Rrëfimi i burrit të vetmuar
Nëse në poezinë orale gruaja përshkruhet me të gjitha tiparet, me bukurinë e saj bëhet shkak për trazim shpirtëror, te Camaj ndodh ndryshe. Po ta krahasojmë gjithashtu me poezinë e shkruar, në Shqipëri gjatë periudhës së realizmit socialist nuk besojmë të gjejmë ndonjë rast kur gruaja është një dëshirë erotike, kjo ishte një tabu. Camaj zgjedh një malësor, na krijon dhe imazhin e një bote arkaike, por ai dëshmon modernizëm në mënyrën e të parit të këtij subjekti. Një formë vrojtimi frojdiane të një burri malësor, që jemi mësuar ta shohim vetëm si një burrë krenar, fanatik. Camaj e paraqet Skënderbeun si burrin që ka dëshira dhe në praninë e gruas, ai është njeri si gjithë të tjerët dhe jo vetëm Skënderbeu legjendar
Rrëfimi në letërsi ka të bëjë me artin e të treguarit, me mënyrën se si një ngjarje na paraqitet. Mbi bazën e analizës së tregimtarisë, është themeluar edhe një degë e studimeve letrare: narratologjia. Në shqip përdoren disa sinonime, për atë që tregon, rrëfen një ngjarje. Kemi narrator, tregimtar, rrëfimtar. Kjo e fundit përveç parashtrimit të ngjarjeve, ka edhe një nuancë tjetër kuptimore që lidhet me një kuptim teologjik, por të rëndësishëm. Në kristianizëm me: të rrëfesh, kuptohet të treguarit e gjithçkaje mëkatare që mund të kesh bërë dhe kjo del në dy forma; sipas katolicizmit: të rrëfyerit përpara priftit dhe sipas sekteve kristiane: si rrëfim i drejtpërdrejtë me zë, ose në heshtje përpara zotit. Në të dyja rastet kemi një përbërës, rrëfimin dhe çfarë është më e rëndësishme, rrëfimin e vetvetes: të tregosh dobësitë e tua dhe të pendohesh për to.
Ajo që na intereson në këtë trajtë rrëfimi, të treguari, është individi, personazhi në rastin e letërsisë, që na rrëfehet dhe ne na duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur sepse ai na beson fshehtësitë e tij.
Rrëfimin e personazheve në kuptimin kristian dhe narratologjik, do ta vëzhgojmë në disa nga poezitë që kemi marrë në analizë në këtë pjesë.
Në poezi autori është gjithmonë më i identifikueshëm sesa në prozë, sepse në pak vargje nuk është e mundur të krijohet një masë personazhesh dhe karakteresh, qoftë edhe një i vetëm të mund të përshkruhet dhe të dalë i plotë. Prandaj shpeshherë një poezi, e marrim si një rrëfim të autorit dhe të përjetimeve të tij. Camaj, përpiqet që në çdo poezi të na japë një personazh, qoftë dhe anonim. Ai i jep lexuesit mundësinë t’i njohë këto karaktere dhe pse jo, të gjejë vetveten në një farë mase.
Në poezinë “Burri te ura e votrës”, që është edhe poezia që hap vëllimin Legjenda, kemi dy narratorë: i pari është autori që rrëfen në vetë të tretë për burrin dhe ky i fundit, që rrëfen në vetë të parë për veten.
Burri te ura e votrës pleqnon:
nji shpi me rrasa guri e kam,
rranxë malit e buzë Drinit
dhe arën për nën.
Arën e punuem me vjet unë e uri
dhe era e verit korën e qiti rrah.
Në vargun e parë, autori na paraqet imazhin e malësorit pranë vatrës, pranë zjarrit.
