Rregjistrohet statuti, Shqipëriapritet të kthehet në FIFA
Eshtë rregjistruar në gjykatën e Tiranës statuti i FSHF-së. Pritet heqja e masës së pezullimit
Gjyqtarja e gjykatës së Tiranës, Elbana Lluri, ka vlerësuar dje ligjshmërinë e statutit të FSHF-së, dhe e ka rregjistruar atë, duke i dhënë fund kalvarit të gjatë të krizës që kishte kapur futbollin shqiptar pas pezullimit nga aktivitetet ndërkombëtare. Pas firmosjes së statutit nga Ministri i Sporteve, Ylli Pango, rregjistrimi i tij, ishte hapi i dytë dhe më i vështirë që duhej ndërrmarë, për t'i hapur rrugën rikthimit të Shqipërisë në FIFA. Falë përshpejtimit të procedurave dhe ndërhyrjes së Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili është njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjithçka përfundoi me sukses. Menjëherë pas këtij lajmi të mirë, institucioni i futbollit shqiptar ka njoftuar FIFA-n. Tashmë, kur gjithçka është "ok", komiteti ekzekutiv i organizmit më të lartë të futbollit, pritet të marrë shumë shpejt një vendim qarkullues, i cili do të hiqte masën e pezullimit të Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare. Sipas informacioneve, sot drejtori i çështjeve juridike të FIFA-s, Zherom Shampnja, do të paraqesë një raport për situatën dhe më pas do të jepet vendimi. Pra, rreziku i një Shqipërie të përjashtuar merr fund dhe punë orësh Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë përsëri anëtare me të drejta të plota e FIFA-s dhe UEFA-s. Kujtojmë që kolapsi që kapi futbollin shqiptar nisi më 14 mars, kur FIFA, e më pas UEFA, pezulluan Shqipërinë, pas shumë paralajmërimeve. Shkak për këtë krizë të madhe u bë mosfirmosja e statutit nga Ministri i Sporteve, Ylli Pango. Pas shumë korrenspodencave me FIFA-n, Pango u bind, ndërkohë që i "famshmi" neni 53, aty ku ishte i gjithë problemi, u la i "ngrirë" për t'u disktuar në muajin maj, nga një grup pune katërpalësh, me përfaqësues të FIFA-s, UEFA-s, ministrisë dhe FSHF-së. Megjithatë, për të arritur deri në zgjidhjen e kësaj krize, do të duhej patjetër ndëryrja e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Ky i fundit, i njohur si një dashamirës i futbollit, inicioi një takim me kreun e FSHF-së, Armand Duka dhe atë të MTKRS-së, Ylli Pango. Sinjali pozitiv erdhi menjëherë, teksa kreu i shtetit shërbeu si katalizator për zgjidhjen e çështjes. Më pas gjithçka vijoji normalisht, ku ministri Pango kreu "detyrat e shtëpisë", të lëna nga FIFA. Tani kur pritet me padurim vendimi i kësaj të fundit, ngelen për t'u parë mardhëniet e palës shtetorore dhe FSHF-së, edhe pse së shpejti do të bëhet takimi katërpalësh për të zgjidhur edhe ngërçin e vetëm, nenin 53.