E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo i bashkohet LSI-së: Referendum për Kushtetutën

Sabri Godo vjen në ndihmë të LSI-së për referendumin e kërkuar mbi ndryshimet kushtetuese. Një nga hartuesit e dokumentit themeltar të shtetit, Sabri Godo, deklaron se referendumi për ndryshimet kushtetuese është i domosdoshëm. "Kushtetuta nuk mund të jetë një paçavure e krijuar nga dy forcat e mëdha politike", tha Godo. Sipas tij, për ndryshime të tilla thelbësore duhet të merret mendimi i sovranit. Idenë për organizimin e referendumit popullor për të pranuar ose jo ndryshimet kushtetuese e ka hedhur Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas kryetarit të kësaj force, me këto ndryshime Shqipëria është shndërruar në republikë kryeministrore. Kyçi i kësaj kërkese të republikanëve dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim është mbledhja e 28 firmave për të kërkuar referendum nga populli. Grupi parlamentar i Partisë Republikane, ditë më parë ka propozuar disa amendime për Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën. Kryesia e Partisë Republikane ka përkrahur si idenë më të mirë krijimin e senatit ose parlamentit me dy dhoma. Kështu, aleati më i madh i PD-së në qeverisje pritet të kërkojë nëpërmjet amendimeve që shqiptarët të jenë të përfaqësuar edhe me senatorë, të cilët do të jenë të mbledhur në dhomën e senatit. Kjo ide është artikuluar për herë të parë nga presidenti i nderit të republikanëve, Sabri Godo, i cili ka theksuar se senati do të ishte një zgjidhje e duhur për parlamentarizmin shqiptar. Tashmë përfaqësuesit e PR-së kanë vendosur t‘i hyjnë rrugës ligjore për realizimin e kësaj kërkese të tyre. Tashmë, PR-ja është e mendimit që ndryshimet kushtetuese të ngelen në dorë të popullit. Megjithëse Godo ka pranuar se Kushtetuta ka vend për ndryshime, është shprehur dyshues në qëndrimin e tij lidhur me propozimin që është bërë deri tani nga Partia Demokratike. Ndryshimet në Kushtetutë pritet të sjellin tensione politike gjatë ditëve në vazhdim. Një nga bashkëhartuesit e Kushtetutës, presidenti i nderit në Asamblenë Republikane, Sabri Godo, ka kundërshtuar në fillim të marsit prekjen e herëpashershme të dokumentit themeltar të shtetit. "Ajo preket sa herë zihen partitë politike dhe ky është një precedent i rëndë. Nëse është e rëndësishme të bëhen ndryshime, atëherë të përgatitet një paketë e tërë dhe të bëhen ndryshimet në grup. Për reformën duhet të bëhet në bllok ndryshimi dhe jo vetëm në momente të caktuara nëse është e nevojshme", tha ai. Sipas Godos, nëse ndryshimet kanë një karakter thelbësor, atëherë paketa mund të çohet edhe në referendum, por, gjithsesi, Godo saktëson se nuk duhen bërë gjëra spontane dhe këto lëvizje nuk duhen lejuar. Nga ana tjetër, Godo saktëson edhe një variant tjetër, se ndryshimet në Kushtetutë duhet të përgatiten edhe nga një komision parlamentar ad hoc.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›