E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Argumentet para GJND-së janë në anën e Kosovës

"Argumentet historike, juridike dhe kushtetuese janë në anën e Kosovës dhe ato nuk mund të kontestohen", ka thënë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Sipas tij, procesi në GJND ka ndikuar në vonesën e njohjeve, por nuk do të ketë ndikim në subjektivitetin shtetëror të Kosovës. Ai ka preferuar që të mos ta komentojë vendimin që do të marrë ky trup i lartë i drejtësisë ndërkombëtare, por megjithatë ka theksuar se kthimi i rrotës së historisë është i pamundshëm. "Asnjë dokument, dhe më besoni sepse e njoh mirë këtë materie, nuk mund të sanksionojë gjendjen e Kosovës në aspektin formalo-juridik si pjesë e Serbisë", ka deklaruar Sejdiu gjatë një ligjërate para studentëve të universitetit AAB-Riinvest, ku ka folur për sfidat dhe perspektivën e zhvillimeve në Kosovë. Më datën 11 dhjetor, në Hagë zhvillohet seanca e radhës e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vlerësuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kërkesa është bërë nga Serbia, por shumë shtete të rëndësishme, kryesuar SHBA, kanë dërguar relacionet e tyre që mbështesin aktin e popullit të Kosovës. Pavarësia e Republikës së Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 nga Parlamenti i shtetit më të ri në botë.

Schilling: Pavarësia e Kosovës ka qenë e pashmangshme

"Pavarësia e Kosovës ka qenë e pashmangshme, nuk ka pasur rrugëdalje tjetër, prandaj pavarësia është zgjidhje e përhershme për Kosovën dhe nuk do të ketë më kurrë kthim prapa". Kështu tha ish-ministri në kabinetin e Kancelarit Kohl dhe ish-përfaqësuesi i BE-së për Bosnjën, Christian Schwarz Schilling, në intervistë për Radio Kosovën. "Kosova, tha Schilling, nuk mund të ndahet dhe sovraniteti i saj tashmë është përligjur nga 63 shtete që kanë njohur pavarësinë e saj". Ndërkaq, në takimin e katërt të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar të qëndrueshme dhe stabël gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Republikën e Kosovës. "Situata e përgjithshme e sigurisë është e qetë dhe shumë stabile", theksoi Thaçi dhe falënderoi të gjithë mekanizmat e sigurisë për punën e shkëlqyeshme gjatë periudhës së kaluar. Gjithashtu ai ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë midis KFOR-it, EULEX-it, Policisë së Kosovës, FSK-së dhe AKI-së, duke inkurajuar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. Me këtë rast Thaçi ka vlerësuar punën lidhur me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë të Kosovës me vendet fqinje për çështjet e luftës kundër kontrabandës, trafikimit dhe krimit të organizuar. Duke folur lidhur me procesin zgjedhor, Kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova është duke kaluar nëpër një proces historik dhe shumë të rëndësishëm dhe ka përgëzuar për fushatën e qetë dhe demokratike, dhe se sipas tij këto do të jenë zgjedhje model për rajonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›