Remzi Hoxha, shtyhet gjyqi për dëshmitarët
TIRANE – Mungesa e dëshmitarëve çoi në dështimin e seancës së djeshme në ngarkim të funksionarëve të Shërbimit Sekret, të pandehur të dosjes “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ndërsa njëri nga avokatët kërkoi riformulimin e disa prej pyetjeve të prokurorisë, që do t’i dërgohen me letërporosi dëshmitarit Avdyl Loshaj. Në seancën e djeshme gjykata e pa si të pamundur vijimin e seancës, pasi asnjë nga dëshmitarët nuk ishte paraqitur. Ndërkohë, përfaqësuesi i prokurorisë saktësoi për gjykatën adresën e dëshmitarit Riza Shehu, ish-punonjës në SHIK. Mësohet se adresa që zotëronte gjykata ishte e një personi tjetër me të njëjtin emër-mbiemër. Po dje avokati Vojo Bregu, paraqiti përpara gjykatës një memo ku kundërshtonte disa prej pyetjeve të përgatitura nga ana e prokurorisë për Avdyl Loshajn. Duke cituar numrat përkatës të pyetjeve, avokati pohoi se: “Ato duhet të riformulohen, pasi janë pyetje që i sugjestionojnë përgjigjen dëshmitarit”. Pak seanca më parë Gjykata për Krimet e Rënda vendosi që pyetja e Avdyl Loshajt në Holandë, dëshmitarit “kyç” të procesit të realizohet nëpërmjet letërporosive. ar.ba