E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikimi i qenieve njerëzore, "Kapshtica" prangos 3 persona

Zbulohet një grup që merrej me trafikimin e qenieve njerëzore, ndërkohë që në pranga kanë përfunduar tre persona. Në vazhdimësi të operacioneve të realizuara nga strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës, dje, strukturat e saj kanë finalizuar një tjetër në drejtim të kalimit të paligjshëm të kufirit. Në kuadër të operacionit "Kapshtica" i finalizuar nga specialistët e seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, u ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për Kreshnik Dungën, 32 vjeç, Bilal Aliajn, 31 vjeç dhe Bashkim Brahimi, 22 vjeç, të tre banues në Kamëz. Ndaj tyre, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 5 nëntor 2009, ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" në mungesë, pasi akuzohen për veprën penale të "dhënies ndihmë për kalimit të paligjshëm të kufirit". Këta persona dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin për qëllime përfitimi, realizonin grumbullimin në Tiranë të personave që kërkojnë të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme për në drejtim të shtetit grek. Grupi hetimor detajoi se të lartpërmendurit dyshohen se më datë 23 shtator 2009, në afërsi të sheshit "Rilindja" në Tiranë i kanë dhënë ndihmë për të kaluar kufirin shtatë personave kundrejt përfitimit monetar, i cili varionte nga 800 deri në 1500 euro për çdo shtetas. Këta persona u transportuan me automjete nga Tirana për në drejtim të qytetit të Korçës, me destinacion Greqinë. Është dokumentuar tërësisht me metoda speciale të hetimit, se më datë 30 shtator 2009, të tre personat e lartpërmendur kanë ndihmuar rreth 30 shtetas që të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, nga fshati Bitinckë i rrethit Devoll me destinacion më pas Greqinë. Po ashtu, dyshohet se më datë 7 tetor 2009, në afërsi të sheshit "Rilindja" në Tiranë, pasi kanë grumbulluar rreth 30 persona në një automjet taksi tip furgon, janë nisur për në drejtim të qytetit të Korçës. Edhe këta kishin destinacion shtetin helen. Ndërkohë, nga strukturat e hetimit të Policisë së Tiranës, po punojnë intensivisht në drejtim të identifikimit të të tjerë personave të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›