E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrena dhe pata tegra, nesër në skenën teatrore të Gjilanit

Teatri i Gjilanit duket po ofron një sezon të pasur artistik për të gjithë artdashësit e tij, duke sjellë disa premiera teatrore. Ndërkohë që edhe në Teatrin Kombëtar aktorët e këtij teatri kanë sjellë disa herë shfaqje, të cilat janë vlerësuar nga publiku i kryeqytetit. Në vijim të sezonit të tij artistik dashamirët e teatrit do të kenë mundësi të ndjekin edhe një premierë në Teatrin e qytetit të Gjilanit, pasi këtë të shtunë do të shfaqet premiera e shfaqjes Sex, rrena dhe pata tegra e autorit Vudi Allen dhe me regji të Erson Zymberit. Regjisori Zymberi është shprehur se kjo shfaqje është e shkruar në vitin 2003 nga Vudi Allen, dhe autori theks të veçantë u jep karaktereve dhe gjuhës, kurse në këtë shfaqje ka dialog të shpejtë e situata tejkalohet shumë shpejt. Kjo është një komedi e lehtë, shumë koherente dhe që komunikon shumë mirë me publikun. Provat kanë nisur në fillim të majit dhe shfaqja tashti është e gatshme për premierë, ka thënë ai. Ndërsa, Fatmir Spahiu, njëri nga aktorët, ka thënë se ekipi artistik ka qenë shumë i përgatitur, i gatshëm e kreativ dhe se raportet me regjisorin kanë qenë të shkëlqyeshme, ndërsa Auritë Agushit, aktore, tha se kjo shfaqje është shumë aktuale dhe përkon me realitetin kosovar. Shfaqja flet për probleme sociale, mashtrime, rrena e tradhti që ndodhin kudo, prandaj kudo që të vihet ky tekst ai është aktual, ka thënë Agushi për të shtuar se shfaqja ka situatat tragjikomike dhe në pjesëza të shfaqjes secili mund ta gjejë veten. Ndërsa, aktorët Avni Shkodra dhe Kushtrim Qerimi, që po ashtu luajnë në këtë shfaqje, thanë se gjatë përgatitjeve, ka mbizotëruar atmosferë e mirë, kurse edhe skenografia dhe kostumografia janë vlerësuar shumë të cilësore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›