E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrefimi, Zyhdi Morava:Si i përjetova ditëte burgimit në Itali

TIRANE-Morava përpak sa nuk e përpinë greminat e lirisë kur e burgosën në Itali sepse i gjetën në makinën e blerë në Austri një sasi të madhe droge. E arrestuan në qytetin e Bolxanos e pas kësaj e burgosën në Milano në burgun e San Paolos. “Ishte fat për mua që më kapën dhe më arrestuan,- më tregoi kur më erdhi në shtëpi për vizitë pasi e liruan nga burgu,- se po të mos më kishin arrestuar policët atëherë diku në ndonjë përrua do t‘më dilnin banditët do t’më kishin vrarë e do të merrnin drogën”. Drogën ja kishin vënë në një nga serviset e qytetit të Vjenës kur kishte vajtur të shikonte motorrin që nuk i punonte mirë. Burgimi i tij në Itali ishte një alibi, ishte alibija e një bohemi që e ndjekin peripecitë e të pa priturat që janë tmerrësisht tragjike, rrëqethëse e drithëruese se i vetmi ngushëllim që të mbetet është vdekja se nuk durohen më dhimbjet e sëmundjes dhe malli për të dashurit kur zemra e lodhur të sëmbon aq shumë. “E megjithatë, ai, burgu i Milanos pati një të mirë për mua,- më tregoi duke vënë buzën në gaz,- aty kishte një spital të mrekullueshëm që as në ëndërr nuk e kam parë. Sa herë që më shtrojnë në spitalin e Tiranës sapo fut këmbët aty dua të dal sa më parë nga pisllëku dhe rrëmuja. çfarë pastërtije, çfar ushqimi, çfar mjekësh e infermjerësh të sjellshëm e me xhentilensë. Aty më kuruan si nuk ka më mirë e falas madje. Mbase nuk do të besohet por unë aty kam ndjerë një nga lumturitë më të mëdha në jetën time. Mu afrua ngadalë një infermjere e re, një yll e hiroshe saqë mu duk se isha në ëndër dhe duke më buzëqeshur më foli shqip. E kupton? Më foli shqip e më pyeti: A mos gabohem nëse ju jeni zoti Zyhdi Morava? Shtanga e mu mbajt fryma se vetëm në ëndërr ndodh kështu. Unë jam Zyhdi Morava, iu përgjigja i habitur por ju lutem mos më thoni zoti, më thoni thjesht Zyhdi. Po ju nga më njihni? Jam nga Tirana e kemi qënë thuajse komshij por ju nuk më mbani mend se unë kam qënë e vogël atëherë, më tha ajo. Unë i kam lexuar librat e tua. Kur më tha kështu më mbytën lotët. Nuk i mbaja dot lotët, po qaja si një fëmijë. Kështu kam qarë edhe kur erdhi një nga nëpunësit e burgut dhe më tha përpara të burgosuve të tjerë se isha i lirë e se do të dilja ato çaste nga burgu. Zotëri, më tha , për ju nuk ekziston as dhe një fakt që të privoheni nga lirija, pra jeni i lirë. Merrni plaçkat tuaja të visheni dhe jeni i lirë. Ishte vërtet e pa besueshme por ja që në duart e tij ishte një urdhëresë e shkruar me firmë e me vulë dhe me emrin tim Zyhdi Morava ku urdhërohej të dilja nga hapsana. Pra isha me krahë ato çaste e do të fluturoja por diçka më pengonte, ishin lotët e gëzimit që nuk më linin të flatroja ato çaste teksa të gjithë më vështronin me një zili të bardhë e sytë u ndrinin nga gëzimi që unë do të largohesha nga ai burg. Nga që më erdhi turp të qaja përpara tyre hyra në këndin e errët të një korridori dhe u shkreha në lotë ngashërimi”. Kështu më tregoi dhe ato çaste nxori nga çanta një libër me poezi për tma dhuruar. Ishte libri i tij “Për një grua” me lirika dashurie që sapo e kishte botuar ato ditë nga gëzimi që kishte dalë nga burgu. Bashkë me librin më dha edhe disa poezi të pa botuara të cilat i kishte shkruar gjatë kohës së burgut të San Paolos në Milano. Në të gjitha ato poezi që poeti Morava ka shkruar nëpër burgjet e Italisë ( aty poeti kaloi nëpër disa burgje ) brenda shpirtit të tij nuk shteri besimi se një ditë do të dilte pa tjetër dhe vërtet ashtu ndodhi. Për këtë të vërtetë po hedh këtu një nga poezitë e tij të burgut italian:

