E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimin e vazhdon edhe në parti

(E plotësuar) Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e sotëm të Kryesisë së PDK-së dhe kryetarëve të degëve të PDK-së, i ka informuar ata lidhur me rrjedhën e takimit të dytë në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton.

“Duke theksuar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë është i rëndësishëm për procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, kryetari Thaçi ka theksuar se në takimin e dytë me kryeministrin e Serbisë, ka ngritur si pikë të parë të diskutimit çështjen e personave të pagjetur, një çështje kjo humane dhe shumë e dhimbshme”, thuhet në një komunikatë të PDK-së.

Ai ka theksuar se presioni i Uashingtonit dhe Brukselit mbi Serbinë në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur do të jetë edhe më i fuqishëm.

Gjithashtu, ai ka thënë se në takim me kryeministrin e Serbisë, është diskutuar edhe zbatimi në praktikë i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, duke u rënë dakord që zbatimi në praktikë të fillojë në dhjetor.

Çështja e tretë e rëndësishme që është diskutuar në Bruksel, sipas kryetarit Thaçi ishte mundësia e hapjes së Zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe asaj të Serbisë në Prishtinë.

“Serbia ende ka rezervat e saj, sepse e kupton qartë se një hap i tillë është edhe njohje e shtetit të Kosovës. Por, shpresoj se do të arrihet progres lidhur me këtë çështje në takimin e radhës”, është shprehur kryetari i PDK-së.

Në takimin me Kryesinë e PDK-së dhe me kryetarët e Degëve të PDK-së, kryeministri Thaçi theksoi se çështja e katërt e diskutimit në takimin mes dy kryeministrave në Bruksel ishte zhbërja e strukturave paralele në veri të vendit, gjë që sipas tij, kjo çështje është kusht kyç i BE-së për Serbinë, prandaj duhet të implementohet.

Gjithashtu, ai ka informuar edhe për hapat që janë ndërmarrë për trashëgiminë kulturore dhe mbrojtjen e kishave, manastireve, përmes formimit të një njësie të veçantë në kuadër të Policisë së Kosovës.

Në takimin me Kryesinë dhe kryetarët e Degëve të PDK-së, Thaçi është njoftuar me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

Me këtë rast, ai ka përgëzuar strukturat drejtuese të PDK-së në nivel lokal për organizimin e një procesi të mirëfilltë demokratik dhe transparent, që do të rezultojë me forcimin e mëtejmë të Partisë Demokratike të Kosovës, dhe rrjedhimisht afirmimin e vlerave të qeverisjes së mirë, që përfaqëson vizioni evropian i PDK-së, përfundon komunikata e PDK-së

Informon edhe kabinetin qeveritar

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka informuar kabinetin qeveritar lidhur me takimin e dytë të zhvilluar mes tij dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq, duke thënë se këto takime janë në vazhdën e takimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka informuar ministrat e tij për gjashtë çështjet që janë diskutuar në takimin e dytë, duke shtuar se takimi i ardhshëm pritet që të ndodh në dhjetor të këtij viti.

Në mbledhjen e së hënës, Thaçi ka thënë se në takimin e dytë të mbajtur në Bruksel në prezencë të Baroneshës, Catherine Ashton ka pas progres që marrëveshjet të implementohen e sidomos ajo e IBM-it.

“Ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm që normalizon marrëdhëniet ndërshtetërore dhe njohjen nga Serbia në një fazë të mëvonshme. Në takimin e dytë kemi zhvilluar progres sidomos të marrëveshje së IBM-it. Gjithashtu si pikë të dytë kam ngritur çështjen e personave të zhdukur që vazhdon të jetë një preokupim i shoqërisë sonë. Jemi pajtuar se kjo është një çështje humane për zbardhjen e fatit të pagjeturve dhe jemi pajtuar që të inkurajojmë komisionet për të punuar në këtë drejtim”, ka theksuar Thaçi.

Çështja e dytë, në takimin e 2 nëntorit ka qenë zgjidhja e çështjes së kufirit.

Kryeministri ka theksuar se është arritur pajtim që zbatimi i IBM-it të fillojë në dhjetor në katër pika në Jarinjë, Bërnjak, Merdare dhe Dheu i Bardhë, që sipas Thaçit, do të jetë sipas standardeve ndërkombëtare.

Sipas tij, në fazën e mëvonshme Bashkimi Evropian është pajtuar të financoj vendkalimet kufitare për kalimin më të lehtë në zonat neutrale. Gjithashtu, ai ka thënë se roli i EULEX-it do të jetë i njëjtë sikurse në pikat kufitare në veri ashtu edhe kudo tjetër.

“EULEX do të ushtrojë funksionet e tij plotësisht me mandatin e tij nga Kuvendi i Kosovës në të gjitha pikat kufitare. Pra, roli i EULEX-it në pikat kufitare në veri do të jetë i njëjtë me atë në jug, perëndim apo diku tjetër. Pra EULEX-i e ka një mandat dhe atë mandat që ja kemi dhënë nga Kuvendi i Kosovës. Gjitha të tjerat janë të paqëndrueshme”, ka deklaruar kryeministri.

Çështja e tretë, është ajo e mundësisë së hapjes së Zyrave Ndërlidhëse të asaj në Beograd dhe asaj në Prishtinë.

