Ia sheh sherrin Facebook’ut
Riad Shiti nga Hani i Elezit ia ka parë sherrin rrjetit social Facebook.
Publikimi i disa fotografive në profilin e tij me armën kallashnikov dhe një revole i ka kushtuar me arrestim dhe më pas me dërgimin e tij për t`u rrëfyer para prokurorit.
Policia e Hanit të Elezit e ka arrestuar këtë të ri, pas disa informacioneve se ai ka pozuar me armë dhe fotografitë dhe i ka vendosur në Facebook. Policia pasi ka arrestuar Shitin, i ka bastisur edhe shtëpinë.
Për arrestimin e tij, policia në raportin e rregullt njëzetekatër orësh thotë se ka arrestuar një person për armëmbajtje pa leje.
“Njësitë e hetimeve pas marrjes së informatës se i dyshuari mashkull është parë në foto në faqe të FACEBOOK-ut me dy armë, me një AK-47 dhe një pistoletë ,i njëjti është arrestuar”, thuhet në këtë raport.
Policia ka sqaruar më tej se hetuesit gjatë marrjes në pyetje të këtij qytetari nga Hani i Elezit, ai ka pranuar se kishte pasur armët, por që, sipas tyre, Shiti armët me të cilat ishte ekspozuar në Facebook i kishte dërguar në Maqedoni.
“Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në qendrën e ndalimit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Rastin e arrestimit të këtij të riu e ka konfirmuar për Express edhe kapiten Agim Gashi, zyrtar për media në policinë e Ferizajt.
Ai ka thënë se policia e Hanit të Elezit ka pranuar disa informacione se një person ka vendosur fotografi në Facebook, në të cilat shihej duke mbajtur armë.
“Me urdhër të prokurorit nga Prishtina, Policia e Kosovës ka arrestuar një person dhe ka bastisur gjithashtu shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë bastisjes në shtëpi nuk është gjetur asnjë armë ose diçka e tillë dhe se as nuk janë konfiskuar as dy armët me të cilat i dyshuari ishte ekspozuar në këtë rrejt social”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, Shiti u ka thënë hetuesve të policisë se armët që i kishte ishin të mbetura nga lufta dhe se të njëjtat i ka dërguar në Maqedoni.
Përderisa Riad Shiti është arrestuar të mërkurën rreth orës 12 të mesditës në shtëpinë e tij, ai të enjten ka dalë para prokurorit të gjykatës së Qarkut në Prishtinë për t`u rrëfyer për fotot dhe armët që i ka publikuar në rrjetin social Facebook.
“Pasi Riadi është rrëfyer për të gjitha çka e ka pyetur prokurori në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ai është liruar në procedurë të rregullt dhe se ndaj tij vazhdojnë procedurat tjera”, ka thënë zëdhënësi Agim Gashi.
Ky është rasti i parë që është raportuar zyrtarisht që Policia e Kosovës ka arrestuar një person për shkak se ka publikuar në rrjetin social Facebook fotografi të tij me armë të ndryshme.
Një rast i tillë ka ndodhur muaj më parë, por në fund kishte rezultuar se pistoleta në fotografinë e postuar në Facebook kishte qenë thjesht një lodër.