E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja, maturantët mbetës mund t’i ndjekin studimet e larta



Avushe Zhuka

Maturantët mbetës kanë një shans të dytë për të ndjekur studimet e larta me kohë të pjesshme nëse marrin vlerësim pozitiv në provimet e vjeshtës. Ndryshimet e bëra në rregulloren e fakulteteve, duke hequr kriterin e dhënies së provimeve me zgjedhje për të gjithë ata që duan të ndjekin studimet në sistemin me kohë të pjesshme, u japin mundësinë maturantëve për të ndjekur universitetin me kohë të pjesshme.
Rregullorja
Maturantët që nuk kanë hyrë në provimet me detyrim të Maturës Shtetërore, ose që kanë hyrë dhe nuk kanë arritur të kalojnë, i kanë të gjitha shanset që të bëhen pjesë e universiteteve. Nëse ata vlerësohen pozitivisht në provimet e vjeshtës dhe zgjedhin t’u nënshtrohen edhe provimeve të lëndëve me zgjedhje për të fituar sa më shumë pikë, u jepet një mundësi e dytë. Rregullorja e Maturës Shtetërore u jep këtyre të rinjve mundësinë e dhënies së provimeve për herë të dytë brenda vitit. Rregullorja përcakton se maturantët që vlerësohen me notë kaluese në vjeshtë mund të zgjedhin t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje në tetor të këtij viti. Ky është sezoni i dytë i provimeve të Maturës ku testimi i të rinjve do të bëhet sipas datave të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore duke u dhënë mundësi të konkurrojnë për degën e tyre të preferuara në fakultet. Në rast të kundërt maturantët mund të zgjedhin të mos u nënshtrohen provimeve me zgjedhje, por të konkurrojnë direkt për t’u bërë pjesë e universitete, edhe pse në këtë rast mundësitë për t’u pranuar janë të pakta.

Ministria
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka bërë të ditur faktin se këta kandidatë mund të aplikojnë në universitet për t’u bërë pjesë e studimeve me kohe të pjesshme. Maturantët që do të vlerësohen pozitivisht në provimet e vjeshtës dhe zgjedhin t’u nënshtrohen provimeve të Maturës me qëllim ndjekjen e studimeve të larta, i kanë të gjitha mundësitë të fitojnë një nga degët. Megjithatë, këta të rinj nuk do të kenë mundësi të aplikojnë në të gjitha degët që preferojnë pasi në shumë prej tyre konkurrenca këtë vit pritet të jetë e fortë për shkak të kërkesave. Maturantët mbetës mund të shpallen fitues në degë që nuk janë shumë të preferuara nga të rinjtë apo në degët që Ministria e Arsimit do të vendosë të jenë të hapura për të rinjtë që duan të bëhen pjesë e shkollës së lartë këtë vit akademik. Maturantët që janë vlerësuar me notë jokaluese në provimet e fundvitit të Maturës Shtetërore dhe pikërisht në një apo në dy provimet e lëndëve me detyrim si Letërsi dhe Matematikë, nëse arrijnë të vlerësohen pozitivisht në vjeshtë, atëherë ata mund të bëhen fitues. Sipas rregullores së ndryshuar ata i kanë të gjitha mundësitë që të aplikojnë në një nga degët e preferuara për të vazhduar studimet me kohë të pjesshme.

Procedurat e pranimit në shkollat e larta për ish-nxënësit

Maturantët që kanë përfunduar shkollën një vit më parë, në bazë të Rregullores së Maturës Shtetërore, mund të kandidojnë për t’u bërë pjesë e shkollës së lartë pa iu nënshtruar provimeve me zgjedhje nëse i kanë dhënë ato më parë. Dhënia e provimeve të lëndëve me zgjedhje është bërë sipas preferencës së çdo nxënësi që ka përfunduar shkollën e mesme një vit apo disa vite me parë.
Përgjegjësi i Sektorit në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar, Ndriçim Mehmeti, thotë se “nxënësi e zgjedh vetë nëse do t’u nënshtrohet provimeve me zgjedhje apo jo. Në rast se nxënësi preferon të mos i nënshtrohet provimit, i njihet vlerësimi që ka marrë një vit apo vite më parë, pasi ky vlerësim konsiderohet i vlefshëm edhe në vitet në vazhdim”. Sipas Mehmetit, nxënësit, i cili i ka dhënë më parë provimet me zgjedhje dhe dëshiron t’i jap sërish, i hiqet koeficienti dhe vihet koeficienti i lëndës që ka përzgjedhur. Në data-baze janë hedhur të gjitha të dhënat e rezultateve të Maturës Shtetërore me vite. Nëse nxënësi jep provimin sërish, njihet gjithmonë rezultati i fundit. Për maturantët e një viti më parë është ndjekur e njëjta procedurë, si dhe për maturantët që kanë përfunduar këtë vit, me të vetmin ndryshim se në formular nuk shënohet A1 por A1Z. Po kështu Mehmeti të ditur se koeficientet e lëndëve me zgjedhje nuk kanë ndryshuar këtë vit. Ndryshimi në Rregulloren e Maturës Shtetërore, sipas së cilës nxënëseve që kanë përfunduar shkollën në vitet e mëparshme u jepet mundësia të japin përsëri provimet e lëndëve me zgjedhje nëse ata dëshirojnë, është bërë për t’u dhënë shans atyre që duan të vazhdojnë një program të dytë studimi.

MASH: Rreth 1500 maturantë mbetës, kandidatë për studentë

Rreth 6 mijë nxënës që kanë përfunduar gjimnazin në vitet e fundit kanë kandiduar për t’u bërë pjesë e shkollës së lartë këtë vit. Nga këta, 1500 janë maturantë mbetës të vitit të kaluar. Sipas përgjegjësit të sektorit në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar, Ndriçim Mehmeti, një pjesë e këtyre maturantëve kanë preferuar t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje, të tjerë kanë vendosur të mos i ndryshojnë vlerësimet e marra nga Matura Shtetërore një apo disa vite më parë. Të gjithë personat që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhe 2008-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të IALP (e vërtetuar kjo nga dekanatet përkatëse), për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që ka këtë vit. Në këto raste kandidatët i japin përsëri provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën origjinale të Pjekurisë dhe mandat-pagesën e një tarife, masa dhe modalitetet e të cilës do të bëhen të njohura nga MASH.

OSSH

Plani i remonteve për javën tjetër. Stakimet do të bëhen nga data 31 gusht deri më 3 shtator, nga ora 09:00-16:00.

1. Remonti i Nënstacionit Fieri 1. Pa energji një pjesë e qytetit Fier dhe zona përreth.
2. Remonti i Nënstacionit Vorë. Pa energji Vora, Preza, Gërdeci, Gjokaj.
3. Remonti i Nënstacionit Kalimash. Pa energji Kalimashi dhe zonat përreth.
4. Remonti i Nënstacionit Has. Pa energji Hasi dhe zonat përreth.
5. Remonti i Nënstacionit Shupenzë. Pa energji Shupenza e zonat përreth.
6. Remonti i Nënstacionit Pobrat. Pa energji Pobrati, Kutallia, Cukalati etj. (fshatra të Beratit).
7. Remonti i Nënstacionit Livadhja. Pa energji Livadhjaja e zonat përreth.

28 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›