Vatra në mitologjinë shqiptare, ka kultin e nënës së vatrës, që lidhet me respektin dhe frikën ndaj saj. Vatra është vendi ku njerëzit e familjes apo miqtë, mblidheshin dhe jo vetëm ngroheshin, por edhe kuvendonin, merrnin vendime. Vatra është vend meditimi kur je vetëm, te ura e votrës është afër vatrës, por jo domosdoshmërish ka zjarr, Camaj nuk e përmend këtë fjalë. “Ura” është druri që po digjet ngadalë dhe të shohësh drejt tij, të krijon një ndjenjë qetësie, por edhe ëndërrimi. Folja pleqnon, mbart kuptimin e një kuvendi të rëndësishëm, të pjekur, që duhet ta mendosh gjatë. Atë që burri mendon dhe i duket një gjë e rëndësishme, autori na e jep në rrëfimin e vetë burrit. Folje kam, tregon edhe vetën në të cilën po rrëfehet, pasi autori që në vargun e parë vë një dypikësh për të ndarë rrëfimin e tij nga ai i personazhit, por edhe pasurinë e burrit, që jetesa afër natyrës është pozicioni më i mirë gjeografik për malësorin. Uri dhe era janë ndihmësit e tij, toka dhe ajri janë pasuria e malësorit.
Në vargjet që vijojnë, bëhet më e qartë çfarë kërkon dhe çfarë i mungon burrit të vetmuar, që sipas mendësisë së tij ka gjithçka materiale që i duhet, ai e vazhdon rrëfimin:
Andej ujit në karmë picak në terr,
thom, grueja lyp burrë!
Me anë të një ndajfoljeje vendi, e ndjekur nga fjalë të tjera përshkruese njëra pas tjetrës, del në pah edhe një tjetër punë që duket e pambaruar. Në mëdyshje e nxjerr Martin Camaj burrin, kur përdoret folja thom e vënë mes presjesh, si një formë përcaktuese, si një ndalesë përpara se të kumtohet pjesa tjetër e vargut. Mbyllja e vargut me pikë çuditëse, duket se e zgjidh mëdyshjen e burrit.
Por fill pas saj, burri ndodhet përsëri në gjendje keqardhjeje për veten.
E unë? Rrij tërthuer i ngathun,
mish i gjall në kupë i nxemë
pranë prushit.
Me anë të një metafore të goditur, ku fjalë kyçe është fjala “mish”, autori parashtron dëshirën mishtore të burrit. Në të njëjtën kohë kemi pamundësinë dhe dëshirën, që dalin në pah nga fjalët i ngathun dhe mish i gjallë. Njeriu identifikohet me dëshirën e tij që është krejtësisht mishtore, në këtë mënyrë ai fillon dhe rrëfen për ndjesitë më të thella, për dobësinë e burrit në kuvendim me veten.
Nga gjendja e mpirë ndryshon menjëherë:
E bërtet, i vramë vetmije:
përtej ujit andej, po kallen pishat flakë!
Po digjet druni, bajtë prej meje n’krah!
Si gjimon Lumi n’gavixh të tymit!
Si vlon mendimi i ngujuem në rrashtë!
Gruaja metaforizohet me “pishat flakë”, të gjata, të paarritshme dhe të nxehta, në mendjen e burrit. Dëshira e tij është e pashprehur, “vlon” dhe në të njëjtën kohë është “i ngujuem”. Lumi i ndan burrin dhe gruan, në të dyja anët e lumit, dëshirat mishërohen, simbolizohen në zjarrin, i cili është dëshirë e papërmbajtshme që lumi i pengon të shuhen zjarret. Ndryshe nga funksioni i tij natyror, ai i ndez më shumë ato me pengesën e tij.
Burri i malit pleqnon, nesër me ra
me not npër Dri e sheh n’vegim
si akulli i kërcllat nën korp.
N’agim vetëm në breg këqyr
Lumin e frymë në gjumë e mal e mal:
a bie o s’bie e dal andej m’turr?
Majet rrotullohen rrethas e ndien si lis,
tue lëshue rrajë në shkamb.
