Ministri serb i Shëndetësisë viziton Shqipërinë
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, priti dje homologun e tij serb, Tomica Milosavljevic. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë tonë të Shëndetësisë, gjatë kësaj vizite fillojnë hapat e parë konkretë të bashkëpunimit, pas marrëveshjes në fushën e shëndetësisë, nënshkruar mes dy ministrave në Beograd. Pjesë e axhendës së ministrit të Shëndetësisë serbe, e para e këtij lloji në vendin tonë, ishin takimet dhe vizitat në institucione kryesore të shëndetësisë, në qendrën spitalore universitare ”Nënë Tereza”, në Institutin e Shëndetit Publik si dhe vizita në Spitalin rajonal të Durrësit. Gjatë një prononcimi dhënë për mediat të dy ministrat kanë theksuar klimën pozitive të bashkëpunimit mes dy institucioneve. “Marrëdhëniet mes dy institucioneve po përjetojnë një intensifikim si asnjëherë më parë. Shkëmbimet tona në fushën e shëndetësisë kanë hyrë në një rrugë jashtëzakonisht intensive dhe pozitive”, - tha Vasili. Ndërsa ministri serb i Shëndetësisë u shpreh se ky është një hap i madh në marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë, ndërkohë që ka vlerësuar përkushtimin e homologut të tij shqiptar në reformat me të fundit. “Mendoj se kjo vizitë e shpejtë që bëhet dhe pason atë të ministrit Vasili në Beograd është një tregues shumë i qartë për dëshirën e madhe dhe zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Një takim jo vetëm protokollar por dhe fillim i bashkëpunimit konkret mes institucioneve dhe spitaleve”, - tha Milosavljeviç. Ndërkaq, ministri ynë i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka shtuar se Shqipëria dhe Serbia ndajnë sfida të përbashkëta në reformimin e sistemeve të tyre shëndetësore.
28 Gusht 2010