E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet Yllka Mujo: Jam e kënaqur me rolet e nënave

Beatris, Frida Frest, Xhemi, Filumena Marturano...Janë katër personazhe femra, të ngjashme po aq sa të ndryshme, të cilave Yllka Mujo u ka dhënë zë. Në më shumë se një vit e gjysmë ka jetuar me to. Në këtë ngërthim zbulimesh, marrjesh e dhëniesh, ka përjetuar një periudhë intensive aktrimi. Ka provuar të jetë një grua shtëpie te "Pamje nga ura" e Millerit, një Frida Frest që ka pranuar kompromisin e një drejtori banke për të joshur klientët në këmbim të parave te "Franku i pestë", një pronare vajzash që prostituojnë në "Poshtëpërpjetat e dashurisë" dhe së fundmi një Filumena Marturano, një ish-prostitutë që lufton për fëmijët, për dashurinë, për familjen. "Nuk i kërkoj unë rolet, më janë propozuar. Gjithçka varet nga veprat që zgjidhen dhe nga regjisorët. Personazhet e realizuara së fundmi i kam pranuar për karakteristikat e tyre të veçanta dhe të ndryshme. Kanë qenë figura të bukura femrash që më kanë tërhequr për t‘i interpretuar". Mbrëmjeve vazhdon të jetë Filumena Marturano, një heroinë, siç Mujo e quan, një figurë që tenton të ndryshojë mentalitetin e një shoqërie të caktuar. Ajo është gruaja që nuk heq dorë nga qëllimet. Ndërsa paraditeve është ulur sërish në sallën e provave. Për një tjetër personazh. Një nënë nga Tenes Williams. Së jashtmi duket se një "grindje" personazhesh do shpërthejë. Por Mujo shprehet e qetë për këtë anë. Eksperienca bën që t‘i menaxhojë mirë rolet. Këto mendime do t‘i përkisnin vajzës së re, asaj që ngjitej në skena festivalesh e studionte për kanto, teksa teatri ishte instinkt që e thërriste së brendshmi. Por ishte filmi që do ta hidhte në rrugën e pakthyeshme të aktores. Pikërisht roli i Almës në "I teti në bronz" me regjisorin e ndjerë Viktor Gjika. Tashmë, kur ka kaluar më shumë se gjysmën e karrierës, personazhet e Yllka Mujos janë një laborator që dëshmojnë procesin krijues të aktores. Një galeri që vazhdon të pasurohet, ndonëse në vend të vajzave të reja, vajzave lozonjare, shpërfaqen botë të mëdha e të ndërlikuara femërore. "E kam kënaqësi që më kanë ardhur rolet e nënave. Mosha bën të vetëm, unë nuk jam më vajzë e re dhe do të ishte gabim të mendoja ndryshe. Të jesh nënë, përveç sakrificave, mundit, lodhjes, ndonjëherë edhe deprimimit, është kënaqësi e jashtëzakonshme. Për më tepër, që të ndihmojnë të përsosesh edhe vet si nënë", shprehet aktorja, së cilës përtej skenës, në jetën reale, i është dashur të përkujdeset për dy fëmijë, Elia dhe Amos. Në udhëtimin ku ajo beson se është rritur me ta, duket se ata kanë marrë nga pasioni i saj. Të dy kanë provuar të aktrojnë. "Për çdo prind, fëmija është dashuria më e madhe. Të gjithë njerëzit kanë mënyrat e tyre për të edukuar fëmijët. Unë i kam edukuar me dashuri. Edhe i kam kontrolluar, kam qenë e shqetësuar dhe vazhdoj akoma të shqetësohem, por nuk i kam tronditur me të folurën egër dhe të ashpër. Ata e kuptojnë që kanë të bëjnë me një nënë aktore. E dinë kur kam shqetësime pune dhe janë treguar tolerantë. Deri tani jemi tri miq, nuk i fshehim gjë njëri-tjetrit. Bëjmë biseda filozofike, bëjmë humor, jemi sa të rritur aq edhe foshnje", shprehet Mujo. E teksa shikon hapat e parë të fëmijëve të saj, por edhe të aktorëve të rinj, natyrshëm bën