E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshen Kalimash, rruga që shkurtoi largësinë

Autostrada Rrëshen-Kalimash, investimi më madhor në infrastrukturë ka shtuar ndjeshëm numrin e turistëve të cilët udhëtojne nga Kosova me destinacion bukuritë e rivierës shqiptare. Dikur një udhëtim i gjatë e i lodhshëm, sot ka thyer çdo barrierë që ndante dy vendet. Mjaftojnë pak orë për të shijuar më pas disa ditë pushimi në bregdetin e Adriatikut apo atë të Jonit.
Fluksi i madh i turistëve që mbërrijnë nga Kosova dhe që jetojnë në perëndim rrëfejnë sesi tashmë kjo rrugë ka mundur të lehtësojë udhëtimin për në Shqipëri duke e kthyer bregdetin tonë në destinacionin turistik më të preferuar për ta.
Turistë “Kam ardhur nga Gjermania. Kalimi përmes autostradës na ka lehtësuar udhëtimin.”
“Është vepër madhështore për kombin dhe pasqyra e ekonomisë së një shteti që të çon drejt zhvillimit. Rruga është shumë më e lehtë tash, po shifet qartë që është lehtësim i madh.”
“Viti i parë që kaloj në këtë rrugë. Kam ardhur nga Belgjika për në Durrës. Më shkurt, më shpejt, më mirë.”
“Durrësi është shumë mirë, na ka pëlqyer shumë. Rruga është shumë e mirë, është për bukuri".
Interesi i madh i turistëve shiptarë përtej kufirit duket se mori përmasa tepër të mëdha. Menjëherë pas hapjes së autostradës Rrëshen - Kalimash, e cila u pa jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë, por dhe agjencitë turistike si një mundësi atraksioni për të thithur vizitorë nga Kosova drejt bregdetit tonë. E padyshim rruga e kombit, tashmë më shumë se kurrë ka bashkuar dy vendet, duke i bërë edhe shqiptarët e Kosovës të ndihen si zotër të shtëpisë dhe të shijojne bukuritë e dheut amë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›