Shalsi: PD dhe LSI bashkuan sërish votat kundër buxhetit
Pas kthimit të buxhetit dy ditë më parë nga prefekti i Tiranës për votim në Këshillin Bashkiak, ka reaguar nënkryetari i bashkisë. Eduart Shalsi kundërshtoi dje kthimin e buxhetit, duke thënë: ''Politika e vjetër LSI-PD po i mohon kryeqytetit shërbimet, rrugët, kopshtet, shkollat, vetëm e vetëm, që të përfitojnë nga mërzia e njerëzve''.
Ai shtoi më tej: ''Këta njerëz nuk e meritojnë Tiranën, ata flasin për interesat e qytetarëve, ndërkohë që shohin vetëm interesat e veta''. ''Metropoli ynë, Tirana, nuk i meriton këta përfaqësues të së shkuarës", - vijoi Shalsi.
Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, rrëzoi, dy ditë më parë vendimin e Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit të vitit 2009 për qytetin e Tiranës. Në këtë mënyrë do të kërkohet rishqyrtimi i buxhetit në Këshillin Bashkiak. Prefekti Keçi deklaroi se ka konstatuar shkelje ligjore në 5 nene, të cilat bien ndesh me Ligjin për Menaxhimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor.
Sipas tij në rast se do të ketë tentativa për të kaluar këtë buxhet, edhe pse u rikthye pa firmën e ligjshme të prefektit, do të padis në gjykatë duke mos lejuar shkeljen e ligjeve.
Këtë deklaratë prefekti e bëri pasi pohoi se sipas ligjit, në rast se vendimi i Këshillit Bashkiak kthehet për rishqyrtim, mund të mos kalojë për rivotim, duke marrë formë ligjore.