E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimet e një kapiteni

Fytyra të dëshpëruara, rreth 20 mijë. I vetmi mjet shpëtimi, anija "Vlora", e cila u pagëzua anija e shpëtimit dhe e lirisë. E asaj lirie që Shqipërisë i ishte mohuar prej regjimit komunist. Më 8 gusht të vitit 1991, Bari në Itali u kthye në protagonistin e eksodit më të madh në historinë e vendit.

Kushedi çmendonin ata 20 mijë shqiptarë atë ditë gjatë orëve të gjata të udhëtimit, të kaluara mes frikës, detit... e asgjësë. Kushedi çmendonin për Italinë.

Me vete kishin marrë vetëm dëshirën për t‘ia nisur nga e para, për të jetuar e për të ëndërruar sërish.

Ata që ishin aty nuk mund ta harrojnë atë ditë, jo vetëm shqiptarët, por edhe barezët. I tillë është rasti i Nicola Montano-s, në atë kohë inspektor, shef policie, i cili gjendej në krye të Portit të Barit. Ishte ndër të parët që priti shqiptarët, që u përball me dëshpërimin dhe gëzimin e tyre. Nicola, së bashku me regjisorin Angelo Amoroso D‘Aragona, janë duke përgatitur një film dokumentar në lidhje me eksodin e 8 gushtit. Kjo ngjarje i ka bashkuar. Së bashku kanë takuar një numër të madh dëshmitarësh, madje gjatë muajit shtator kanë qenë edhe në Shqipëri. Kanë ndërmend të sjellin fakte të reja, të tregojnë atë pjesë që nuk doli dot në sipërfaqe para 17 vjetësh. Nicola ndërkohë është duke menduar të shkruajë edhe një libër ku të rrëfejë dëshminë e tij.

Nicola, si e keni njohur Shqipërinë?

Unë gjithnjë e kam njohur Shqipërinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, im atë ka qëndruar në Durrës. Ai gjithnjë më tregonte për periudhën kur ka qëndruar në vendin tuaj, ku qëndroi si mysafir në një familje shumë të mirë shqiptare, e cila e trajtonte sikur ta kishte fëmijë.

Para eksodit të madh të vitit 1991, çfarë dinit për Shqipërinë?

E dija se ishte një vend i vogël dhe i mbyllur për shkak të regjimit, vend i cili ishte i vështirë ose i pamundur për t‘u vizituar. Isha në dijeni se regjimi komunist kishte izoluar vendin nga pjesa tjetër e botës. Ndër të tjera, kisha dëgjuar nga ata italianë që kishin qenë në Shqipëri se vendi juaj ishte tepër i varfër.

Cili ishte pozicioni juaj gjatë kohës që punonit në port?

Unë isha inspektor policie. Isha në shërbim në portin dhe në aeroportin e Barit.

Ju jeni një nga dëshmitarët e parë të ardhjes së shqiptarëve në Bari. Cilat janë përshtypjet tuaja të para, kur ju njoftuan për mbërritjen e tyre?

Para se t‘i përgjigjem kësaj pyetjeje, mendoj se është e nevojshme të them diçka. Gjatë eksodit të marsit ‘91, nuk punoja në port, por në aeroport. Le të themi që atë nuk e kam përjetuar kaq shumë, ndërsa në muajin gusht, shërbeja në port, pasi zëvendësoja shefin që kishte shkuar me pushime. E dija se qeveria italiane, për shqiptarët e mbërritur në mars dhe që nuk kishin gjetur ende një punë e një shtëpi, kishte vendosur një ligj për t‘i riatdhesuar. Ligji, megjithatë, nuk u zbatua asnjëherë, për t‘i dhënë mundësi shqiptarëve (rreth 25000) të ardhur në mars, që të mund të qëndronin në Itali.

