E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja, PD s'formon dot shumicën në komisione

74 deputetët nuk i mjaftojnë mazhorancës për të pasur shumicën. Kjo pasi Topalli dhe ministrat s'mund të jenë anëtarë të komisionit.


TIRANË - Pavarësisht se mundi të krijojë një mazhorancë të nevojshme për të formuar qeverinë, e djathta do ta ketë tepër të vështirë ta ushtrojë këtë mandat qeverisës. Kjo për shkak të numrave në Kuvend që imponoi 28 qershori, megjithëse edhe ata të kontestuara fuqishëm nga ana e opozitës, e cila ende nuk ka vendosur të zërë vendet e saj në këtë institucion ligjvënës.


Pikërisht diferenca me vetëm 8 deputetë që mundi të sigurojë e djathta falë edhe bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, jo vetëm që nuk i garantojnë asaj shumicën e nevojshme për kalimin pa probleme të projektligjeve në seancë plenare, por në komisionet parlamentare, ku dhe zhvillohet debati i parë dhe teknik për çdo nismë ligjore, ajo do të gjendet në minorancë karshi opozitës.


Komisionet


Kthimi i mundshëm i opozitës në Kuvend pritet ta vërë në jo pak vështirësi mazhorancën e djathtë. Jo vetëm në seancat plenare mazhoranca do të detyrohet të kërkojë konsensusin e opozitës, sidomos në kalimin e ligjeve, që kërkojnë votë të cilësuar, por edhe në komisionet e përhershme parlamentare, ku opozita, falë raporteve të numrave me të cilat përfaqësohet, do të jetë shumicë.


Në këtë mënyrë, 74 deputetët me të cilët shumica qeverisëse përfaqësohet në këtë legjislaturë, nuk i mjaftojnë asaj për të pasur shumicën në komisionet parlamentare, të cilët kanë një rol jo pak të rëndësishëm në veprimtarinë parlamentare.


Kjo pasi të djathtët nuk mund ta kenë të gjithë këtë numër deputetësh të gatshëm për të qenë pjesë e komisioneve parlamentare. Është rregullorja e Kuvendit ajo që përcakton në nenin 20 të saj se anëtarët e Këshillit të Ministrave si dhe Kryeparlamentari nuk mund të bëhen pjesë e komisioneve parlamentare. Gjithashtu, në këtë nen sanksionohet edhe detyrimi se një deputet mund të jetë anëtar me të drejtë vote vetëm në një komision.


Një nen i tillë bënë të mundur që mazhoranca, nga 74 deputetë që ka në sallën e Kuvendit, mund të përdorë për anëtarë komisionesh vetëm 58 prej tyre, pasi 15 prej tyre janë bërë ministra, ndërsa Jozefina Topalli Kryetare Parlamenti. Ndërkohë që opozita ka të sigurt plot 66 parlamentarë të gatshëm për t'i shpërndarë në të 8 komisionet kuvendore.


Ky raport përfaqësimi bën të mundur që mazhoranca, pavarësisht se ka marrë krerët e 5 prej komisioneve, do të mund të diskutojë dhe të marrë vendime në to duke u gjendur në minorancë.


Kjo duket se ka qenë edhe arsyeja pse Kuvendi publikoi një herë në faqen zyrtare në internet anëtarët e djathtë në çdo komision dhe brenda ditës u detyrua t'i heqë sërish ato, duke parë tashmë për një zgjidhje tjetër që mund të vijë duke krijuar mazhoranca të sforcuara në komisionet më të rëndësishëm, siç është ai i ligjeve dhe i ekonomisë, ku dhe kalojnë shumica e projektligjeve dhe për t'i lënë opozitës shumicën e theksuar në komisionet më pak të rëndësishme.


Megjithatë, një zgjidhje tjetër mund të jetë edhe ajo për të bërë një ndryshim të detyruar në rregullore, ku të lejojë një deputet të jetë anëtar në më shumë se një komision.


