E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet buxheti i ri, shkurtohen shpenzimet, ruhet rritja ekonomike

Rishikimi i buxhetit sjell ruajtjen e stabilitetit ekonomik, pa prekur programin e investimeve dhe as projektet sociale të qeverisë. Opozita braktis sërish Kuvendin, e etur për pak krizë ekonomike, por kjo s’e pengon mazhorancën, që me 71 vota “pro”, t’i miratojë në parim ndryshimet

Pas një seance maratonë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me unanimitet të plotë të ligjvënësve të mazhorancës, ndryshimet në buxhetin e 2010-ës. Me 72 vota ‘pro’ dhe pa asnjë kundër apo abstenim, shumica parlamentare formalizoi ndërhyrjet në buxhet, të cilat pritet të sjellin një dimension të ri në indikatorët ekonomikë për vitin në vijim.
Plot 12 orë diskutime të ashpra në Kuvend, konfirmuan suksesin e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Financave, për të ndërhyrë në draftin e miratuar në dhjetor të vitit të kaluar. Ndryshimet, lidhen me një plan të ri masash të Qeverisë, për t’i rezistuar efekteve të recensionit global, i cili prej dy vitesh me radhë s’e ka lëshuar botën nga hendeku financiar.
Ministri i Financave Ridvan Bode mbrojti propozimin e qeverisë për rishkimin e ligjit, duke parashikuar shkurtime buxhetore, e një vendim i tillë i shërben ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe gjallërimit të saj duke ditur krizën e rëndë që po përjetojnë ekonomitë e rajonit dhe ato të botës në tërësi.
Përligjja e vendimit të ekzekutivit shkon edhe më tej, kur mendojmë se shkurtimet buxhetore ulin ndjeshëm borxhin publik, çështje kjo e shumë atakuar nga opozita e Edi Ramës, e cila fatkeqësisht dje zgjodhi të dalë nga salla e Kuvendit në momentin e votimit të projektligjit dhe njëherazi i hap rrugë rritjes së mëtejshme të pagave dhe pensioneve, rritja e fundit e të cilave u vë vetëm pak javë më parë. Faktor ky plotësisht domethënës se ekonomia shqiptare nuk është në krizë, por thjesht në efektet e saj. Edhe pse morën pjesë në diskutimet e gjata për ndryshimet në buxhet, deputetët e opozitës si çdo herë, duke respektuar vendimin eunuk të Edvinit, braktisën sallën e Kuvendit.
Debatet e pafrytshme të tyre treguan dhe njëherë mangësitë e theksuara për vijimin e linjës parlamentare dhe interpretimin e treguesve ekonomikë, teksa nuk u tha asnjë qëndrim korrekt se çfarë shkonte dhe çfarë jo në rishikimin e buxhetit.

Rishikimi i buxhetit, ministri i Financave Ridvan Bode

“Shmangen efektet e recesionit, ekonomia shqiptare - e vetmja në rajon me rritje pozitive”

FMN dhe institucionet e tjera financiare kanë vlerësuar projektligjin. Kreu i financave thekson se me anë të këtyre ndryshimeve do të korrigjohen disa elementë të buxhetit, të cilat përballen me tensione të krizës së gjatë ekonomike botëror

