Aksidenti tragjik iu merr jetën 4 të rinjve
Viktimat e aksidentit ishin nga qyteti i Durrësit. Shkaku i ngjarjes, shpejtësia e madhe
TIRANË- Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën katër të rinjve mëngjesin e djeshme në segmentin rrugor Fushë Krujë-Vorë në afërsi të vendit të quajtur Ura e Gjolës. Automjeti tip-Renault me targa të huaja “VZ 66 YK”, në të cilën po udhëtonin katër djem të rinj ka dalë nga rruga. Përplasja me bordurat ka qenë fatale për katër të rinjtë duke iu shkaktuar atyre vdekjen. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa njëri prej të rinjve u nis me urgjencë në Spitalin Ushtarak por ndërroi jetë gjatë rrugës. Sipas policisë, viktimat e aksidentit të rëndë janë Lorenc Pirra, 28- vjeç, Orjent Muça, 25-vjeç, Ilir Haxhi, 26-vjeç, dhe Redi Pina, 19-vjeç, të katër banues në Durrës.
Aksidenti
Rreth orës 7:00 të ditës djeshme, katër të rinjtë nga qyteti i Durrësit, Lorenc Pirra, Orjent Muça, Ilir Haxhi dhe Redi Pina po udhëtonin me një automjet në aksin rrugor Fushë-Krujë-Vorë. Mësohet se automjeti tip-Renault me targa të huaja drejtohej nga 28-vjeçari Lorenc Pirra. Në momentin që automjeti po lëvizte në vendin e quajtur Ura e Gjolës drejtuesi ka humbur kontrollin dhe makina nga dalë nga rruga. Makina është përplasur te një mbajtëse reklame. Tabela e reklamës ka rënë mbi makinë duke zënë edhe katër të rinjtë brenda. Kalimtarët e rastit lajmëruanmenjëherë policinë. Forca të shumta të policisë rrugore mbërritën në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e aksidentit. “I vetmi që kishte shenja jete ishte 25-vjeçari Orjent Muça, ndërsa tre të tjerët kishin gjetur vdekjen e menjëhershme. I plagosuri u nis me urgjencë në spital por nuk mundi të mbërrinte gjallë në duart e mjekëve”, -thanë burimet policore që ishin të pranishme në vendin e aksidentit.
Shkaku
Ekspertët e policisë rrugore nisën menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti të rëndë që shkaktoi vdekjen e katër personave. Nga hetimet e para policia tha se makina po udhëtonte me shpejtësi të madhe në momentin që drejtuesi i saj ka humbur kontrollin. Makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur te një mbajtëse reklame. Më pas tabela e reklamës ka rënë mbi automjet duke sheshuar makinën, gjë që ka qenë fatale për jetën e katër personave. Policia e ka pasur të vështirë nxjerrjen e personave nga makina e cila ishte shkatërruar tërësisht. Trupat e pajetë të të rinjve u transportuan në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme. Efektivat e policisë bllokuan për disa orë aksin rrugor ku ndodhi aksidenti me qëllim këqyrjen e vendit të ngjarjes.
VIKTIMAT
Lorenc Pirra, 28- vjeç
Orjent Muça, 25-vjeç
Ilir Haxhi, 26-vjeç
Redi Pina, 19-vjeç