BSH, e paqartë në lidhje me normat e interesit, kriza ka rritur nevojën për pará
Banka e Shqipërisë është ende krejtësisht e pavendosur në lidhje me ndryshimin e normës së interesit të lekut, ndonëse nevojat për uljen e kostos së parasë janë shumë të mëdha. Specialistë të Bankës së Shqipërisë pohuan dje paqartësinë e pasojave që mund të sjellë ulja e normës së interesit nga Banka Qendrore e vendit dhe thanë se ende është duke u shqyrtuar kjo mundësi. Në të vërtetë, ulja e dërgesave të emigrantëve me rreth 17% deri në dhjetor, rënia e shitjeve me pakicë, thellimi i deficitit të llogarisë korente kanë bërë që nevoja për pará të jetë në rritje. Veç kësaj, çmimet, të cilat për shkak të inflacionit të ulët ka disa muaj që janë të stabilizuar, e kanë kthyer në nevojë uljen e normës së interesit, në mënyrë që biznesi, por edhe konsumatorët të marrin më shumë kredi. Shqipëria ka aktualisht një prej normave të interesit më të larta në rajon dhe në Evropë, megjithëse vendet e tjera e kanë si masë për të mpakur efektet e krizës uljen e normës së interesit. Shqipëria ka sot një normë interesi 6,25%, ndërkohë që Bashkimi Evropian e ka çuar atë në 2% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë çuar atë në thuajse zero. Banka e Shqipërisë është druajtur të ulë normën e interesit, për shkak të dyshimeve që ajo ka në lidhje me mënyrën se si bankat e nivelit të dytë do të reagojnë. Banka e Shqipërisë trembet se ulja e normës së interesit do t’i ndihmojë bankat e nivelit të dytë të fitojnë më shumë dhe të mos i ulin normat e interesave të kredisë. Ato do të marrin kredi nga Banka Qendrore me interesa të ulura, ndërkohë që do të vazhdojnë të ruajnë norma të larta për kreditë që do të japin. Në fakt, Banka e Shqipërisë dëshmon thjesht pafuqinë e sistemit bankar shqiptar për t’u sjellë si një sistem bankar normal dhe pafuqinë e vetë Bankës Qendrore për të imponuar rregulla të qarta në tregun bankar në vend. Konsumatorët dhe bizneset në Shqipëri nuk mund të vuajnë norma të larta interesi për kreditë, në një kohë që inflacioni është shumë i ulët dhe në një kohë që kriza ekonomike me efektet e saj e ka bërë shumë të nevojshme rrjedhjen e parave nga bankat në treg. Tregu bankar në vend ndikohet në një masë të madhe edhe nga bonot e thesarit që qeveria shqiptare iu jep bankave dhe iu merr atyre pará. Kërkesat e mëdha të qeverisë për pará e ndikojnë këtë treg, për shkak se zënë një vend të madh në totalin e kredive që japin bankat në krahasim me vendet e tjera. Pavarësisht të gjithave, Banka e Shqipërisë nuk mund të mbetet një institucion kaq i pavendosur dhe të ruajë norma interesi kaq të larta, sikur inflacioni të ishte tri herë më i lartë.