E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi që i mungonte Himarës

Aleko Likaj/gazetar 

-Duket se intervista e Koço Kokëdhimës, i ktheu me « këmbë në tokë » ngjarjet e viteve të fundit në Himarë, atje ku marrëzia kolektive e një grushti interesaxhinjsh, e xhambazësh politikë, shpalos ide dhe një flamur të «leckosur» me një shekull e gjysmë jete, të shtetit fqinj. Duke bërë anatominë e fshatit të tij të lindjes, Qeparoit,  intelektuali Kokëdhima sjell disa të vërteta të mëdha që kanë të bëjnë me historinë dhe jetën e asaj krahine, që është në dinamikë. Sjellja në kohë e lëvizjeve dhe gjeografisë së Himarës, e cila është shquar ndër vite, për rezistencën dhe shpirtin kryengritës ndaj çdo okupatori, dëshmon edhe një herë tjetër për hipokrizinë dhe lojën e qarqeve të caktuara antishqiptare të mirë-orkestruara sot, që thjesht për një përfitim personal tragjizojnë duke nëpërkëmbur dinjitetin jo vetëm të banorëve fisnikë autoktonë që janë të ngulur aty me shekuj, por edhe të bashkëkombësve.

Gjatë këtyre viteve të fundit, Himara dhe çështja e saj është përfshirë para së gjithash edhe në një luftë të fortë mediatike, ku edhe politika në skakierën e saj është angazhuar maksimalisht. Për këtë të fundit, dua që të pohoj një të vërtetë të madhe, se qeveritë shqiptare të periudhës së tranzicionit, nuk i kanë kushtuar aspak kujdes retorikave të forta nacionaliste që vijnë vazhdimisht dhe kurdoherë nga Greqia, sa herë kësaj i duhet që për qëllime të brendshme të saj, instrumentalizojnë ngjarje dhe banalitete të zakonshme që ndodhin përditshmërisht në një krahinë si Himara. Në këtë lloj llumhane përfshihen edhe banorë të kësaj krahine që marrin një rrogë në Athinë dhe që për shkak të parasë njohin si perëndi Greqinë. Por kombi dhe origjina nuk zgjidhen. Ato janë dhe bëhen pjesë e jetës tënde që në momentin kur të rëndon koka në këtë dhe. Natyrisht, që në këtë trevë historia, por edhe dimensioni jetësor ka sjellë njerëz si hallexhinj nga kombe të tjera që kanë gjetur strehë ashtu si edhe plot arbërorë kanë lëvizur historikisht drejt jugut për shkaqe historike të ngjarjeve të mëdha. Nuk ka asgjë të prerë me thikë. Popujt japin e marrin me njëri-tjetrin, kryesisht fqinjët. Si komb kemi vlerësuar mikpritjen dhe jemi të vetmit që mikun e konsiderojmë si «perëndi». E ruajmë dhe e mbrojmë me gjakun tonë. Koço Kokëdhima në rrëfimin e tij e bëri detyrën, ashtu si një tjetër bir i Himarës, Petro Marko vite më parë me librin e tij biografik, «Njerëz dhe gurë». Kokëdhima e sjell në një moment e një kohë të mbarsur, për të thënë të vërtetat. Rrëfimi për të vërtetat e Himarës i bën mirë çdo himarjoti. Jetojmë kohë tjetër, ku që të gjithë kërkojnë që t’i atashohen me vlerat e tyre Europës, duke parë nga e ardhmja, për të lënë pas të shkuarën që na ndante. 

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›