Në pranga mashtruesit, prezantoheshin si zyrtarë të Ministrisë së Financave
KORÇË - Tre persona nga Tirana janë arrestuar në qytetin e Korçës me akuzën për mashtrim. Duke paraqitur dokumente të falsifikuara sikur ishin punonjës së Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, tre personat u vendosnin gjoba pronarëve të lokaleve duke u kërkuar të paguanin taksën, që ata e quanin “për të drejtën e autorit” dhe që vendosej në varësi të lokaleve. Të arrestuarit janë; Ilir Muzhaqi 42 vjeç banues në lagjen Nr. 54, rruga “Siri Kodra” Tiranë, Ben Gjika, 38 vjeç, banues në lagjen Nr. 3, rruga “Ferit Xhajko” në Tiranë dhe Aleks Uruçi, 40 vjeç, banues në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Ndalimi i tre personave është bërë dy ditë më parë nga Policia e Korçës në operacionin e koduar “Mashtruesit e ligjshëm”. Tre të arrestuarit kishin një aktivitet në Tiranë të quajtur “SigShip”, ndërsa në Korçë prezantoheshin si punonjës të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, duke u kërkuar administratorëve të disa lokaleve të paguanin taksën e veçantë. Ata i kërcënonin biznesmenët se do t’u mbyllej aktiviteti nëse nuk paguan taksën. Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar dhe një bllok me fatura tatimore, dy blloqe me mandate arkëtimi si dhe dy blloqe shënimesh ku ishin evidentuar subjektet që kishin rënë pre e mashtrimit.
Digjet nga zjarri i riu, 51-vjeçarja i jep fund jetës me helm
ELBASAN - Një 37-vjeçar ka gjetur vdekjen në banesë, e cila është përfshirë nga flakët në orët e mbrëmjes së të enjtes duke u gdhirë e premtja në fshatin Topojan të Elbasanit. Policia e qarkut informon se viktima Dashamir Hida jetonte i vetëm në banesën e së motrës dhe vuante nga probleme mendore. Nga të dhënat e para të grupit hetimor, shkak i zjarrit mund të ketë qenë një cigare e rënë në rrobat e viktimës. Po në qarkun e Elbasanit informohet se të enjten në mbrëmje, rreth orës 21:00, një 51-vjeçare është vetëhelmuar me fostoksinë në Lagjen Nr. 1 të Cërrikut. Viktima Suzana Jasini është dërguar menjëherë në spital, por ka gjetur vdekjen pas dy orësh. Nga veprimet e para hetimore dhe nga deklarimet e të afërmve, rezultoi se shkaku i vetëhelmimit ka qenë depresioni nervor.
Vidhet argjendaria në mes të qytetit
FIER - Sipas një plani të ngjashëm me atë të një skenari filmi, disa të rinj kanë grabitur një argjendari në qytetin e Fierit. Pasi kanë studiuar lëvizjet e pronarëve, ata kanë hyrë në dyqanin ngjitur ku këta të fundit linin çelësat gjatë pushimit të drekës. Të rinjtë kanë blerë një palë këpucë, e ndërsa shitësja paketonte mallin, autorët e kanë vënë atë në gjumë me anë të një medikamenti spërkatës në fytyrë. Pas kësaj e kanë futur shitësen në banjën e dyqanit. Më pas, qetësisht, kanë hapur derën e argjendarisë dhe kanë marrë të gjithë mallin që ndodhej brenda saj. Policia ka nisur hetimet, por nuk ka mundur të zbulojë ende autorët e grabitjes.
Ministria: Një milion shqiptarë kanë aplikuar për pasaporta biometrike
TIRANË - Një milion shqiptarë kanë aplikuar për të marrë pasaportën biometrike. Është Ministria e Brendshme ajo që ka bërë publike shifrën. Burime zyrtare nga ajo kanë bërë të ditur se dje u regjistrua aplikimi i njëmiliontë për pasaportë biometrike. “Ritmet e aplikimit për pasaporta biometrike kanë tejkaluar edhe parashikimet tona më optimiste, në bazë të të cilave prisnim që shifrën e 1 milion aplikimeve ta arrinim deri në fund të këtij viti. Ministria e Brendshme shpreh kënaqësinë për faktin se falë një sistemi të sigurt dhe tepër modern të aplikimit dhe lëshimit të dokumenteve të identitetit, në harkun kohor të një viti, 1 milion qytetarë shqiptarë aplikojnë dhe pajisen me pasaporta biometrike të standardeve më të larta europiane. Me këtë rast, Ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët shqiptarë të pajisen me pasaportë biometrike, dokumentin që do të mundësojë së shpejti udhëtimin pa vizë në hapësirën “Shengen””, tha zëdhënësi i Minsitrisë së Brendshme, Fatmir Konja.
28 Gusht 2010