Burri kërkon me shpirt një mënyrë për të kapërcyer lumin dhe për t’u bashkuar me gruan, por lumi sa vjen e zgjerohet, sa vjen e zmadhohet përpara syve të burrit dhe ai e ndien veten “lis, tue lëshue rrajë në shkamb”. Pas natës në ankth, ai pret mëngjesin me shpresë që një ditë e re ,është një shpresë për të. Poezia mbyllet me simbolin e lisit, që nënkupton madhështinë, burrërinë, forcën, krenarinë, por rrënjët e tij shkojnë drejt shkëmbit, drejt vendqëndrimit dhe kjo tregon pamundësinë, pafuqishmërinë, megjithëse “lis” për ta kaluar lumin, pengesën.
Poezia është ndërtuar në formën e rrëfimit të burrit, të rrëfimit të një mëkati që nuk kryhet, por i tillë është, sepse burri është në dyluftim me veten për ta realizuar. Autori qëndron jashtë përjetimit të botës së “burrit”, e paraqet në mënyrë objektive, subjektin e tij lirik. Poezia vjen në formën e një shkallëzimi mendimesh, që janë në antitezë me njeri-tjetrin dhe dëshmojnë gjendjen e trazuar të burrit deri në fund të poezisë.
Gruaja nuk përshkruhet, ajo është shkaku i kësaj gjendjeje, ajo jepet “picak në terr”, lakuriq në errësirë dhe kjo mjafton për të nxitur imagjinatën e burrit. Gruaja, nuk përshkruhet në këtë poezi të Camajt me asnjë tipar, përveç feminitetit të saj. Këtu do të ndaleshim në mënyrën moderne që Camaj zgjedh në përshkrim, duke u mbështetur në një detaj ai krijon të gjalla pasojat, që ka ky detaj tek burri.
Nëse në poezinë orale gruaja përshkruhet me të gjitha tiparet, me bukurinë e saj bëhet shkak për trazim shpirtëror, te Camaj ndodh ndryshe. Po ta krahasojmë gjithashtu me poezinë e shkruar, në Shqipëri gjatë periudhës së realizmit socialist nuk besojmë të gjejmë ndonjë rast kur gruaja është një dëshirë erotike, kjo ishte një tabu. Camaj zgjedh një malësor, na krijon dhe imazhin e një bote arkaike, por ai dëshmon modernizëm në mënyrën e të parit të këtij subjekti. Një formë vrojtimi frojdiane të një burri malësor, që jemi mësuar ta shohim vetëm si një burrë krenar, fanatik. Camaj jep një këndvështrim të ri, jo vetëm të malësorit,por të burrit në përgjithësi, që me imagjinatën e tij është larg të qenit thjesht romantik, thjesht një shpirt i trazuar, ai është në radhë të parë një trup i trazuar.
Nuk mbaron me këtë poezi, ky subjekt. Në poezinë e dytë të vëllimit, Burri e lumi, autori e zgjeron rrëfimin e burrit dhe jep tablonë e plotë të mëkatit të burrit.
Në poezinë e parë, burri kishte mbetur në ëndërrimet e tij buzë vatrës, në këtë poezi ndjenjat e tij nuk krahasohen vetëm me zjarrin por edhe me ujin.
Ulet npër gryka Drini i Bardhë
i zi mes malevve me borë,
vrapon brryla, brryla, vrullshëm.
(Gjaku ndër dej madhnohet nga fuqia)
Tri vargjet e para figura e Drinit, e ujit që ndërron ngjyrë dhe e rrugës së tij të vrullshme, me kthesa autori i jep si një pamje e natyrës që ndahet nga rrëfimi i burrit, të cilin në këtë rast Camaj e jep në kllapa. Vargu i parë në kllapa është si uji i Drinit, autori vërtet duket se e lë mënjanë përshkrimin për Drinin, por nëse do të zëvendësonim fjalët “gjaku” me “Drini” dhe “dej” me “shtrat” do të kishim vargun:
(Drini ndër shtrat madhnohet nga fuqija.
