E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpesh me Cooper’in

Robert Cooper ka caktuar dinamikën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Delegacionet e të dyja palëve do të takohen nga dy herë në muaj deri në fund të këtij viti. Por, lehtësuesi europian palët mund t’i vizitojë edhe në Prishtinë e Beograd. Edita Tahiri konfirmoi edhe të enjten se pala serbe vazhdon të ketë pikëpamje të vjetra për Kosovën Nga Shpend Limoni më 11 mars 2011 në ora 08:17

Lehtësuesi i bisedimeve Kosovë –Serbi, Robert Cooper do të vazhdojë të kujdeset për procesin e nisur të martën e kaluar në Bruksel.

Por, zyrtarë në BE nuk kanë mundur të thonë se çfarë do të bëjë Cooper pas raundit të parë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Cooper ka aplikuar të ashtuquajturën diplomaci fluturuese për disa ditë në kryeqytetin e Kosovës dhe Serbisë, derisa ka dakorduar datën dhe agjendën për fillimin e bisedimeve.
Tash, kur ka dëgjuar qëndrimet e palëve për dy ditë në Bruksel, nuk dihet nëse Cooper do t’i kthehet sërish rajonit.

Një zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, baroneshës Catherine Ashton, Maja Kocijancic ka deklaruar për Express të enjten se Cooper do të vazhdojë të punojë rreth dialogut, edhe pse ky nuk është obligimi i vetëm i tij.

“Dialogu nuk është detyrë ekskluzive e Cooper. Ai ka detyrën e këshilltarit të BE’së dhe ka edhe obligime tjera . Është e rëndësishme të kuptoni se lehtësimi i këtij dialogu nuk është e vetmja detyrë e tij. Ai do të vazhdojë të punojë rreth përgatitjeve për raundin tjetër të dialogut”, ka thënë Kocijancic.

Ajo nuk ka përjashtuar që Cooper të udhëtojë drejt rajonit e as që ai të komunikojë me palët edhe në forma tjera.

“Më vjen keq, por tani nuk mund t’ju them këtë. Nëse është e nevojshme, ai mund të udhëtojë. Por, ai po ashtu është në kontakt me të dyja palët e nëse është e nevojshme, këtë mund ta bëjë edhe në mënyra tjera sipas kërkesave të dialogut”, ka thënë zyrtarja e BE’së.

Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë janë dakorduar edhe për një takim brenda këtij muaji.

Por, ende nuk ka ndonjë datë se kur palët do të kthehen sërish në Bruksel.
“Besojmë se takimi tjetër do të jetë në fund të këtij muaji . Tani nuk kam datë të saktë”, ka thënë Kocijancic.

Sipas “Eu Observer”, palët do të takohen edhe njëherë gjatë këtij muaji. Pas këtij takimi, ato pritet të takohen nga dy herë në secilën muaj deri në fund të vitit.
Kocijancic ndërkaq nuk ka pasur përgjigje as për temat që pritet të diskutohen në takimin e ardhshëm.

Sipas saj, kryesuesit e delegacioneve Edita Tahiri dhe Borko Stevanovic do të jenë pjesë e secilit takim mes palëve.

Express ka mësuar se në takimet me palët, Cooper ka vendosur që çështjet mes palëve t’i adresojë një nga një, duke mos kaluar në temë tjetër pa arritur një zgjidhje për një temë të caktuar.

(Artikullin, të plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›