E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iraku lëshon fletë arrest për zëvendës-presidentin

Qeveria irakiane ka lëshuar një fletë arrest për zëvendës-presidentin e vendit, Tarik al-Hashemi, zyrtarin më të lartë sunit të vendit, nën akuzat për terrorizëm.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Adil Daham, këtë e kumtoi në në një deklaratë për media, përderisa televizioni shtetëror transmetoi ato që u cilësuan si rrëfime nga terroristë të dyshuar se kanë lidhje me Al-Hashemin.

Hashemi dhe zëvendëskryeministri Saleh al-Mutlak, që të dy sunitë dhe anëtarë të

bllokut sekular irakian, janë vënë nën trysni, pas arrestimit të tri truprojave të zëvendës presidentit dhe pas thirrjes së kryeministrit Nuri al-Maliki që Mutlak të shkarkohet.

Autoritetet thanë se tri truprojat e Hashemit janë arrestuar të shtunën, nën dyshimet për aktivitete terroriste.

Të dielën, blloku irakian i Hashemit dhe Mutlakut, tha se do të bojkotojë parlamentin në shenjë proteste ndaj pretendimit për monopolizim të pushtetit nga ana e kryeministrit.

Zhvillimet e fundit vijnë në kohën kur po rritet frika për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Irak, pas tërheqjes së trupave amerikane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›