E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretenca; Trafiku i municioneve, 28.4 vjet burg për katër të pandehurit



Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje deklarimin fajtorë dhe dënimin me 28.4 vjet për katër të pandehurit e akuzuar për trafik të municioneve nga Kosova për në vendin tonë. Prokurori i çështjes, Edvin Kondili, i ka kërkuar dje gjykatës shpalljen fajtor dhe dënimin me 7.4 vjet burg për dy të pandehurit Ali Peci dhe Naim Dungu, për të pandehurin Behar Dungu akuza kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin e tij me 7 vjet burgim. Për të pandehurin e fundit, Shaban Sulmeta, ish-nënoficer i ushtrisë në një repart të Burrelit, akuza kërkoi dënimin e tij me 6.8 vjet. Katër të pandehurit janë vënë në pranga në sajë të operacionit të koduar “Dungu”. Sipas burimeve, të pandehurit kanë qenë duke udhëtuar me një automjet të tipit “Audi”, me targa të Kosovës. Sipas prokurorisë, gjatë një kontrolli të ushtruar në automjet, policia gjeti një sasi prej 6320 fishekësh të kalibrit 7.62 mm të modeleve 54 dhe 56, si dhe një automatik kallashnikov. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit i kanë blerë fishekët në Kukës, Burrel dhe Kosovë dhe ishin nisur për në drejtim të Tiranës, por dyshimet janë se ata do të merrnin municione të tjera në Kavajë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›