Ministri i Financave, Ridvan Bode mbrojti dje në Kuvend, projektligjin e Qeverisë për të rishikuar buxhetin e 2010-ës, duke e konsideruar këtë si paraprirje ndaj efekteve të krizës ekonomike botërore. Bode i bëri thirrje deputetëve që të votojnë ligjin, pasi siç u shpreh ai, vendimi është vlerësuar nga FMN dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. “Ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 synojnë mbajtjen e ekonomisë shqiptare në ritmet më të larta të mundshme të zhvillimit ekonomik. Këto ndryshime kondicionohen nga një numër zhvillimesh në tregjet lokale dhe ato ekonomiko-rajonale”, u shpreh ministri Bode. Ai deklaroi para ligjvënësve se ekonomia shqiptare i shpëtoi krizës financiare falë politikave fiskale që ndoqi qeveria shqiptare dhe se u morën të gjitha masat për të përshpejtuar rritjen ekonomike pozitive dhe financat e vendit të mos shkojnë dëm. “Shqipëria shmangu uljen ekonomike gjatë vitit 2008-2009. Nga të dhënat dhe indikatorët ekonomikë, vendi ynë ka një ekonomi të qëndrueshme dhe në rritje progresiste.
“Gjatë vitit 2009-ë ekonomia shqiptare pati një rritje prej 3.3 për qind dhe në tre mujorin e parë të vitit 2010-ë pati një rritje prej 2.2 për qind, pra në këtë periudhë të rëndë stresi ekonomik në të gjithë botën”, tha më tej ministri i Financave.
Bode, duke krahasuar ekonomitë e vendeve të rajonit dhe efektet e krizës globale në këto vende si dhe efektet në ekonominë shqiptare, tha se parashikohet që borxhi i prodhimit të brendshëm bruto të ulet nga 4 në 3 për qind. Sipas tij borxhi është më i lartë në vendet në rajon, por është më i miri.
“Kostoja është më e ulëta, se në të gjithë vendet e rajonit. 2/3 e borxhit publik është i brendshëm, është borxh në lekë i cili administrohet në mënyrë më të mirë dhe në parametrat më të mirë të mundshëm. Borxhi i jashtëm mbështetet në Bankën e Zhvillimit i cili ka financuar dhe vazhdon të financojë projekte në Shqipëri. Ky borxh ka normë interesi shumë të ulët të butë dhe me një afat krediti që kalon mesatarisht 15 vite”, tha ai. Buxheti i rishikuar parashikon uljen e shpenzimeve në masën 25 për qind.
Sipas ministrit Bode, nevoja për këto ndryshime, arsyet që e nxitën qeverinë dhe synimet, që kërkon të realizojë ajo, kondicionohen nga një sërë zhvillimesh në tregjet globale, në tregjet e ekonomisë rajonale, të cilat detyrojnë ndërmarrjen e një sërë masash emergjente dhe ne drejtimin e duhur.
“Kriza që po përjeton sot bota prej një periudhe më se dy vjeçare, e filluar si një krizë financiare, si një krizë e sistemit financiar dhe bankar, u shndërrua shpejt në një krizë ekonomike, që ezauroi kapacitetet e mëdha dhe të larta të zhvillimit të ekonomisë globale, sidomos të vendeve më të zhvilluara”, tha ministri i Financave.
Bode tha se shkurtimet në buxhet, bëhen me qëllim uljen e deficitit vjetor dhe normalizimin e borxhit publik të vendit.
“Deficiti vjetor programohet të ulet nga 4 për qind në 3.1 për qind të PBB, duke arritur kështu nivelin më të ulët historik të deficiteve të realizuara dhe të programuara ndonjëherë në Shqipëri. Ne mendojmë se ky është drejtimi i duhur, drejtimi nga duhet të lëvizim dhe duhet të hedhim vështrimin drejt së ardhmes, pasi, niveli i borxhit publik, po ashtu, ka nevojë të mbahet nën kontroll dhe në nivele të pranueshme, brenda objektivave të deklaruara afatmesme dhe afatgjata për vendin. Përmes këtij operacioni, ne, përsëri, mbajmë borxhin publik nën nivelin 59.5 për qind e PBB. Sigurisht, borxhi publik i Shqipërisë është disi më i lartë sesa i vendeve të rajonit, por është borxhi më i mirë publik, që ka ndonjë vend tjetër”, tha kreu i financave, Ridvan Bode.
Sipas ministrit, kostoja që shërben borxhin publik është më e ulëta në të gjithë rajonin tonë, në 3 për qind e PBB.

Buxheti i rishikuar 11.4 për qind më i lartë se i 2009-s

“Të ardhurat në buxhet programohen 333 miliardë e 658 milionë lekë. Kjo do të thotë 27 miliardë lekë më pak nga programi fillestar. Por, nga ana tjetër do jenë 11.4 për qind më të larta se në vitin 2009. Të ardhurat do të jenë në nivelin më të lartë historik. Ato programohen sa 27.2 për qind e PBB ose 1 pike për qind më shumë se fakti i vitit 2009. Të ardhurat e realizuara në përfundim të gjashtëmujorit janë 3.3 për qind më shumë sesa gjashtëmujori i vitit të kaluar. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat do të jenë 230 miliardë lekë ose 6.5 për qind më të ulëta sesa fillimi i vitit. Ato do të shkojnë sa 24.4 për qind e PBB, duke kapur nivelin më të lartë historik. Do të jenë 10.5 për qind më të larta sesa viti 2009. Shpenzimet për pagat do të mbeten afërsisht sa ishin programuar, pasi qeveria, sikurse dihet, mundësoi rritjen e pagave në fund të periudhës gjashtëmujore, duke shtuar mbi bazë vjetore rreth 6 miliardë lekë më shumë ose rreth 60 milionë USD në dispozicion të rritjes së pagave, të cilat do të rriten nga niveli i inflacionit, 2 për qind-12 për qind, sipas sektorëve dhe sipas prioriteteve të shpallura nga qeveria”.

