuqezi me parametra zero sepse kontrata e tij me Nancy skadon në përfundim të këtij sezoni. Është një ëndërr që realizohet. Kisha oferta të tjera, por Milani është unik dhe më kërkonin me patjetër, thekson Traore. Futbollisti kërkohej nga Marseille, Newcastle dhe Aston Villa. Mesfushori ka një gjuajtje të mirë dhe në tetë takimet e fundit ka shënuar 5 gola.

Roma, Luis Enrique do të largohet
Luis Enrique do të largohet! Ky është titulli i Corriere dello Sport, gazeta që jep lajmin se tekniku spanjoll i Romës ka marrë vendimin për tu larguar në fund të sezonit nga klubi kryeqytetas dhe njoftimi zyrtar do të jepet ditën e hënë. Luis Enrique po mendohej për të ardhmen e tij dhe kishte shumë mundësi që të vazhdonte aventurën italiane duke marrë parasysh besimin që kishin tek ai drejtuesit dhe lojtarët verdhekuq, por në fund ka vendosur të largohet pasi nuk arriti një vend as në Ligën e Europës për sezonin e ardhshëm. Sipas kësaj gazete, në vendimin e Luis Enrique ka ndikuar stresi i futbollit italian dhe jo pakënaqësia e tifozëve. Emrat e zëvendësuesve të mundshëm të spanjollit janë portugezi Andre Villas-Boas dhe ish-futbollisti i Romës dhe trajneri aktual i Catania, Vincenzo Montella.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›