Rregullorja


Megjithatë, shumica që mund të marrë opozita në komisione mund të ketë efekte të përkohshme në jetën parlamentare, pasi rregullorja e Kuvendit i ka siguruar mazhorancës edhe një mekanizëm shtesë, ku i lejon asaj që projektligjet që nuk marrin dot shumicën në to, të mund të kalojnë me votim në Parlament.


Neni 34 thotë se vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të komisionit.


Por në një nen më pas, rregullorja sanksionon se kur komisioni përgjegjës vendos mosmiratimin në parim të projektligjit, ose kur mendimi i Këshillit për Legjislacionin është për mosmiratimin në parim të tij, çështja vendoset për diskutim në seancë plenare.


Kur Kuvendi në seancë plenare vendos miratimin në parim të projektligjit, komisioni përgjegjës fillon shqyrtimin nen për nen të tij në mbledhjen më të parë. Por, megjithatë, një mekanizëm i tillë sjell detyrimisht ngadalësimin e punës së Kuvendit, ndaj mazhoranca do të përpiqet tashmë që të marrë konsensusin e opozitës që në fazën e komisioneve.


Deri më tani, mazhoranca ka vendosur të drejtojë vetë Komisionin e Ligjeve me Ilir Rusmalin, Komisionin e Ekonomisë, me kryetar Edmond Spahon, Komisionin e Politikës së Jashtme, me kryetar Fatos Bejën, Komisionin e Sigurisë Kombëtare, me kryetar Leonard Demin dhe Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, me kryetar Jemin Gjanën.


Ndërsa opozitës i është lënë drejtimi i Komisionit të Shëndetësisë dhe Punës, Komisioni i Medias dhe Komisioni Integrimit. Një ndarje kjo që pritet të shkaktojë debate, pasi balancimin e drejtimit të jetës kuvendore, PS-ja e ka përfshirë dhe në një nga pikat e paketës së saj të kushteve.


Neni 20


Anëtarësia në komisionet e përhershme
1. Në komisionet e përhershme marrin pjesë të gjithë deputetët dhe përbërja e tyre, për aq sa është e mundur, pasqyron grupet parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend. Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk mund të jenë anëtarë të komisioneve të përhershme.


2. Deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një komisioni të përhershëm. Ai mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve të tjera, por pa të drejtë vote.

Neni 38 Pika 6


Kur komisioni përgjegjës vendos mosmiratimin në parim të projektligjit, ose kur mendimi i Këshillit për Legjislacionin është për mosmiratimin në parim të tij, çështja vendoset për diskutim në seancë plenare. Kur Kuvendi në seancë plenare vendos miratimin në parim të projektligjit, komisioni përgjegjës fillon shqyrtimin nen për nen të tij në mbledhjen më të parë.


Rama e Lakrori prezantojnë programet e tyre për drejtimin e partisë në Korçë


Rama në Korçë: Jo në Kuvend pa u hapur kutitë

TIRANË - Turi elektoral i dy kandidatëve për kryetar të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, është ndalur dje në qytetin e Korçës, ku është zhvilluar një ndër takimet me të mira me anëtarësinë.


Kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, dhe rivali i tij në këtë garë, Maqo Lakrori, kanë prezantuar përpara anëtarësisë socialiste së Korçës programet e tyre për mandatin e ardhshëm katërvjeçar të drejtimit të PS-së. Takimi i zhvilluar dje me pyetje- përgjigje u shoqërua nga një mendim të përbashkët: "Nuk ka hyrje në Kuvend, po nuk u hapën kutitë e votimit".


Duke parashtruar kërkesat e opozitës, përmbushja e të cilave do të mundësonte pjesëmarrjen e saj në Kuvend, Rama sqaroi edhe njëherë para anëtarësisë se me këto kërkesa, opozita nuk kërkon të marrë pushtetin në tavolinë, por të dalë në dritë ajo që qëndron akoma në errësirën e kutive të votimit, për të hapur një herë e mirë epokën e transparencës së votës.


Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh dje se jemi në një betejë të pambaruar, por që herët a vonë do të mbarojë me fitoren e merituar." Opozita jonë nuk negocion vlerat, nuk bën pazar me idealet, nuk shitet dhe nuk mund të blihet dot. Shqipëria nuk është vend i pushtuar, por shteti sillet sikur e ka pushtuar",- tha dje Rama gjatë fjalës së mbajtur.


