Operacionet antidrogë, 6 persona në pranga, mes tyre një italian
Artan CENA
TIRANË - Tri operacione antidrogë kanë çuar në pranga gjatë ditës së djeshme gjashtë persona. Katër prej tyre janë arrestuar në Tiranë dhe mes tyre është një italian, ndërsa dy të tjerë janë ndaluar në Korçë. Janë burimet zyrtare nga uniformat blu që kanë bërë të ditur se në kryeqytet janë sekuestruar më shumë se 5.6 kilogramë lëndë narkotike dhe në Korçë afërsisht dy kilogramë të tjera. Arrestimet janë bërë nga efektivët e seksionit të luftës kundër lëndëve narkotike. Kanë qenë hetimet disajavore që kanë përfunduar me arrestimet e personave të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike në kryeqytet dhe në Korçë. Të arrestuarit në kryeqytet janë: Sadok Akari, italian, por që jetonte në kryeqytet me qira, së bashku me dy vëllezërit Endrit e Eri Dervishi. Ndërsa në Korçë janë vënë në pranga: Vasfi Isufi, 45 vjeç dhe Gjergji Ziu, 26 vjeç.
Tiranë
Katër persona, midis tyre një qytetar italian, kanë rënë në prangat e policisë së kryeqytetit pasi janë kapur në flagrancë duke tregtuar lëndë narkotike. Nga të dhënat e para mësohet se 23-vjeçari italian, Sadok Akari, jetonte në kryeqytet në një banesë me qira dhe së bashku me dy vëllezërit, Endrit e Eri Dervishi, nga Tirana, shisnin lëndë narkotike. Nga hetimet paraprake rezultoi se tre personat e mësipërm e realizonin shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në tregun e brendshëm në Tiranë, kryesisht në zonën Kinostudios, te Bërryli, në Tiranë, por dhe në zona të tjera. Gjatë operacionit, burimet zyrtare të policisë thanë se në cilësinë e provës materiale është sekuestruar sasia 5 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike e llojit marijuanë. Policia e Tiranës tha gjatë ditës së djeshme se në pranga është vënë dhe një tjetër i ri, i cili merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. 34-vjeçari Saimir Cocaj, pasi gjatë kontrollit të bërë në makinën e tij e u gjet dhe sekuestrua sasia prej 11.2 gramësh lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.
Korçë
Dy persona janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Korçës nën akuzën për trafikim të lëndëve narkotike. Ndalimet janë vënë gjatë operacionit policor të koduar “Mëngjesi” dhe në pranga janë vënë dy persona në Korçë në akuzën e “shpërndarjes së lëndëve narkotike” dhe “shitje të armëve”. Burimet zyrtare nga uniformat blu të qytetit juglindor thanë se në pranga janë vënë: Vasfi Isufi, 45 vjeç dhe Gjergji Ziu, 26 vjeç, i dënuar me parë për veprën penale të "plagosjes së rëndë". Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, bënin shpërndarje të lëndëve narkotike të llojit heroinë dhe marijuanë në sasi të mëdha dhe të vogla, si dhe shisnin armë. Gjatë arrestimit, si prova materiale janë sekuestruar: 1 kilogram dhe 853.6 gramë lëndë narkotike të llojit marijuanë, 34.4 gramë heroinë, 2 pistoleta, 1 peshore elektronike dhe 2 aparate celulare.
Zjarret në Shqipëri, policia nën hetim 8 persona
TIRANË - Tetë persona janë çuar në hetim nga policia, pasi akuzohen për zjarrvënie. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë dje se gjatë dy javëve të fundit të muajit gusht, periudhë kur u evidentuan zjarrvënie të qëllimshme, në kuadër të masave është bërë e mundur që të procedohen për zjarrvënie 8 persona, nga të cilët 3 janë arrestuar në flagrancë në Tiranë, Fier dhe Shkodër, 4 të tjerë janë proceduar e ndiqen në gjendje të lirë, ndërkohë që 1 person është shpallur në kërkim. Burimet zyrtare thanë se në Fier është arrestuar në flagrancë Kujtim Hoxhaj, 38 vjeç, banues në fshatin Hoxhaj. Ai akuzohet se në fshatin Kreshpan, me zjarr, ka djegur 10 hektarë pyll me pisha dhe dyshohet si autor i zjarrvënies në fshatin Frakull, ku janë djegur 40 hektarë me ullinj, lajthi e dardhë. Ndërsa në Shkodër, pak ditë më parë u ndalua Sabri Plaku, 65 vjeç. Nga hetimet rezultoi se ky person, në vendin e quajtur Livadhet e Agrajës të fshatit Oblikë, nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr. Si pasojë e rënies së këtij zjarri janë djegur rreth 5 dynymë sipërfaqe toke e pyllëzuar. Në Tiranë është arrestuar në flagrancë Muharrem Kasa, 64 vjeç, banues në Palaq, Prezë. Arrestimi i tij është bërë pasi në Palaq, Prezë, teksa po digjte disa shkurre e barishte në pronën e tij, si pasojë e pakujdesisë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit, duke u djegur një sipërfaqe rreth 30 ha pyll e shkurre. Policia e Vlorës ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë për Laze M., 63 vjeçe, sepse dyshohet se i ka vënë zjarrin nga pakujdesia një sipërfaqe me shkurre në Nivicë. Po nga policia e Vlorës është shpallur në kërkim M. K., 22 vjeç, për zjarrvënie të qëllimshme. Në Durrës, është vënë nën hetim Fatmira H., 42 vjeçe, banuese në fshatin Borizanë, e cila akuzohet se për motive pronësie, i ka djegur me zjarr 20 metër kub dru zjarri dhe disa pemë frutore, kunatit të saj. Në Gjirokastër, dy persona, Stefan L. dhe Kristofor L., përkatësisht 66 e 59 vjeç, akuzohen të cilët akuzohen se në fshatin Klishar, nga pakujdesia, kanë djegur me zjarr një sipërfaqe me pemë e shkurre duke rrezikuar zonat e banuara të fshatit.
28 Gusht 2010