E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmben, përdhunon dhe plagos ish të fejuarën

Rrëmben ish të fejuarën, e përdhunon dhe më pas tenton ta vrasë duke i zënë shqisat e frymëmarrjes. Denoncimi i babait të vajzës ka vënë menjëherë në lëvizje Policinë e Tiranës, e cila ka mundur të shpëtojë të renë teksa përpiqej të mbijetonte. Gjithçka ka ndodhur pasditen e dy ditëve më parë në Shkozë të Tiranës, kur 21-vjeçari Ermal Gjoni, lindur në Pukë e banues në Tiranë ka rrëmbyer ish të fejuarën e tij Irena S., 18 vjeçe, para banesës së saj dhe pasi e ka përdhunuar, tentoi të mbyste. Mësohet se 21-vjeçari e ka qëlluar me sende të forta adoleshenten dhe më pas e ka futur në automjetin e tij. Duke e kërcënuar dhe dhunuar, i riu e ka çuar vajzën në një hotel, ku dhe e ka përdhunuar. Çasti i rrëmbimit është parë nga babai i vajzës, i cili në pamundësi për të shpëtuar të bijën, ka lajmëruar menjëherë policinë. Forca të shumta policie u vunë në lëvizje dhe mbërritën menjëherë në hotelin, ku dyshohej se kishte çuar ish të fejuarën 21-vjeçari. Burime nga policia thanë se Gjoni u kap në momentin që po tentonte të vriste adoleshenten. Ai i kishte zënë asaj pjesët e frymëmarrjes, të hundës dhe të gojës, ndërsa vajza vetëm përpëlitej në pamundësi për të kërkuar ndihmë. Pasi u shpëtua nga forcat e policisë, Irena S., denoncoi Gjonin, i cili u arrestua për veprat penale të "heqjes së paligjshme të lirisë", "marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me dhunë me të rritura", "vrasjes me dashje e mbetur në tentativë" dhe "dëmtimeve të tjera me dashje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›