TRëNDAFILAT E
BURGUT Të LARGëT

ç’do t’u shpie të dashurve të mi kur të kthehem?
Këtu brenda s’ka dhe për të mbjellë trëndafilë.
As diell që t’u japë ngjyrë me aromë,
Dhe oksigjeni s’mjafton t’i gjelbërojë.

Si mund të dal para të dashurve, duarzbrazur,
Ditën e bukur të kthimit,
Kur më presin me mall e dashuri
Që vetëm ata e dinë?

Merrni, do tu them, merrni këto këngë,
I shkrova atje,
Në mbretërinë e madhe të dhimbjes,
Dhe më ndjeni,
S’mund t‘iu sillja më tepër!...

8 Nëntor 2008, burgu i San Vittores, Milano.

Pas burgut të Milanos poeti Morava u mbyll në vetvete dhe nuk komunikonte me njeri veç ndonjë shoku intim që besonte se e donte vërtet.
Zyhdi Morava përditë e më shumë mblidhej në guaskën e vet. Shumë prej tyre që dikur i rrinin pranë kur ishte në krye të lidhjes së shkrimtarve i qenë larguar. Kafen e pinte vetëm.Kur e pyeta se çfarë po shkruante ai mu përgjegj me pikëllim se nuk kishte më fuqi për të shkruar. Nuk ka gjë më të trishtueshme për një shkrimtar se sa kjo.
Në 3 qershor 2010 miku im Morava më bëri një surprizë. Isha në dhomën time të punës duke shkruar diçka. Ra dera dhe unë e hapa qetësisht duke menduar se ishte ime shoqe. Kur çtë shoh ishte Zyhdiu. U gëzova shumë e përqafova dhe i thash se kishte bërë një mrekulli që kishte ardhur. E vura re me një herë se nuk ishte më ai Zyhdiu i parë tërë shkathtësi, humor e zhdërvjelldësi fjalësh me një rrjedhë poetike që të bën ta dëgjosh me vëmendje e pa reshtur. Më tha se kishte pësuar një traum nga hipertonija e kishte qënë fare keq por e kishte marrë pak veten. Atë ditë doli nga Elbasani të kalonte një drekë te miku tij i vjetër e pas kësaj u kthye t’më takonte mua. Atëherë asqë e mora me mend të vërtetën e ardhjes së tij, por tani që po shkruaj këto rreshta e shoh qartë se ai e dinte se do të vdiste ndaj kishte ardhur të ndahej me ne.
E përcolla, i dhamë dorën njëri tjetrit pa e ditur se po ndaheshim për jetë të jetëve.
Për poetin Morava dua të shkruaj shumë se të tilla janë mbresat që kam për të, për këtë aristokrat në pamje, në veshje, në sjellje, në të folur, në të lëvizur, e në etiketë.
Në homazhin e tij të përmortshëm një nga miqtë e poetit, një piktor i ri më tregoi se ditët në spital ai i kaloi duke mos ngrënë ushqime.”Përse nuk ha, e pyeta apo mos ke ndërmend të vdesësh? Më tundi kokën lehtë në shenjë pohimi duke u shprehur qartë: Po, dua të vdes.”
Dhe kështu i kredhur në dhimbjet e vuajtjet e tij, mbylli sytë e u shua përgjithmonë duke lënë pas artin e tij të ndritur.
14 Korrik 2010

(d.b/MILOSAO/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›