Rregullore e re për mbikëqyrjen e bankave

Kërkesa e lartë e ekonomisë dhe e individëve për kredi, ka rritur ndjeshëm nivelin e huadhënieve që nuk kthehen (nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë kredia me probleme në 3 muaj është rritur 25 për qind). Kjo situatë ka imponuar Bankën e Shqipërisë, që të marrë masa shtrënguese në drejtim të kredidhënies, duke forcuar pozitat e saj mbikëqyrëse në sistemin bankar me miratimin e rregullores së re. Fillimisht, bankat e nivelit të dytë duhet të kenë domosdoshmërish fonde rezervë në valutë të huaj, sipas specifikës së kredisë. Burime zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë thanë për gazetën “Korrieri”, se kjo masë e re është vendosur për shkak të mungesës së mbajtjes së fondit rezervë në valutë nga bankat. Situata ka evidentuar se bankat e nivelit të dytë pavarësisht se shpërndajnë kredi në valutë, e cila nuk është shumë e përdorur në tregun vendas, nuk kanë një fond rezervë, me qëllim administrimin e rrezikut. Po ashtu, sipas rregullores së re të Bankës së Shqipërisë, ekspozimi i bankës ndaj një personi ose personave të tjerë konsiderohet i madh, kur vlera e këtij rreziku është e barabartë ose më e madhe se 10 për qind e kapitalit rregullator të saj. Në rast se ekspozimi i madh tejkalon kufizimet maksimale që vendos ligji “Për bankat”, referuar kësaj rregulloreje, Banka e Shqipërisë do të marrë masa ndëshkimore. D.m.th., bankat nuk mund të japin p.sh., kredi për një person apo grup personash të lidhur me të, në rast se shkelin kufijtë e përcaktuar në ligj dhe kjo bën të mundur monitorim efektiv të rrezikut të përqendrimit në disa kredimarrës apo në të tjera forma të investimit të fondeve të bankës (p.sh.: në depozita pranë të tretëve, letra me vlerë, obligacione etj). Konkretisht, administratorët e bankës, sipas politikave dhe procedurave të vetë bankës për personelin, nuk mund të përfitojnë kredi që tejkalojnë shumën 8 milionë lekë të reja. Rregullorja është harmonizim i kërkesave të reja të ligjit dhe tërësisë së rregullave dhe kritereve të autoritetit mbikëqyrës për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj një personi/klienti ose grup personash/klientësh të lidhur ose në një marrëdhënie të veçantë me bankën, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre. Rregullorja është shkrirje e dy rregulloreve të mëparshme të Bankës së Shqipërisë “Për kontrollin e rreziqeve të mëdha në sistemin bankar” dhe “Për marrëdhëniet e bankës me personat e lidhur me të”.
Alarmi
Alarmi mbi përkeqësimin e kredive është dhënë nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, sipas të cilit niveli i kredive me probleme është rritur 25 për qind, nga 12.5 për qind që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tashmë Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re mbi rishikimin mbikëqyrës që rregullon aktivitetin bankar. Ashtu dhe siç është deklaruar nga të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, rrezikshmëria më e lartë për moskthimin e kredive paraqitet tek të dhënat e kredisë në valutë të huaj. Dhënia e kredive në valutë të huaj shfaq probleme, për shkak se një numër i madh personash që marrin kredi në valutë të huaj, ndërkohë që të ardhurat e tyre i kanë të deklaruara në monedhën vendase.
Rritja e kredisë
Kredia në monedhë 4.74 për qind
Kredia në valutë 8 për qind.
Kreditë dhënë individëve 7.94 për qind
Kreditë dhënë bizneseve 6.55 për qind
Kreditë e sektorit publik 13.3 për qind
Kredia me probleme 25 për qind
Bankat, fonde rezervë në valutë
Bankat e nivelit të dytë duhet të kenë domosdoshmërish fonde rezervë në valutë të huaj, sipas specifikës së kredisë. Burime zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë thanë për gazetën “Korrieri”, se kjo masë e re është vendosur për shkak të mungesës së mbajtjes së fondit rezervë në valutë nga bankat. Situata ka evidentuar, sepse bankat e nivelit të dytë, pavarësisht se shpërndajnë kredi në valutë, e cila nuk është shumë e përdorur në tregun vendas, nuk kanë një fond rezervë, me qëllim administrimin e rrezikut.