Ky zëvendësim i thjeshtë, tregon rrjedhën logjike të figuracionit, që Camaj e shmang në mënyrë të tërthortë. Gjaku është si lumi, ai rrjedh po aq vrullshëm sepse ka një arsye.
Mbramë, te shpija ndër karma
vetëm përballova muzgun
kur mbrrini udhëtarja e largë me bujtë.
i thashë: “A të bjen ndër mend
si delshim prej pusavet të Lumit
të përlagun nën diell?
Ishin gjymtyrët tona të vogla
pa farë mkati origjinar!”
Ajo përgjegji: po.
Burri del vetëm dhe e quan të vështirë ardhjen e natës vetëm. Ai duhet të përballet me vetminë, nuk është e vështirë, por nuk është e lehtë. Ai thotë “mbramë”, kjo lidhet me poezinë e parë, e cila e paraqet kohën e mbrëmjes në të tashmen, ndërsa në këtë poezi ngjarjet që i ndodhin burrit, i rrëfen në trajtën e kujtimit të mbrëmshëm. Kujtimet vazhdojnë të thellohen në kohë të shkuar deri në fëmijëri, kur mëkati nuk ekzistonte, sepse nuk ishin dëshirat mishtore. “Pa farë mkati origjinar”, mëkati rrëfehet si fillesë e hershme, nuk janë të parët burri dhe gruaja e poezisë që bien në mëkat, ai i ka fillesat me njerëzimin, një mëkat biblik.
Camaj jo pa qëllim, e quan “burri” dhe “gruaja”, personazhet e tij, për të treguar, që ata janë një moshë të rritur dhe gjithçka u ndodh është normale dhe e vetëdijshme, pra është edhe njerëzore, por edhe mëkatare. Ata janë anonimë, mund të jenë cilido burrë dhe grua, por që autori i vë në një vend ku rrjedh Drini, si nostalgji për vendlindjen.
Pjesa që Camaj e ka ndarë në kllapa, si një ndërprerje e rrëfimit të tij, për të ndërkallur rrëfimin e personazhit të tij mbyllet me vargjet:
Mbramë te votra me prush prej bungut
kam ndiemun erën e gjijve të plotë
e nuk dij pse thëngjill u bana të digjem!)
Nëse në poezinë e parë, kishim burrin afër zjarrit dhe dëshirën e tij, në këtë poezi është pjesë e zjarrit dhe dëshira e tij është e realizuar. Ka arritur bashkimin me gruan, me “udhëtaren”, me atë që ishte larg në kohë dhe hapësirë, nga kujtimet e fëmijërisë tashmë vjen e shndërruar në grua dhe afër, nuk e pengon Drini. Burri është shndërruar nga i “ngathët” në “i fortë”. Ngjarja që vjen si një kujtim i natës së shkuar, e ka ndryshuar burrin që rrëfen në të tashmen. Camaj përdor fjalën “tash” një dialektizëm i gegërishtes që tregon kohën dhe është rrënja e fjalës e “tashme”.
Tash dielli mbi borë
e mjellëza sillet nëpër ajr
e n’ujin e zi fiket.
Tash jam i fortë e me nji gisht lëvizi
qinda mullij, si Drini.
Nëse në poezinë e parë, burri krahasohej me zjarrin dhe uji për të ishte një pengesë, tani ai ka ndryshuar dhe është shndërruar në elementet e natyrës, që aq shumë e lodhnin. Ai pa pasur nevojë ta kapërcejë Drinin, është bërë i fuqishëm sa ai, pjesë e tij. Ai nuk i trembet më natyrës sepse ai nuk i trembet vetmisë. Forcën ia jep dashuria, gruaja që e plotëson në natyrën e tij njerëzore.
