E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetohet ART

ART po hetohet nga Policia e Kosovës dhe EULEX`i për shkelje të procedurave të prokurimit. Saktësisht për tenderin e fundit që ia dha një kompanie nga Shqipëria, e cila kishte paraqitur tri oferta financiare si e vetme. ART pranon se po hetohet. OSHP në vendimin e vet e quan ART`në kërcënuese. Drejtori Ekrem Hoxha mundohet të justifikohet me largimin e një zyrtari të prokurimit Nga Agon Sinanaj më 11 mars 2011 në ora 08:22

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit do të përballet me organet e hetuesisë. Gjoba prej 30 mijë eurosh dhe largimi i një zyrtari nga puna nuk do ta pastrojnë atë dhe shefin e saj Ekrem Hoxhën, nga shkeljet ligjore që bëri kur ia dha tenderin “Qendra Nacionale e Monitorimit të Radio Spektrit” një kompanie nga Shqipëria.

Express ka mësuar se lidhur me këtë rast tash kanë nisur edhe hetimet. Fillimisht nga Njësia e Hetuesisë së Policisë së Kosovës dhe e përfshirë në hetime mësohet se është edhe Eulex-i.

Nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit pranojnë se për këtë rast është larguar nga puna një zyrtar dhe se të gjitha tjerat u lihen për hetime organeve të drejtësisë.
Ekrem Hoxha, kryetar i ART-së, thotë se largimi i këtij zyrtari lidhet me rastin e fundit kur u shkel ligji. Ai thotë të mos ketë qenë në dijeni për aktivitetin joligjore brenda institucionit që e drejton.

“Ai e ka dëmtuar imazhin e ART-së. Ka marrë një vendim në kundërshtim me Ligjin e prokurimit”, ka thënë Hoxha, duke iu referuar zyrtarit që e ka larguar nga puna.
Për më tepër, Hoxha pranon se mund të ketë hetime për këtë rast. “Ia lëmë organeve të hetuesisë për të tjerat”, ka thënë ai.

Megjithatë, krejt ndryshe thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, me të cilin e dënoi 30 mijë euro ART-në për shkelje ligjore. Ky organ në vendimin e tij tregon se zyrtari i larguar nga puna është pajtuar me anulimin e tenderit.

“ART me veprimet e ndërmarra lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies se punës se zyrtarit të prokurimit ka shkelur nenin 118.1 dhe 118.2 të LPP-së, pasi zyrtari i prokurimit ka respektuar vendimin e OSHP-së mbi anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Për më tepër, përmes këtij vendimi, OSHP shpjegon se ART-ja edhe ka kërcënuar, duke e paralajmëruar këtë organ se nuk do të respektojë asnjë vendim të tyre dhe se do ta lidhë kontratën me operatorin nga Shqipëria.

Ndryshe, dënimi erdhi pasi ART i kishte dhënë tenderin kompanisë nga Shqipëria “R&T sh.p.k – TBS”, pavarësisht faktit se e njëjta kishe ofertuar me tri oferta financiare si e vetme. Kjo me Ligjin për Prokurimin Publik është rreptësisht e ndaluar.

Sipas këtij ligji, nëse një kompani oferton me tri oferta, e njëjta duhet të eliminohet qysh në raundin e parë. Por, kjo nuk kishte ndodhur. Komisioni vlerësues i ART-së e vlerësoi si operatorin me të favorshëm kompaninë nga Shqipëria, edhe pas rekomandimeve të OSHP-së që dosja e tenderit të rishqyrtohet. Pasi kjo nuk ndodhi, erdhi edhe dënimi.
Irena Bryma, zyrtare në ART , ka shpjeguar se zyrtari i larguar nga puna ka bërë shkelje të rënda ligjore.

“ART me vendim bordi, më 23 shkurt i ka ndërprerë marrëdhënien e punës ish zyrtarit të prokurimit, për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës si dhe performancës së pakënaqshme”, ka sqaruar Irena Bryma, zyrtare në ART.

Ndryshe, lidhur me këtë shkelje ligjore kishin parashtruar ankesë dy operatorët tjerë në garë “Antika” dhe “Botek”. Pas kësaj, Organi për Shqyrtim Publik kishte marrë vendim që ky tender të kthehet në rivlerësim.

Megjithatë, kur kjo nuk kishte ndodhur as pas rekomandimeve, OSHP caktoi ekspertët për hetimin e procedurës së prokurimit.

“Sipas rregullave, një ofertues nuk mund të ofertojë me tri oferta financiare. Nëse kjo ndodh, ky ofertues duhet të eliminohet qysh në fazën preliminare”, citohet të ketë thënë njeri nga këta ekspertët në vendimin e OSHP-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›