E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi, policia ruan falas kriminelët me arrest shtëpie

Në asnjë ligj nuk parashikohet se policia duhet t’i mbajë këta persona nën mbikëqyrje

Të gjithë personat që janë me “arrest shtëpie” ruhen falas nga policia, pasi në asnjë nen të Kodit të Procedurës Penale, apo ligj tjetër nuk përcaktohet ruajtja e tyre. Ky është një ngërç që prej vitesh shqetëson policinë, që u ka kushtuar shumë efektivëve deri edhe në burgosjen e tyre. Madje, kjo veprimtari ka edhe një kosto tejet të lartë, pasi vetëm për ruajtjen e të proceduarve penalisht me “arrest shtëpie” gjatë vitit 2009 në Vlorë i ka kushtuar policisë rreth 100 mijë dollarë, pa llogaritur edhe qytetet e tjera. Por, deri më sot, kjo është pranuar në heshtje nga policia, pavarësisht se nuk parashikohet në asnjë ligj ruajtja e këtyre personave.

Veprimet e paligjshme

Sipas të dhënave, pas arrestimit, të gjithë personat e akuzuar për vepra të ndryshme penale, i kalojnë në varësi Ministrisë së Drejtësisë. Ata mbahen në ambientet e paraburgimit, ndërkohë që policia i shoqëron vetëm nëse është e nevojshme kur paraqiten në gjykatë. Por, në raste të veçanta, gjykata vendos që të akuzuar për vepra të ndryshme penale të mbahen gjatë gjykimit me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Sipas Kodit të Procedurës Penale, pikërisht në nenin 237 të tij deklarohet se me vendimin e arrestit në shtëpi, gjykata urdhëron të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij ose nga një vend i caktuar ku ai banon, kurohet ose mbahet me asistencë. Ndërsa në pikën dy të këtij neni, deklarohet se kur është e nevojshme, gjykata i vë kufizime ose ndalime të pandehurit për të komunikuar me persona të tjerë, me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.

Nga ana tjetër, pasi të pandehur të ndryshëm marrin masa të tilla dërgohen në banesë dhe bashkë me ta, policia dërgon punonjës policie për ruajtjen e tyre që të mos largohen nga banesa. Madje, në raste të ndryshme, policia e ruan të pandehurin me tri turne. Praktikisht ky shërbim kryhet nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, pavarësisht se nuk është e parashikuar në detyrat e tyre të përcaktuara me ligj. Në raste të tilla shefat përkatës bëjnë planet e punës dhe japin shërbime për efektivët e FNSH-së, të cilët mbajnë përgjegjësi disiplinore, por edhe penale, nëse i pandehuri largohet nga vendi i qëndrimit, i lënë në fuqi me vendim gjykate.

Procedura Penale

Por, duke kërkuar në Kodin e Procedurës Penale, ku parashikohen qartazi gjithë procedurat sesi duhet vepruar në raste të tilla, nuk gjendet asnjë rresht ku të deklarohet se i pandehuri me vendimin e gjykatës “arrest në shtëpi”, duhet të ruhet nga efektivët e policisë, ose të FNSH-së. Veç Kodit të Procedurës Penale, edhe në ligje të tjera, mbi të cilat vepron policia shqiptare, nuk përcaktohet asgjë mbi këtë detyrë, duke lënë efektivët të kryejnë një detyrë të papërcaktuar në ligj. Madje, i vetmi përcaktim mbetet në pikën tre të nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale, ku deklarohet se prokurori dhe policia gjyqësore kontrollojnë respektimin e urdhrave që i janë dhënë të pandehurit. Pra, parashikohet që ata të kontrollojnë nëse i pandehuri i respekton këto urdhra dhe jo ta ruajnë nga frika se nuk i respekton.

Megjithatë, kjo ka edhe anën tjetër të medaljes. Nëse një i pandehur mund të realizojë qëndrimin e tij në arrest shtëpie, atij i njihen ditët njësoj sikur të ishte në arrest me burg, përcaktuar në pikën 4 të nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale, ku deklarohet se “për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin”. Kjo do të thotë se kur të jepet dënimi ndaj tij, i bie që ai ta ketë kryer dënimin, duke qëndruar në shtëpi dhe gjithë telashet për këtë person i merr policia, qoftë në sigurimin e tij, qoftë edhe nëse ai largohet nga vendi i caktuar nga gjykata.

Pasojat për policinë

Kjo procedurë kryhet prej vitesh dhe asnjëherë nuk është marrë guximi nga ana e drejtuesve të policisë që të kërkojnë llogari për një detyrë që nuk u është përcaktuar me ligj. E vetmja detyrë që ata kanë përcaktohet në nenin 247, po të Kodit të Procedurës Penale, ku shprehet se kur personi ndaj të cilit është marrë masa nuk gjendet, oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore mban procesverbal, në të cilin tregon kërkimet e bëra dhe ia dërgon atë gjykatës që ka dhënë vendimin. Veç telasheve të lartpërmendura, jo në pak raste, efektivë të FNSH-së janë larguar nga detyra, janë ulur në gradë, ose kanë marrë masa të tjera. Gjithashtu, kjo ka edhe një kosto për policinë, pasi gjatë katër viteve mësohet se për repartin e FNSH-së në Fier, Policia e Shtetit ka dhënë rreth 40 mijë USD për dietat e efektivëve që kanë ruajtur të pandehur me arrest shtëpie në Vlorë. Gjithashtu, shifra të larta janë edhe për repartet e tjera të FNSH-së, pavarësisht se kjo nuk është e përcaktuar si detyrë e tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›