300 pacientë shqiptarë kurohen në gjermani

TIRANË - Treqind pacientë shqiptarë në vit, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme, do të kenë mundësi të kurohen në spitalet gjermane. Kjo falë marrëveshjes së nënshkruar mes ministrit të shëndetësisë, Nard Ndoka, dhe përfaqësueses së fondacionit “St. Franziskus Stiftung Munster, Motër Diethilde Bovingloh”. Sipas kësaj marrëveshjeje, pala gjermane do të lehtësojë vizita të shkurtra të shkencëtarëve, kërkuesve dhe specialistëve të tjerë në fushën e shëndetësisë, me qëllim shkëmbimin e eksperiencës. E megjithatë, nuk do të jenë vetëm shkencëtarët të cilët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, pasi treqind pacientë do të mund të kurohen çdo vit në spitalet e fondacionit “St. Franziskus Stiftung Munster”. Procedura e dërgimit të pacientëve do të jetë ajo e aplikuar edhe në rastet e pacientëve të dërguar në shtete të tjera, pra në varësi të sëmundjes, gjendjes shëndetësore të tyre dhe mundësive të spitaleve shqiptare për trajtimin përkatës. Angazhimi i palës gjermane është gjithashtu për dhënien sipas legjislacionit gjerman, të një numri të arsyeshëm bursash për mjekët shqiptarë, me qëllim specializimin mjekësor. Ky specializim do të kryhet në spitalet e fondacionit “St. Franziskus Stiftung”, i cili do të kontribuojë brenda mundësive, nxitjen e programeve arsimore për grupe të ndryshme profesionale në spitalet shqiptare, si për infermierë, për shërbimin mjekësor, për nëpunësit e administratës shëndetësore dhe ekonomike etj. Gjithashtu, pala gjermane do të bëjë të mundur marrjen e vizave për pacientët shqiptarë në një kohë sa më të shkurtër, maksimumi dy deri tri ditë, pranë ambasadës gjermane në Tiranë.
Binjakëzohen spitalet
Një tjetër çështje për të cilën pala shqiptare dhe ajo gjermane ranë dakord, ishte nxitja e krijimit të binjakëzimit midis spitaleve gjermane dhe atyre shqiptare. Ministria e Shëndetësisë dhe fondacioni “St. Franziskus Stiftung Munster” ranë dakord gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit të tyre në fushën e shëndetit, si dhe për nxitjen e ndërsjella të eksperiencës së tyre. Këto shkëmbime do të jenë kryesisht nëpërmjet bashkëpunimit midis shoqatave shkencore dhe “St. Franziskus Stiftung Munster”, në çështjet e interesit të përbashkët në fushën e mjekësisë. Kjo do të mundësohet përmes pjesëmarrjes së specialistëve në konferenca e seminare mjekësore të organizuara në të dy vendet, si dhe shkëmbimit të informacioneve mbi çështjet që lidhen me shëndetin publik, shëndetin mjedisor, ushqimin dhe materialet higjienike.