Luka Toni, "ofertë" Gatuzos dhe De Rosit
Sulmuesi i Bajernit shprehet se i pëlqen të ketë shok një Italian te skuadra e tij
Luka Toni është tashmë "mbreti" i ri i Mynihut të Bavarisë dhe shpreson që një tjetër italian të arrijë në Gjermani këtë verë. Ish-qendërsulmuesi i Fiorentinës, që me dygolëshin e tij fundjavën e shkuar e udhëhoqi Bajernin drejt fitores së Kupës së Gjermanisë, uron që të flasë më shpesh italisht sezonin e ardhshëm. "Do të më pëlqente shumë, nëse vjen ndonjë tjetër italian. Kështu mund të flas edhe unë gjuhën time në dhomat e zhveshjes, - deklaroi Toni. - Në këto momente, klubi është i fortë edhe kështu, por në Serinë A luajnë shumë kampionë që mund ta përmirësojnë nivelin e skuadrës sonë." Për këtë motiv, Toni ditët e shkuara takoi presidentin Karl Heinx Rimenige, duke e këshilluar për dy blerje të mundshme. Dhe kështu filloi gjuetia e emrave misteriozë. I pari dihet tashmë: është mesfushori Rino Gatuzo, që në fund të sezonit (siç ka konfirmuar edhe një nga menaxherët e tij) do të vendosë, nëse do të ndryshojë skuadër ose jo, për të gjetur stimuj të rinj. Emri i dytë është ai i mesfushorit të Romës, Daniele De Rosi, i cili ka mbetur i zhgënjyer pas vendit të dytë në kampionat, dhe tashmë kërkon të gjejë një skuadër ku të fitojë, por jo vetëm të luftojë. Megjithatë, Toni as nuk konfirmon e as nuk përgënjeshtron: "Nuk më takon mua të gjej emrat; kemi drejtues të aftë që dinë të veprojnë. Në sezonin e ardhshëm jam i sigurt që do të jemi protagonistë edhe në Champions". Ndoshta, pikërisht falë dy përforcimeve italiane.