E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregulla të reja në Qeveri

Qeveria ka aprovuar një rregullore me të cilën definohet funksionimi i saj i brendshëm. Rregullorja përcakton rolin e të gjithë të emëruarve politikë. Ministrat nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit pa lejen e Kryeministrit. Është zgjeruar roli i këshilltarëve politikë të anëtarëve të Qeverisë. Nga Valmir Klaiqi më 21 mars 2011 në ora 10:07

Funksionimi i brendshëm dhe raportet mes anëtarëve të Qeverisë është definuar me një rregullore pune, e cila është aprovuar javën e kaluar.
Deri më tani, kjo është bërë në bazë të një rregulloreje të kohës së UNMIK’ut.

Me rregulloren e re janë specifikuar dhe rregulluar në detaje punët dhe përgjegjësitë e gjithë të emëruarve politikë.

Sipas pikës 3 të nenit 7, Kryeministri mund t’i obligojë zëvendëskryeministrat që të marrin mandat që të udhëheqin ndonjë ministri.

“Zëvendëskryeministri, i cili është përgjegjës për një ministri, duhet t’i mbajë dy sferat e përgjegjësisë të veçanta në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm”, thuhet në pikën katër të nenit 7.

Me rregulloren e re, zëvendëskryeministri i parë e koordinon punën me zëvendëskryeministrat e tjerë dhe i raporton Kryeministrit.

Sipas kësaj rregulloreje, edhe ministrat janë veshur me disa përgjegjësi.
Sipas nenit 9 të rregullores, i cili flet për përgjegjësitë e ministrave, këta të fundit ftohen që të sigurojnë ndarjen transparente dhe të përgjegjshme të fondeve që i marrin nga buxheti i Kosovës dhe nga burime të tjera.

Sipas pikës 1.5 të nenit 9, ministrat duhet të krijojnë dhe të zbatojnë masa kundër mashtrimit dhe korrupsionit, si dhe të nxisin vetëdijesimin kundër mashtrimit.

Sipas pikës 1.6, ministrat mund të krijojnë dhe aftësojnë kuadro në fushat e përgjegjësive të tyre përkatëse.

Pika dy e nenit 9 flet për llogaridhënien e ministrave ndaj Kryeministrit.
“Ministrat janë përgjegjës që të informojnë paraprakisht Kryeministrin për vizitat jashtë vendit dhe të raportojnë me shkrim apo me gojë, jo më vonë se pesë ditë pas realizimit të tyre.

Me rregulloren e re të Qeverisë, zëvendësministrat kanë përgjegjësi dhe kanë gjetur hapësirë më të madhe të trajtimit të tyre sesa me rregulloren e kaluar.
Sipas nenit 12, zëvendësministrat emërohen nga Kryeministri për mbështetjen e ministrave.

“Ata janë përgjegjës për menaxhimin e aktiviteteve në fushat e përcaktuara nga ministri dhe për zëvendësimin e ministrit kur ai mungon ose kur nuk është në gjendje të kryejë detyrën e tij”.

Rregullorja e re e Qeverisë ka paraparë edhe zgjidhjen e kontesteve mes ministrave dhe zëvendësministrave.

“Në rast të mosmarrëveshjes mes ministrit dhe zëvendësministrit dhe me kërkesë të cilitdo prej tyre, Kryeministri merr vendim përfundimtar”, thuhet në nenin 14, i cili vijon në pikën dy se zëvendësministri mund të shkarkohet vetëm nga Kryeministri.

Ndërmjetësit politikë

Kreu 4 i Rregullores për punën e Qeverisë i është kushtuar këshilltarëve politikë të Kryeministrit, zëvendësve të tij dhe ministrave.

Këshilltarët politikë janë një kategori e veçantë e zyrtarëve qeveritarë, të cilët emërohen drejtpërdrejt nga eprori i tyre dhe u pushon mandati me përfundimin e mandatit të eprorit të tyre, nëse kjo marrëdhënie e punës nuk ndërpritet më herët.

Këshilltarët, sipas rregullores, nuk obligohen të jenë të paanshëm dhe në fakt sipas pikës 1.4 të nenit 20, ata janë të obliguar të demonstrojnë lojalitet personal dhe përkushtim politik për eprorin e tyre.

“Duhet të ofrojnë lidhje mes roleve politike dhe partiake të eprorit të tyre, duke e paralajmëruar atë për implikimet politike të çështjeve ministrore, duke e informuar rregullisht për zhvillimet e fundit partiake dhe gjithashtu, e informojnë partinë e eprorit për aktivitetet e tij”.

Sipas rregullores së re të Qeverisë, një nga këshilltarët politikë të Kryeministrit, apo ministrave, do të jetë zëdhënës i Qeverisë, gjegjësisht ministrive, ndërsa njëri nga këshilltarët e tjerë do të jetë Shef i Kabinetit të Kryeministrit.

Po ashtu, njëri prej këshilltarëve politikë do të jetë si këshilltar i lartë, dhe do të koordinojë punën e këshilltarëve të tjerë politikë.

Numri i këshilltarëve
Sipas kësaj rregulloreje, Kryeministri mund të emërojë deri në 12 këshilltarë politikë.

Zëvendëskryeministrat që mbulojnë edhe ministri, mund të emërojnë deri në 6+1 këshilltarë politikë.

Zëvendëskryeministrat që nuk mbulojnë asnjë ministri, mund të emërojnë deri në 3 këshilltarë politikë. Ministrat mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›