Gërdeci, Delijorgji dhe Pinari: Na lironi, mbaruan afatet e paraburgimit
Dy të akuzuarit kryesorë si shkaktarë të tragjedisë së Gërdecit, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji, kanë kërkuar të lirohen nga burgu me arsyetimin se kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Ish-drejtori i kompanisë së shitblerjes së armëve, MEICO, dhe pronari i kompanisë “AlbaDemil”, pretendojnë se ka skaduar çdo afat paraburgimi dhe kanë kaluar 16 muaj dhe ende nuk ka për ta një vendim gjykate. Kërkesat janë depozituar në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Tiranës nga avokatët e të pandehurve. Pas këtij pretendimi, menjëherë kanë reaguar prokurorët, sipas të cilëve afati i paraburgimit nis në kohën kur mbërrin dosja hetimore në gjykatë. Kodi i Procedurës Penale në nenin 263 thotë shprehimisht se “paraburgimi e humbet fuqinë në rast se pas dorëzimit të akteve në gjykatë kanë kaluar 12 muaj pa u dhënë një vendim nga Shkalla e Parë për krime, që dënohen jo më pak se dhjetë vjet apo me burgim të përjetshëm”.
Dosja e tragjedisë së Gërdecit kaloi një odise disamujore derisa përfundoi në duart e Kolegjit Penal të Gjykatës së Tiranës, Ridvan Hado, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari. Plot një vit pas tragjedisë së Gërdecit, prokuroria dorëzoi aktet në Gjykatën e Lartë, ku mes 29 të pandehurve kishte nën akuzë edhe ish-ministrin Fatmir Mediu. Gjykata e Lartë mbajti vetëm Fatmir Mediun, ndërsa 28 të tjerët ia kaloi gjykatës së kryeqytetit. Dosja u regjistrua në mes të muajit qershor 2009 dhe sipas llogarive kanë kaluar plot 12 muaj dhe gjykata nuk ka arritur të shprehet me vendim.
ProcesiNë seancën e djeshme gjyqësore, Maks Haxhia, avokati i Mihal Delijorgjit, administrator i fabrikës së çmontimit të municioneve luftarake, “AlbaDemil”, kërkoi lirimin e klientit të tij nën pretendimin se kanë skaduar afatet e paraburgimit. “Ka kaluar 1 vit e 4 muaj dhe nuk ka një vendim gjykate. Paraburgimi ka humbur fuqinë ligjore”, tha Haxhia në seancën gjyqësore për këtë çështje. Pas kërkesës së Haxhisë, ka vijuar ajo e Bashkim Asllanit, avokat i Ylli Pinarit, që së bashku me Delijorgjin ndodhen në pranga për tragjedinë e Gërdecit. “Ka skaduar afati edhe për Pinarin”, tha ai. Pretendimet e dy avokatëve sollën reagimin e menjëhershëm të prokurorëve të çështjes. Prokuroria kërkoi nga trupi gjykues mosmarrjen parasysh të kërkesës së avokatëve. “Afatet e paraburgimit nisin kur mbërrin dosja në gjykatë”, tha prokurori. Debatet prokurorë-avokatë përfshinë disa minuta sallën, ku pati dhe thirrje nga të pranishmit në seancë, familjarë të viktimave. Pas kësaj situate, trupi gjykues vendosi gjysmë ore pushim për të marrë një vendim. Pas konsultave jashtë sallës, trupi gjykues pas kthimit në sallë për të vazhduar seancën vendosi që për këtë çështje do të shprehet seancën e radhës. Kryetari i trupit gjykues, Ridvan Hado, tha se është e pamundur të bëhen llogaritjet sot (dje) sipas kërkesës së avokatëve. “Janë bërë rreth 70 seanca dhe meqë është e pamundur të bëhen përllogaritjet brenda një dite, për kërkesën e avokatëve do shprehemi seancën e ardhshme”, tha Hado.
DëshmitarëtProcesi gjyqësor vijoi me pyetjen e dëshmitarëve dhe palët në proces verifikuan edhe dëshmitarët që ishin paraqitur. Në seancë ishte thirrur edhe biznesmeni Rrahman Selmanllari, mik i ngushtë i familjes së Kryeministrit. Pas verifikimeve paraprake, rezultoi se Selmanllari nuk ishte paraqitur dhe u vendos që këtij dëshmitari t’i përsëritej ftesa për në gjykatë. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi që të thërrasë edhe 11 dëshmitarë të tjerë në seancën tjetër të radhës, për shkak se munguan në seancën e djeshme. Seanca e radhës u caktua të premten më 23 korrik.
#