Ndryshohet procedura e regjistrimit, radhë në shkollat e kryeqytetit
Avushe Zhuka
Ndryshimi i procedurës së regjistrimit në shkollat e arsimit parauniversitar është shoqëruar me radhë të gjata në sekretaritë mësimore. Rregullorja e re e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përcakton qartë se këtë vit të ri shkollor nxënësit duhet të regjistrohen vetëm në shkollat pranë vendit të tyre të banimit. Një pjesë e nxënësve kanë mbetur të pakënaqur nga ky vendim që i detyron ata të lënë shkollën ku mësojnë dhe të regjistrohen në shkollën më të afërt. Nga MASH-i bëhet e ditur se ndryshimi i procedurës së regjistrimit është një nga masat që ka marrë ky institucion për fillimin e vitit të ri shkollor.
Regjistrimi
Sipas rregullores së re, nxënësit duhet të regjistrohen vetëm në shkollat pranë vendbanimeve të tyre. Mënyra e re e regjistrimit ka ndërlikuar procesin e pranimit të nxënësve në shkolla. Jo pak të rinj synojnë të regjistrohen në shkollat më me emër në kryeqytet, duke rritur numrin e nxënësve që mësojnë në një klasë, ndërkohë që shkolla të tjera mbeten jashtë vëmendjes. Shkollat e konsideruara si më të mira kanë pasur një fluks kërkesash. Kjo ka bërë që të shtohen radhët dhe mosmarrëveshjet mes prindërve dhe sekretarive të shkollave. Nxënësit preferojnë të regjistrohen në gjimnazet që janë ndër më të kërkuarat në kryeqytet. Shkollat më të preferuara nga gjimnazistët e kryeqytetit vazhdojnë të mbeten “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa” dhe Ismail Qemali”. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëhet e ditur se kjo masë është marrë për të shmangur numrin e lartë të nxënësve në disa shkolla. Sipas zëvendësministres Nora Malaj, ndryshimi i procedurave të regjistrimit bëhet me qëllim që të balancohet numri i nxënësve në shkollat e vendit tonë.
Udhëzimi
Ministria u ka kërkuar drejtorive arsimore në rrethe që në bashkëpunim me pushtetin vendor duhet të sigurojnë regjistrimin e nxënësit në përputhje me rregulloren e re. Udhëzimi përcakton se drejtoritë arsimore në rrethe duhet t’i dërgojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të dhënat mbi lëvizjet e nxënësve në arsimin bazë, çka nënkupton ndryshimin e shkollave. Regjistrimi i nxënësve që ndryshojnë vendbanim bëhet me disa dokumente shtesë për të vënë re lëvizjet e kontingjentit të nxënësve. Në udhëzimin që Ministria e Arsimit ka nxjerrë për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 1010-1011 përcaktohet se si do të bëhet procesi i regjistrimit që kanë ardhur nga zona të tjera. Regjistrimi i këtyre nxënësve do të bëhet me fletëshpërngulje dhe fletëpranimi. Kjo do të bëhet për të evidentuar lëvizjen dhe për të bërë balancimin e kontingjentit të nxënësve. Sipas udhëzimit të MASH-it, regjistrimi në shkollat e mesme do të bëhet në përshtatje me vendbanimin e tyre për të shmangur mbipopullimin e klasave në disa nga shkollat e vendit. Procedurat e regjistrimit në arsimin parauniversitar do të bëhen brenda afateve të përcaktuara nga MASH dhe me dokumentet përkatëse për nxënësit që regjistrohen për herë të parë në shkollë.
28 Gusht 2010