një paralelizëm në kohë. Njëkohësisht edhe dallimin e brezave. Shprehet se dikur, ata kanë punuar me shumë përkushtim. Synimi i vetëm ishte teatri dhe ata përqendronin gjithë energjitë për të arritur atje. "Kohët kanë ndryshuar dhe të rinjtë sot i marrin gjërat më lehtë. Kanë shumë interesa njëkohësisht dhe po kështu i shpërndajnë energjitë. Por kjo ndoshta vjen edhe ngaqë aktrimi ende nuk u është kthyer në një domosdoshmëri", shprehet ajo. Ndërsa vet, është ende në kërkim të pasurimit të shumësisë së karaktereve, botës psikologjike dhe fizike që ka gjetur në personazhet e saj. Ka shumë role që do ende t‘i luajë. "Dramaturgjia është e jashtëzakonshme, mjafton të kërkosh dhe gjen role pa fund që do të doja t‘i bëja. Filumena është një prej atyre që do ta dëshironte çdo aktore. E pata unë shansin ta interpretoja", shprehet ajo, teksa këtu nuk mund të mos bëhet lidhja me politikat kulturore që domosdoshmërisht, në zinxhirin krijues përcaktojnë edhe mundësitë që u jepen aktorëve. Mungesa e financimeve, trupave private, e një teatri tjetër e rrjedhimisht edhe e konkurrencës, janë disa nga problemet që rreshton Mujo. Gjithsesi, në këto role që i ofrohen, ende mungon personazhi shqiptar. "Në dramaturgjinë shqiptare ende nuk po na del një dramaturgji e mirëfilltë që të godasë. Shkruhen disa lloj komedish apo ka një tendencë për të shkruar ndonjë monodramë, por nuk kemi parë ndonjë pjesë të arrirë. ‘Streha e të harruarve‘, një dramë e thellë sociale, u vu disa vite më parë, por duket se zhvillimi i dramës kombëtare ka shkuar në kah të kundërt. Mund të veçohet Stefan Çapaliku, i cili nuk sjell thjesht një vepër, por një subjekt mbi të cilin mendohet", thekson aktorja. Galerisë së saj të personazheve i mungon ende personazhi i monodramës. Shprehet se po të gjente diçka të përshtatshme do ta interpretonte, por deri më tani nuk ka ndodhur. "Dikur kam pasur një projekt me Fadil Hysën, ‘Zëri njerëzor‘, një monodramë tronditëse me të cilën punuam, por nuk arritëm ta shfaqim. Ishte koha kur ministri i atëhershëm i Kulturës, Edi Rama, u zëvendësua nga Esmeralda Uruçi, e cila e anuloi këtë projekt, kush e di për çfarë arsyesh. Nëse ndonjëherë do të më joshë ndonjë monodramë, pa dyshim që do ta bëj". Këto kohë, ditët e Yllka Mujos janë të mbushura pothuajse me aktrim, por ndodh që të ketë edhe periudha të gjata pushimi, të cilat kur zgjaten përbëjnë një rrezikshmëri për aktorin. Ndonëse duket se për të është koha e artë e teatrit, ajo nuk është distancuar nga filmi. Përvoja e fundit është xhirimi në filmin "Muaj mjalti", me regjisorin serb Goran Paskaljeviç, i cili ende nuk është shfaqur premierë. E konsideron si një përvojë me një regjisor, i cili të ofronte për të mësuar jo vetëm nga ana profesionale, por edhe nga etika njerëzore dhe e punës. "Nuk bërtiti kurrë, nuk bëri asnjë gjest të shëmtuar. E nuhaste nga larg se me çfarë aktori kishte të bënte dhe e çonte rolin atje ku atij i përshtatej", shprehet Mujo. Në teatër ende nuk i është dhënë mundësia të punojë me regjisorë të huaj. Por përtej kësaj, për të, thirrja më e madhe duhet t‘i drejtohet menaxhimit të kulturës në vend, që një ditë të mos themi: na ishte njëherë një teatër, na ishin njëherë ca aktorë, na ishin njëherë regjisorë....



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›