Kryetari në detyre i ka kërkuar anëtarësisë socialiste të Korçës që të zhvillohet një proces transparent më 26 shtator, ditën kur do të zgjidhet edhe kryetari i ri i PS-së, për një mandat të ri katërvjeçar.


Ndërsa kandidati tjetër për postin e kryetarit të partisë, Maqo Lakrori, u shpreh gjatë fjalës së tij se ai synon që Partia Socialiste të shfaqë në të ardhmen tri cilësi të saj, duke veçuar atë të solidariteti njerëzor, demokracisë së brendshme në parti dhe integritetin e saj.


Por përpos garës së brendshme në parti, PS-ja thuajse çdo ditë kujton përmes daljeve publike pikërisht qëndrimin e saj kundrejt Kuvendit. Edhe dje, përmes një konference për shtyp, një prej deputetëve të kësaj force politike, Taulant Balla, evidentoi arsyet se përse PS-ja nuk shkon në Kuvend. Sipas Ballës, opozita nuk mund të kthehet në Parlament nëse nuk zbardhet e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit.


"Nuk mund të kthehemi në atë Parlament, nëse nuk na respektohet e drejta jonë, e shkruar në Kushtetutë dhe në ligj, për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit",- tha dje Balla. Ai vuri në dukje se PS-ja nuk po bojkoton institucionet demokratike dhe Kuvendin, por ka vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar me të.


Dikur kundërshtarë për postin e kryetarit të bashkisë, Rama dhe Ngjela bashkohen për zgjedhjet


Rama-Ngjela, takim për zgjedhjet

TIRANË - Procesi zgjedhor i 28 qershorit dhe kontestimi i legjitimitetit të institucioneve që prodhoi ai, kanë bashkuar të gjithë faktorët opozitarë. Pas unifikimit të qëndrimit me opozitën e majtë, Partia Socialiste nuk ka nguruar që një gjë të tillë ta kërkojë edhe përtej këtij spektri, tek ato forca dhe individë, që ndajnë të njëjtin vlerësim lidhur me këtë proces zgjedhor.


Në këtë kuadër, kreu në detyrë i socialistëve ka zhvilluar dje një takim informal edhe me ish-deputetin demokrat, tashmë kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela.


Dy protagonistët e këtij takimi nuk kanë pranuar që të bëjnë asnjë koment lidhur me objektin e bisedës së zhvilluar, por burime pranë tyre kanë konfirmuar se ka qenë pikërisht situata politike që prodhoi procesi zgjedhor i 28 qershorit në fokusin e interesit të tyre.


Kështu, konfirmohet se Rama dhe Ngjela, dikur kundërshtarë në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë pasur vlerësime të përafërta lidhur me zgjedhjet parlamentare, duke e cilësuar rezultatin e tyre jo të drejtë dhe transformim të vullnetit të zgjedhësve.


Për pasojë, ata kanë rënë dakord që të koordinojnë qëndrimet dhe aksionet e tyre politike në denoncimin e asaj që shpesh edhe në mënyrë publike këto dy personazhe e kanë konsideruar si farsë elektorale.


Në këtë kuadër, nuk përjashtohen as aksionet ligjore që mund të ndërmerren në funksion të detyrimit të mazhorancës që të bëjë transparencën e zgjedhjeve parlamentare, duke hapur kutitë e votimit në ato zona ku dhe ka pasur kontestime. Megjithatë, nuk është hera e parë që Rama dhe Ngjela takohen për këtë qëllim, pasi edhe më parë ata kanë zhvilluar biseda rreth kësaj çështjeje.


Për Ramën ky përbën rastin e dytë të kërkimit të bashkëpunëtorëve brenda spektrit të djathtë në mbrojtje të kauzës së tij për rinumërimin e votave, pasi disa ditë më parë ai një gjë të tillë e tentoi edhe me kreun e PDK-së, Nard Ndoka

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›