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami

“Rishikimi i dokumentit financiar prek kryesisht shpenzimet korrente”

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami theksoi se ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 nuk prekin programet afatgjata të përdorimit të tij. Gjatë seancës parlamentare ku po diskutohen ndryshimet në buxhet, ministri Imami tha se, “rishikimi i buxhetit nuk përbën pengesë në realizimin e objektivave të qeverisë, por dhe angazhimet në fushën e mbrojtjes”.
Duke u ndalur te buxheti i këtij dikasteri, Imami tha se, “qeveria ka respektuar angazhimet e marra nga vendi në kuadër të marrëveshjes së anëtarësimit në NATO, dhe rishikimi i dokumentit financiar prek kryesisht shpenzimet korente, si mallra shërbime, etj”.
Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, siguroi se, financimi për programin e demontimit të municioneve të tepërta nuk është prekur, madje me të njëjtat shpenzime ne duam të trefishojmë sasinë e municionit të demontuar.
“Nuk ka ulje të financimeve as për angazhimin në kuadër të NATO-s, BE-së, OKB-së dhe në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”, tha Imami, ndërsa shtoi se gjatë këtij viti është realizuar rritja më e madhe e pagesave për ushtarakët që marrin pjesë në këto misione.

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani

“Ndryshimet në buxhet, seriozitet i qeverisë në projekte të ndryshme”

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani deklaroi dje nga foltorja e Kuvendit se ndryshimet në ligjin e buxhetit 2010 shprehin seriozitetin dhe angazhimet e qeverisë në projekte të rëndësishme që lidhen me performancën e sistemit të drejtësisë.
Duke marrë fjalën në debatin parlamentar të diskutimit në parim të ndryshimeve në buxhet, ministri i Drejtësisë numëroi disa nga investimet e rëndësishme të planifikuara nga qeveria, që i kontribuojnë reformimit të sistemit të drejtësisë në vend.
Nishani tha se krahas memorizimit të vendimeve gjyqësore, që i kontribuon krijimit të statistikave të besueshme dhe korrekte në sistemin gjyqësor, një investim i rëndësishëm i qeverisë shqiptare i parashikuar në buxhet me fondet e paprekura, është krijimi i një regjistri elektronik të përmbarimit.
“Një tjetër angazhim i rëndësishëm që është në rrugën e negocimit mes ministrive të Financave dhe të Drejtësisë është ai që lidhet me nivelin e pagave të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të Apelit”, tha Nishani.
Kuvendi, vijoi përmes një seance maratonë debatin për projektligjin e qeverisë “Mbi disa ndryshime në buxhetin 2010”, duke konkluduar me miratimin e ndryshimeve në buxhet me 71 vota pro dhe me asnjë kundër.

Ministri i Punës dhe çështjeve Sociale, Spiro Ksera

“Buxheti nuk cenon programet bazë, reduktohen shpenzimet”

Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, sqaroi në Kuvend para ligjvënësve, se ndërhyrjet në buxhetin e shtetit janë bërë me qëllim shkurtimin e shpenzimeve dhe jo për të cenuar programet bazë të mbështetjes sociale. Ndryshimet në ligjin për buxhetin 2010, nuk prekin programet bazë të mbështetjes sociale, por kryesisht reduktojnë shpenzimet.
Ndryshimi i fondeve buxhetore nuk do të prekë dhe as deformojë sektorët bazë. Ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me reduktimin e shpenzimeve operative, dietat, udhëtimet, telefonatat, kursimet në energji brenda dikastereve tona etj”, u shpreh ministri Ksera.
Reagimi i ministrit Ksera erdhi pas akuzave të opozitarëve se me ndryshimet në buxhet, qeveria ka bllokuar funksionimin e programeve bazë të Ministrisë së Punës, për mbështetjen sociale. Ksera tha se në vitin 2010 Ministrisë së Punës, i është akorduar në total fondi në vlerën 42 miliardë e 596 milion lekë. Me buxhetin e rishikuar ai është në vlerën 41 miliardë e 426 milionë lekë, pra me një diferencë prej 1 miliardë e 170 milion lekë.

“Ekonomia solide, Rama ka vetë bilance me humbje”

Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli

Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli deklaroi se opozita nuk e pranon impaktin pozitiv të reformave në ekonominë e vendit. Ministri Ruli, duke mbrojtur draftin e propozuar nga qeveria për rishikimin e buxhetit, akuzoi opozitën për retorikën agresive të përdorur ndaj ecurisë pozitive të ritmeve të ekonomisë së vendit.
“Ishin reformat që e shkëputën Shqipërinë në vitin 2006 nga rreziku i hyrjes në orbitën e rritjes ekonomike të ulët”.
Në fjalën e tij në parlament Ruli reagoi dhe ndaj akuzave të vazhdueshme që kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama ka adresuar ndaj qeverisë lidhur me situatën ekonomike në vend.
“Duke qenë se ky lider po pëson humbje, në vend të ndryshojë strategjinë e taktikën përsëri po vijon sjelljen e tij të parapëlqyer që është kriza. Ju kujtoj se këshilltari më i besueshëm ekonomik për Edi Ramën nuk është asnjë nga ekspertët e ekonomisë së PS-së, por miku i tij biznesmen, i cili prej 10 vitesh u jep leksione shqiptarëve në rubrikën si “Të bëheni milioner”, ndërkohë që prej 20 vjetësh ka bilance me humbje në të gjithë aktivitetin e tij”, përfundoi ministri Ruli fjalën në Kuvend.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›