Rregullat e provimeve të lirimit te 9-vjeçaret, si ato të maturës
Njëlloj si për provimet e Maturës Shtetërore përmes një rregulloreje të ngjashme do të zhvillohen edhe dy provimet e lirimit të shkollave 9-vjeçare në vendin tonë, ato të gjuhës amtare dhe matematikës. Ndërkohë që për datat e provimit pritet udhëzimi i posaçëm i ministrit të Arsimit. Rregullorja e dy provimeve të lirimit parashikon mes të tjerash që testimet kryhen vetëm me shkrim në një ditë të caktuar. Nxënësi që nuk arrin të kalojë në këto provime ka të drejtë që t’i rijapë ato në sesionin e dytë.
Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga AVA prej hartuesve të testeve. çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Drejtoritë arsimore dhe zyrat arsimore urdhërohen të ngrenë grupe që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Shpallja e rezultateve, sipas rregullores duhet të bëhet jo më shumë se 15 ditë, pas çdo provimi të lirimit në shkollat 9-vjeçare.
Rregullorja përcakton gjithashtu se mjedisi më i vogël i përshtatshëm për zhvillimin e provimeve të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës. Largësia ndërmjet çdo nxënësi të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njëri te tjetri, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa. Në ditën e provimit, në shkollë nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin. Mjediset të jenë të ajrosura, të pastruara dhe të ndriçuara. Në mjediset ku zhvillohet provimi nuk duhet të ketë postera, tabela ose materiale të tjera, që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Nxënësit ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim. Sipërfaqja që nxënësi ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40 cm x 60 cm. Në shkollat ku numri i nxënësve është më i vogël ose i barabartë me 20, komisionet i grupojnë shkollat dhe caktojnë mjedisin ku zhvillohen provimet. Nxënësit do të lajmërohen paraprakisht për vendet e provimit, si dhe premtohet që atyre t’u krijohen kushte lehtësuese transporti.
Materialet e provimit do të tërhiqen në AVA, një ditë përpara provimit, nga dy persona të autorizuar që mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e sekretit. Kutitë me testet e nxënësve të vlerësuara arshivohen dhe ruhen deri në 6 muaj. Po kështu, rregullorja saktëson se për mjediset me më pak se 25 nxënës caktohet një administrator provimi. Ky është një person mjaft i rëndësishëm për mbarëvajtjen e provimeve, ndaj dhe janë përcaktuar një seri me rregulla për detyrat dhe funksionet e administratorit pa harruar edhe përgjegjësitë e tij që shkojnë me penalitete deri në largim nga puna. është vendosur si edhe më parë që administratori i provimit që caktohet për mbikëqyrjen e nxënësve nuk është mësues i asaj shkolle dhe i lëndës që po merret në provim. Gjatë provimit, ai ndalohet të mbajë celular. Drejton çdo nxënës nëpër vende dhe nuk lejon ndërrimin e vendeve. Nuk lejon asgjë tjetër, përveç stilolapsit dhe certifikatës personale në tavolinën e çdo nxënësi. Sigurohet që çdo nxënës e ka kuptuar se çfarë duhet të bëjë. Gjatë kohës së provimit, zë një pozicion që të mbikëqyrë të gjithë mjedisin e provimit. Administratori nuk largohet për asnjë moment nga mjedisi i provimit. Nuk lejon ngrënien, zhurmën, kopjen ose komunikimin e nxënësve me njëri-tjetrin. Vendos çdo nxënës në mënyrë të atillë që çdonjëri të shikojë në të njëjtin drejtim. Nuk i përgjigjet asnjë pyetjeje të nxënësit mbi përmbajtjen e testit. Nuk lejon për asnjë arsye largimin e nxënësit nga mjedisi i provimit pa realizimin e procesit të sekretimit. Vendos në dosjen e caktuar materialet e provimit që dorëzohen nga nxënësit. Ndalohet të shfletojë ose të bëjë shënime në materialet e provimit, si gjatë tij edhe pas tij. Nuk lejon asnjë nxënës të ketë kohë shtesë për zhvillimin e provimit. Nuk lejon asnjë individ tjetër të paautorizuar në mjedisin e provimit.
#