Anxhela Martini, 22-vjeçarja shkodrane fiton kurorën e “Miss Univers Albania”
Anxhela Martini, quhet vajza nga Shkodra që u kurorëzua si fituesja e “Miss Univers Albania 2010”, në spektaklin e organizuar më 10 korrik në ambientet e Living Room&Tropikal, në qytetin e Durrësit. Profili i Anxhelas tashmë gjendet në faqen zyrtare të “Miss Univers”, midis profileve të dhjetëra bukurosheve nga e gjithë bota që garojnë këtë vit. Anxhela me tiparët e brunes u zgjodh mes 12 vajzave konkurrente mes më të mirave që arritën në “Top Five” pas përzgjedhjes nga juria e konkursit, në përbërje të të cilit ishte dhe fotografi i njohur, Fadil Berisha. Kurora e “Miss Univers Albania” do t’i japë mundësinë znjsh.Martinit të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss Univers”, më 23 gusht në Las Vegas. 12 vajza të moshës 17 deri 22 vjeç të përzgjedhura nga organizatorët prej 70 pjesëmarresve ishin pretendente e kurorës, ndërsa sfiluan në spektaklin e ideuar si “fashion party” nga drejtori artistik, stilisti Joni Peçi. Shqipëria u përfaqësua në “Miss Universe 2009” nga Hasna Xhukiçi në garën e organizuar më 23 gusht në Bahamas. Ky është i pesti vit që “Miss Univers” organizohet në Shqipëri nën kujdesin e fotografit më famë në Nju Jork, Fadil Berisha. “Miss Universi” është konkurrenca më e madhe në botë për vajzat e reja në nivel ndërkombëtar dhe organizohet nga “Miss Universe Organization” me 69 vende anëtare.