Dallojmë dy shkallëzime, që janë rrjedhojë e njëri-tjetrit në dy poezitë e cituara: e para është dëshira dhe e dyta është realizimi i saj, në secilën nga poezitë. Ato janë shkallëzim i njëra-tjetrës por edhe në antitezë të fuqishme, janë dy: poezi që rrëfejnë burrin në dëshirat e tij më të fshehta dhe këtë autori e realizon, duke ia lënë personazhit të bëjë një rrëfim të drejtpërdrejtë të mëkatit të tij, që ka fillesë biblike, por që pa përsëritjen e tij, burri do të ishte “lis” rrënjëngulur dhe jo ujë që lëviz “qinda mullij”.
K.Petriti në studimin e tij, e ka përmendur në mënyrë të përgjithshme disa nga përbërësit që vumë re, por pa i analizuar me hollësi. “Pesë tekstet me kryetitull “Drini,” të librit “Legjenda”… kanë shtrat të strukturës së tyre Drinin dhe çiftimin Burrë-Grua. Marrë në kuptimin biblik janë dy vetmitarët e natyrës”. Ne do të shtonim se në praninë e njëri-tjetrit, burri dhe gruaja nuk janë aspak vetëm, por marrin forca dhe sfidojnë edhe natyrën, edhe perëndinë në kuptimin biblik.
Një poezi tjetër në vazhdën e rrëfimit të burrit, është Gruaja e Skënderbegu. Poezia është e ndarë në dy pjesë, e ndërtuar me vargje në monokolonë si gjithë vëllimi. Në pjesën e parë, autori ka ndërtuar një dialog mes burrit dhe gruas, që të kujton poezinë arbëreshe kur vajza pyet për luftëtarët e saj të njohur nëse i ka parë njeri, të gjallë apo kanë vdekur. Në këtë poezi pasi Skënderbeu i kumton se vëllai dhe burri i saj kanë vdekur, pjesa e parë e poezisë nuk mbyllet me vajtimin e gruas për lajmin tragjik, por me përkujdesjen e qetë të gruas ndaj Skënderbeut:
“Çka po don, ti Burrë i Madh?”
“Nji kupë ujë e pak fier.”
Grueja i pruni Gjergjit
venë të kuqe e ‘i rrotull djathë,
fier të njomë e gjij të bardhë.
Ndryshe nga Burri që vumë re në dy poezitë e para, këtu Skënderbeu megjithëse nuk jepet në fushë beteje, përsëri autori e ruan aureolën legjendare të krijuar rreth tij. Ai quhet Burrë i Madh, çfarë jep ndryshimin mes Burrit dhe një Burri si Skënderbeu, që për lexuesin nuk është anonim. Nuk janë trimat që i tremben, por gratë që i jepen me dëshirë për hir se ai është personifikimi i trimit, i burrërisë:
“Çka kje, grue me ty kështu?”
Nji fjalë të madhe tha ajo:
“Po, ku t’i marr luftarët si ti
me shyta blini e hekuri
e me parzëm t’pacënueshëm?”
Në pyetjen që ai i bën gruas vihet re pendimi, ai e sheh si një mëkat dhe një tundim nga ana e gruas, por në pyetjen retorike ai merr përgjigjen dhe i lind një dëshirë e re:
Kastrioti tha me vete:
bre, ku të des n’mos mbetsha në luftë?
E shikoi shtrojën trishtë.
Vdekja në luftë është nder për luftëtarët, Skënderbeu pa e mohuar këtë vdekje të pashmangshme, sheh në shtrojën e gruas një vdekje të ëmbël, megjithëse mëkat, ai do donte t’i mbijetonte luftës, për të vdekur nga lumturia në bashkimin që natyra i ka falur njeriut. Camaj e paraqet Skënderbeun si Burrin që ka dëshira dhe në praninë e gruas, ai është njeri si gjithë të tjerët dhe jo vetëm Skënderbeu legjendar.