Unë e mora shërbimin në port më 1 gusht e me të mbërritur, shefi im më tha që të tregohesha i kujdesshëm, pasi ishte sinjalizuar një ardhje tjetër e shqiptarëve. Porti i Barit në ato ditë ishte plot me turistë që vinin nga Greqia dhe iknin po aty. Trafiku ishte shtuar së tepërmi, sepse shumë emigrantë turq, që vinin nga Evropa Veriore, preferonin të kalonin nga Bari për të shmangur kalimin nga Jugosllavia, e cila në atë kohë ishte në luftë.

Mëngjesin e 8 gushtit ‘91, rreth orës 4:00, dikush më telefonoi duke më thënë se një anije shqiptare me shumë emigrantë në bord kishte kaluar Brindizin dhe po i drejtohej Barit. Menjëherë u drejtova nga porti për ta pritur. Ishte anije "Vlora".

Ju thoni se ardhja e shqiptarëve në vitin 1991 në Itali është një fakt historik, përse?

Unë besoj se i tillë është. Anija "Vlora" me 18 mijë shqiptarë në bord, përveçse u kthye në një farë mënyre në një simbol të emigracionit, ishte edhe ngjarja me të cilën u shënua një kthesë për Shqipërinë, që nëpërmjet kësaj anijeje, simbolikisht u hap ndaj Perëndimit. Kjo ardhje, ky eksod, i dha mundësinë shqiptarëve të dilnin nga territori i tyre pas dekadash "errësire", e në të njëjtën kohë i dha mundësinë edhe të huajve të shihnin Shqipërinë e vogël e të izoluar deri në atë kohë. Pas kësaj filloi edhe linja e pasagjerëve nga Bari në Durrës dhe e anasjella. Nisi në këtë mënyrë edhe trafiku i rregullt jo vetëm i pasagjerëve, por edhe trafiku komercial, edhe ai kriminal... por kjo është një histori më vete.

A ju kujtohen detaje nga anija, njerëzit? Çfarë mendonit e ndienit në ato çaste?

Anijen "Vlora" munda ta shihja për herë të parë rreth orës 9:00-9:30 të 8 gushtit 1991. U ngjita në digën e Portit të Barit. Mbeta me gojë hapur. As që e kisha imagjinuar ndonjëherë diçka të tillë. Ajo çfarë sytë më shihnin në ato çaste ishte e paimagjinueshme. Njerëzit ishin ngado në anije, kishin hipur deri tek antenat, te radari... çdo cep i anijes ishte i mbushur me njerëz. Shkallët e anijes ishin thyer. Vazhdoja të shihja e nuk u besoja dot syve, ajo që po ndodhte ishte e jashtëzakonshme, unike. Absolutisht e padëgjuar ndonjëherë, për mua të paktën. Burra, gra e fëmijë ishin ngjeshur në anije si sardele.

"Vlora" shoqërohej nga anija ushtarake italiane "Euro", e cila kishte për detyrë që të ndalonte hyrjen e "Vlorës" në port. Anija ushtarake dukej sikur kërcente rreth "Vlorës". Në një moment më vonë pashë anijen ushtarake të mos lëvizte më, të largohej për t‘i dhënë mundësi "Vlorës" që të hynte në port. Unë isha pak metra larg së bashku me një tjetër agjent. Kur anija më kaloi përpara, shqiptarët në bord më panë dhe filluan të bërtisnin prej gëzimit. Ngrinin krahët dhe dy gishta lart. Ishin të lumtur që kishin mbërritur në Itali. "Italia, Italia" bërtisnin. Më dukej sikur isha në një stadium ku luante Kombëtarja e futbollit. Por këtu tifozët nuk ishin italianë, ishin shqiptarë. Kur anija hyri në port dhe nuk mund të manovronte më, sepse kishte avari, pashë një djalosh që u hodh në ujë. Menjëherë më pas edhe të tjerë shqiptarë e ndoqën pas dhe në pak kohë ujërat e Portit të Barit u pushtuan nga zhytësit shqiptarë. Ata djem, ndërsa zhyteshin në ujë, humbisnin veshjet dhe mbeteshin vetëm me të mbathura. Pastaj vinin motovedetat që i nxirrnin nga uji, ose ata vinin me not deri pranë portit ku unë, së bashku me kolegët e tjerë, i ndihmonim të ngjiteshin. Ata ishin të lumtur dhe të buzëqeshur.

