E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfim për kaosin e një shoqërie të dalë nga diktatura

Botimi Promovohet sot në mbrëmje romani “Bibollasit” i autorit Ramiz Gjini

Promovohet nesër në mbrëmje në ambientet e librarisë e “Për7me” në Tiranë, romani “Bibollasit” i autorit Ramiz Gjini. I njohur dhe i konfirmuar prej kohësh si një ndër mjeshtrit e padiskutueshëm të prozës sonë të shkurtër bashkëkohore (për çka flet dhe interesimi i përkthyesve të huaj, me botimin e përmbledhjes së zgjedhur me tregime në rumanisht, "Atdheu prej dëbore", nga përkthyesi i njohur Marius Dobresku), Ramiz Gjini ka kaluar në lëvrimin e prozës së gjatë. Romani "Bibollasit" përbën dylogjinë satirike të "Bibollit", një toponim alegorik i Shqipërisë postkomuniste dhe është vazhdim i romanit të mëparshëm "Rrëketë". Situatat dhe skenat e shumta komike në romanin "Bibollasit" përshkohen nga humori i zi, absurd, plot elemente fantastike e demonologjike, duke krijuar një strukturë shumështresore dinamike të një rrëfimi të gjallë e sugjestionues. është një roman që përfshin universalet absurde, nonsensin e përditshmërisë, kaosin psikologjik të një shoqërie të dalë nga diktatura. Afresku rrëfimor të rrëmben me një galeri tipash naivë, megalomanë, mashtrues, simulakër e psikopatë, por që secili bart të vërtetën e tij. Përmes këtij vëllimi, autori na zbulon diavoliadën shqiptare të kaosit individual e shoqëror. Edhe pse personazhet janë thuajse të gjithë negativë, antiepikë e kontradiktorë, këta antiheronj janë përshkruar me dhimbje, përvuajtje e dashuri, një karakteristikë e hershme që i dallon të gjitha krijimet e Ramiz Gjinit. Ky është romani i fundit i Ramiz Gjinit, i botuar nga botimet "MB" dhe vjen pas vëllimeve me tregime "Dush varrezash", "Këpucët e të tjerëve mbi trotuar", "Atdheu prej dëbore", "Mendjet e njerëzve", "Rrëfime në hije" dhe romani "Rrëketë”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›