Sipas kryeministri Thaçi për këtë çështje ka një hezitim nga ana e Serbisë, pasi që me hapjen e kësaj zyre po ndodh hapi i parë drejt njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Është shumë e logjikshme që Republika e Kosovës të hap zyrën e saj në Beograd dhe ajo në Prishtinë. Zyra ndërlidhëse që do të jap shërbime qytetarëve për pajisjen e qytetarëve me dokumente të udhëtimit, e dokumente të tjera. Sa i përket kësaj çështje, Serbia ende ka rezerva sepse hapi i tillë është drejt njohjes së Kosovës. Unë shpresoj që progres do të ketë në takimin e ardhshëm”, ka deklaruar Thaçi.

Një çështje tjetër për të cilën janë pajtuar, sipas kryeministrit, është që Serbia të bëjë transparente financimin e strukturave ilegale në Kosovë.

Madje ai ka thënë se ky është kushti kryesor i Serbisë në integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.

Sipas tij, Serbia gjithçka mund të bëjë sipas plani të Ahtisaarit, duke derdhur së pari mjetet në buxhetin e Kosovës dhe ato mjete pastaj të shpërndahen tek komunat serbe.

Çështja e ruajtjes së trashëgimisë ka qenë një temë tjetër për cilën kanë diskutuar të dy kryeministrat.

Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se për këtë gjë ka iniciuar krijimin e njësisë policor multietnike për ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Ndërkohë çështja e gashtë që ka të bëjë me ndërtimin e autostradës që do të financohet nga Bashkimi Evropian, sipas kryeministrit Thaçi, ishte ide e institucioneve të vendit që autostrada Vërmicë të vijë në drejtim të Prishtinës dhe të shkoj në kufi me Serbinë.

“Kjo ide për këtë projekt ka marr mbështetjen edhe nga Bashkimi Evropian. Ajo çka është me rëndësi që me ndërtimin e kësaj autostrade Kosova do të ketë lidhje me korridorin evropian”, ka thënë ai.

Ai ka informuar kabinetin qeveritar se takimi i ardhshëm pritet të mbahet gjatë muajit dhjetor, por nuk ka përmendur datën e saktë.

Thaçi rrëfehet të premten para deputetëve

Projektbuxheti i Qeverisë së Kosovës do të diskutohet në seancën e së enjtes, ndërkohë në seancën e së premtes do të jetë në rend të ditës raportimi i kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi lidhur me takimin e dytë të mbajtur me kryeministrin serb, Ivica Daçiq. Përderisa, LDK thotë se takimet nuk i cakton kryeministri, Thaçi, por dikush tjetër, AAK kërkon që kuvendi të dijë paraprakisht datën dhe temën bisedave në takim.

Në mbledhjen e kryesisë të mbajtur ditën e hënë është vendosur që në seancën e së enjtes, përveç deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, të diskutohet edhe projektligji për buxhetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se kryeministri ka për detyrë të raportojë para deputetëve për takimin dhe për detajet e takimit.

“Zotëri Thaçi me rezolutë e ka për të detyrë të bëjë raport dhe çdoherë e adreson si kërkesë kryesisë me fut në rend të ditës dhe nuk është ndonjë ngjarje madhore, është me rëndësi çka ka me na thënë, është me rëndësi çka është marr vesh, nëse është marr vesh diçka edhe normalisht edhe gjërat duhet të bëhen me shkrim. Por gjërat me shkrim nëse ka marrëveshje, ato që i dini ju i dimë edhe ne”, ka theksuar Beqiri.

Por Beqiri kur është pyetur se a duhet të ketë informacion kuvendi para se të zhvillohej takimi, ai ka theksuar se takimet i përcakton dikush tjetër dhe jo Thaçi.

“Kjo po ndodh por takimin e ka për detyrë me na raportuar se çfarë ka folur dhe çka është marr vesh edhe për takimin e radhës sigurisht nuk është as kuvendi që i përcakton takimet as ai vet, por dihet dikush tjetër po ja cakton takimet. Ai duhet të raporton dhe të shohim nga raporti i tij çka është bërë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se çfarëdo raportimi në kuvend nxjerrë edhe diskutim të deputetëve dhe një gjë e tillë pritet edhe të premten, kur të raportojë kryeministri.

“Një gjë është që del mbi tjerat, është dy kryeministrat e dy vendeve po takohen, ajo çfarë do të ndodh më tutje me detajet duhet të presim të shohim. Por duket se një insistim të Brukselit që të paktën marrëveshjet që janë arritur deri më tani të implementohet dhe të shihet se si shkon më tutje. Por nuk kemi detaje, do të shohim çka na raporton kryeministri të premten”, ka deklaruar Gjini.

Por Gjini e sheh të nevojshme që para takimit dhe detajet e takimit të njoftohet kuvendi.

“Mendoj që do të kishte qenë në rregull të dihen datat paraprakisht të njoftohet kuvendi paraprakisht. Mirëpo, deri më tani gjithçka është varur prej zyrës së Baroneshës Ashton, por duhet të shohim me tutje si ndodh. Me siguri se kuvendi duhet të jetë i informuar edhe në bazë të rezolutës edhe në bazë të kushtetutës, të gjithë ajo që ndodh për Kosovën dhe rreth Kosovës”, ka theksuar ai.

Gjatë të premtes do të jetë në rend të ditës edhe projektligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, projektligj ky që është kritikuar edhe njëherë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›