A mund të na tregoni ndonjë detaj më shumë, çfarë të bëri përshtypje te këta njerëz?

Ajo që më shumë më goditi, ishte solidariteti mes fëmijëve, sepse kishte shumë fëmijë që zbarkuan nga anija. Ishin si të topitur prej diellit, disave u kishte rënë të fikët prej etjes e urisë dhe ndihmonin njëri-tjetrin, i shikoja që i merrnin dhe në krahë.

Kujtoj që i dhashë për të pirë një grupi fëmijësh që nuk guxonin t‘i afroheshin autobotit të ujit, sepse më të rriturit i kishin zënë të gjitha rubinetet. Për t‘u dhënë fëmijëve ujë, m‘u desh të shtyja me forcë atë grup të madh njerëzish, duke rrëzuar shumë prej tyre përtokë.

Çfarë mendonit për ata shqiptarë?

Unë nuk arrija të kuptoja gëzimin e tyre. Nuk e kuptoja entuziazmin e tyre, sidomos pasi qeveria italiane kishte marrë vendimin që të riatdhesonte shqiptarët që kishin ardhur në muajin mars. Unë mendoja se ata e kishin marrë këtë lajm prej televizionit.

Po me regjisorin Angelo Amoroso D‘Aragona, i cili po bën një dokumentar në lidhje me eksodin e 8 gushtit 1991, si jeni njohur?

Angelo ka marrë përsipër që të bëjë një film dokumentar dhe ishte në kërkim të dëshmitarëve. Kështu më gjeti edhe mua. Kjo na ka lidhur më shumë me njëri-tjetrin. Së bashku ishim në Shqipëri nga data 2-4 shtator, për të takuar në Durrës komandantin e anijes "Vlora". Angelo për dokumentarin, kurse unë për librin tim, për të cilin nuk dua të flas shumë deri sa të kaloj në diçka më konkrete. Komandanti ishte një njeri shumë i mirë, i cili diti të drejtonte anijen në ato kushte dhe t‘i shpëtonte të gjithë ata njerëz.

Përse jeni kaq i interesuar për këtë aventurë?

Për shkak të dokumentarit, e librit që kam ndërmend të shkruaj, ndoshta edhe për të nxjerrë në dritë fakte që në ato kohë nuk ishin kaq në sipërfaqe.

A keni takuar ish-klandestinë të asaj periudhe? Si ju duken ata tani?

Sigurisht që kanë ndryshuar shumë dhe kështu duhet të ndodhë në fakt. Gjatë rrugës së kthimit në Itali, së bashku me Angelo-n takuam njërin prej tyre. Kur erdhi në Bari me "Vlorën", ai ishte 19 vjeç. Ndërsa tani ka një familje të bukur, jeton në Firence ku edhe ka blerë një shtëpi. Udhëtimin e tij me "Vlorën", ai e quan si një aventurë djaloshare, kështu e konsiderojnë shumë prej shqiptarëve.

Sipas jush çfarë ka ndryshuar në vendin tuaj pas ardhjes së emigrantëve?

Unë mendoj se pas ‘91-shit, mediat italiane kontribuuan në krijimin e një stereotipi të "shqiptarëve kriminelë". Sigurisht që ka edhe të tillë, por jo të gjithë. Mjaftonte të shihje trafikun e pasagjerëve shqiptarë që kalonin nga Porti i Barit për të kuptuar se pjesa më e madhe e tyre ishin familjarë. Unë mendoj se tashmë shqiptarët kanë ndryshuar shumë. Ata janë integruar më së miri me kulturën italiane. Kjo është një gjë e mirë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›