Deputetët e PS-së, edhe dy seanca afat për betimin
Negociatat midis pozitës dhe opozitës nën ndërmjetësimin e kreut të shtetit, Bamir Topi, dhe prezencës së delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës, do të përcaktojnë edhe qëndrimin e socialistëve mbi bojkotin. Ditët e fundit është përfolur rreth strategjisë rezervë që ka Partia Socialiste për ecurinë e negociatave. Sipas asaj çka ka deklaruar kryeparlamentarja Jozefina Topalli përmes një letre zyrtare drejtuar deputetëve socialistë, kalendari i seancave është i qartë. Data 25 shkurt përkon me seancën e parafundit që është në dispozicion të deputetëve socialistë të mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Data 4 mars është afati final pas të cilit deputetët socialistë do të humbasin mandatin, nëse nuk paraqiten për të bërë betimin. Nëse lidershipi i selisë rozë do të vendosë që të betohet e më pas të rivazhdojë bojkotin e Kuvendit, ka shumë gjasa të shënohet çarja e parë zyrtare në grupin parlamentar. Një grup deputetësh janë të gatshëm të mos dalim më nga Kuvendi pasi të bëhet betimi. Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, është i pari që ka deklaruar se javën e parë të muajit mars do të jetë i pranishëm në Kuvend, për të bërë betimin. Ky veprim është paralajmëruar të ndërmerret pavarësisht vendimit zyrtar të lidershipit të socialistëve. Me këtë qëndrim janë bashkuar edhe disa deputetë të tjerë të asaj çka cilësohet Lëvizje për Mendimin Ndryshe në selinë rozë. Hyrja në Kuvend është deklaruar nga Andis Harasani, Kastriot Islami, Marko Bello ndërsa më i rezervuar ka qenë deputeti dhe anëtari i Kryesisë Arben Malaj. Kryerja e betimit të deputetëve të selisë rozë mund të paraqitet si një lëshim në raport me krizën politike, por do të forcohet qëndrimi mbi kutitë e votimit. Pra, kreu i socialistëve do të dërgojë deputetët për të bërë betimin dhe në mungesë të marrëveshjes, do t’i nxjerrë ata sërish jashtë Kuvendit. Në një pozicion të tillë, grupi parlamentar i socialistëve do të insistojë tek arritja e një marrëveshjeje që domosdo nënkupton hapjen e kutive të votimit.
#